Zbulohet drafti: PS, kryeprokuror me 84 vota për imunitetin

Jul 18, 2012 | 12:29

Fatmir Xhafaj

Deputetët e PS firmosin paketën e tyre për ndryshimet kushtetuese: Dekretet e Presidentit për gjyqtarët të miratohen me 84 vota.

Deputetët e PS firmosin draftin e tyre për kufizimin e imunitetit.

Xhafaj: U përmbahemi rekomandimeve të BE për Drejtësinë.

Partia Socialiste do t’i kërkojë maxhorancës që kufizimi i imuniteteve të shoqërohet dhe me një reformë në sistemin e drejtësisë. Ky kusht do të përfshijë zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm me 84 vota dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e gjykatave të larta me shumicë të cilësuar. Dje, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, deputetët socialistë kanë dhënë firmat e tyre për të zyrtarizuar draftin e përgatitur nga sekretari i Koordinimit në PS, Fatmir Xhafaj, i cili do të depozitohet sot në administratën e Kuvendit. I kontaktuar në telefon, Xhafaj tha se po bëhen korrektimet e fundit në draft, “por hartimi i tij u bë bazuar në rekomandimet e BE-së, sipas të cilave, lufta kundër korrupsionit kërkon dhe institucione të forta të Drejtësisë”. Propozimi i socialistëve për të ndërhyrë në Kushtetutë dhe për dekretet e Presidentit për anëtarët e gjykatave të larta dhe zgjedhjen e prokurorit të Përgjithshëm, ka nxitur debatin mes opozitës dhe maxhorancës.
Kreu i maxhorancës, Sali Berisha, e kundërshtoi pak ditë më parë prekjen e Kushtetutës përtej çështjes së kufizimit të imuniteteve. “Kushtetuta, me ato ndryshime, ju garantoj se është sot një nga dokumentet më të shkëlqyera ligjore për të drejtën kushtetuese moderne. Por, që ta bëjmë Kushtetutën si vegun e Penelopës, e kam deklaruar këtë, nuk mund ta bëj. Imuniteti është një standard i tepërt në Kushtetutë, sepse imuniteti ka ardhur duke u hequr progresivisht, derisa sot ka vende që kanë zero imunitet. Nuk mund të kërkosh tani për ta shpërbërë Kushtetutën mbi bazën e pendesës, që në fakt ia induktojnë të tjerët, sepse thellë në vetvete ai nuk mund të ketë. Unë besoj se ai ka qenë një akt shumë mirë i menduar”, u shpreh Berisha. Në përgjigje të Kryeministrit, kreu socialist, Edi Rama, u shpreh se është i gatshëm të ndërhyjë në Kushtetutë, por jo me nxitim dhe gabimet e shkuara të 2008-s. “Për temën e imunitetit unë do ta bëj shumë të qartë se kjo kërkon një ndërhyrje në Kushtetutë dhe se Partia Socialiste nuk do të ndërhyjë më asnjëherë në Kushtetutën e Republikës me nxitimin e katër viteve më parë. Aq më tepër sot në kushtet kur jemi përpara faktit të kryer të kthimit të shtetit në një mishërim të pushtetit njëpartiak dhe kur një president i zgjedhur njëanshmërisht pritet të përzgjedhë një prokuror dhe një drejtor shërbimi që s’kemi ende asnjë arsye të besojmë se do të përzgjidhen për t’i shërbyer shtetit dhe jo pushtetit njëpartiak”, u shpreh Rama.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura