“Ashpërsohet” gara në Fakultetin e Mjekësisë, shtohet një tjetër kandidat.
Universiteti i Tiranës, emrat që konkurrojnë për drejtues.
Zyrtarizohen kandidaturat për dekanë dhe shefa departamentesh në fakultetet e Universitetit të Tiranës. Dje, në orën 16:00 ka përfunduar afati i dorëzimit të dosjeve të aplikimit pranë komisioneve zgjedhore të fakulteteve. Sipas rregullores, emrat duhet të afishoheshin po dje në vende të dukshme. Por, disa nga krerët e KZF-ve nuk e kanë bërë këtë gjë me argumentin se kanë afat deri më 9 shkurt për të dorëzuar listat pranë komisionit qendror të zgjedhjeve, i ngritur në rektorat. Gazeta publikon të plotë listat e kandidatëve, me përjashtim të Fakultetit të Infermierisë, Shkencave Sociale e atyre të Natyrës, të cilat, pavarësisht përpjekjeve zyrtare e jozyrtare, nuk na u vunë në dispozicion. Pa dashur të paragjykojmë, vlen për t’u theksuar se vetë rregullorja e zgjedhjeve nuk përmban ndonjë nen që u mohon të drejtën studentëve, stafit akademik dhe publikut për të njohur kandidatët, aq më shumë kur ata zyrtarizohen. Përkundrazi, kjo fazë i shërben procesit transparent të zgjedhjeve në universitetin më të madh në vend. I vetmi fakultet që zyrtarisht i ka hedhur emrat e kandidatëve edhe online, është ai i Histori-Filologjisë.
Gara në fakultete
Kanë mbetur më pak se dy javë nga zgjedhjet e 20 shkurtit në universitetet publike të vendit. Sa u përket dekanëve të rinj, duket se gara do të jetë e ashpër në Fakultetin e Mjekësisë. Veç tre kandidatëve të mëparshëm, dje listës i është shtuar edhe një tjetër emër. Arben Baboci do të konkurrojë për kreun e ri të Fakultetit përballë Bajram Hysës, Pëllumb Piperos dhe Genc Sulçebesë. Fakultetet e tjera kanë nga dy kandidatura, me përjashtim të Fakultetit të Infermierisë, Shkencave Sociale, ku konkurrojnë vetëm dekanët aktualë, dhe Fakultetit të Drejtësisë, ku është regjistruar një emër i ri, ai i Altin Theganit. Për krerët e departamenteve përgjithësisht mbizotëron fryma e kandidimit të vetëm ose mes dy pedagogësh. Në zgjedhjet e 20 shkurtit do të votohet gjithashtu edhe për këshillat e fakultetit dhe ato studentorë. Pjesë e procesit është Senati Akademik dhe Këshilli i Administrimit të Universitetit të Tiranës. Brenda dy ditësh pritet të mbyllet procesi i regjistrimit zyrtar të kandidaturave edhe për Universitetin Politeknik.
Rektorët e rinj
Pak ditë më parë u bënë publikë emrat e kandidatëve për rektorë në universitetet e Tiranës. Nga sa konfirmuan krerët e komisioneve qendrore të zgjedhjeve, në Universitetin e Tiranës do të garojnë: Dhori Kule dhe Mimoza Hafizi. Në Universitetin Politeknik, rektori aktual, Jorgaq Kaçani, është i vetmi kandidat. Edhe në Universitetin Bujqësor, Fatos Harizaj, i cili mban postin e kreut të Universitetit, konkurron sërish. Një kandidaturë të vetme ka edhe Universiteti i Arteve. Rektori Petrit Malaj ka regjistruar zyrtarisht emrin për të rifituar të njëjtin post. Në Universitetin e Sporteve, pas konflikteve të krijuara mes rektorit aktual Vesel Rizvanolli dhe Senatit Akademik, procesi i zgjedhjeve është bllokuar me urdhër të ministrit të Arsimit.
Procesi i votimit
Sipas rregullores, fushata zgjedhore përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore. Votimi bëhet në qendrat e votimit pranë fakulteteve. KZF-ja funksionon edhe si komision votimi në qendrën e votimit të fakultetit, në të cilën votojnë personeli akademik dhe joakademik. Për studentët ngrihen qendra votimi në varësi të numrit të tyre. Si rregull, për deri në 1000 studentë ngrihet një qendër votimi. “Gjatë zhvillimit të procesit të votimit ndalohet rreptësisht përdorimi i mjeteve të ndryshme të komunikimit dhe pajisjeve të tjera elektronike, të cilat mund të komprometojnë procesin e votimit nga: anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve, nga vëzhguesit si dhe nga trupa e zgjedhësve”, thuhet në rregullore.
Kandidatet per drejtues ne fakultete
1-Fakulteti Ekonomik
Kandidatët për dekanë:
Sulo Hadëri
Andri GoxhajKandidatët për shefa departamentesh:
• Departamenti i Menaxhimit
Petrit Dollani
Shyqyri Llaci
• Departamenti i Financës
Edlira Luci
Rejnald Muça
• Departamenti i Informatikës Ekonomike
Kozeta Bylykbashi
Areti Stringa
• Departamenti i Marketingut
Vjollca Hysi
Ilia Kristo
Liljana Elmazi
• Departamenti i Kontabilitetit
Sotiraq Dhamo
• Departamenti i Ekonomiksit
Albana Harshova2-Fakulteti i Mjekësisë
Kandidatët për dekanë:
Përllumb Pipero
Genc Sulçebe
Bajram Hysa
Arben BaboçiKandidatët për shefa departamentesh:
• Departamenti i mjekut të familjes:
Polikron Pulluqi
• Departamenti i Shëndetit Publik
Genc Burazeri
• Departamenti i Morfologjisë
Elsa Kone
• Departamenti i Farmacisë
Besnik Juca
• Departamenti i Lëndëve Biomjekësore
Gëzim Baciri
Luljeta Çakëri3-Fakulteti i Shkencave Sociale
Kandidatët për dekanë:
Theodhori KarajKandidatët për shefa departamentesh
Të pashpallur4-Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Kandidatët për dekanë:
Ilirjan Malollari
Mynyr KoniKandidatët për shefa departamentesh
Të pashpallur5-Fakulteti i Infermierisë
Kandidatët për dekanë:
Petrit BareKandidatët për shefa departamentesh
Të pashpallur6-Fakulteti i Drejtësisë
Kandidatët për dekanë:
Altin TheganiKandidatët për shefa departamentesh
• Departamenti i së Drejtës Penale
Skënder Kaçupi
• Departamenti i së Drejtës Publike
Evis Alimehmenti
Eralda Methasani
• Departamenti i së Drejtës Civile
Kudret Çela
Zhaklina Peto
Maksim Qoku
Nada Dollani7-Fakulteti i Histori–Filologjisë
Kandidatët për dekanë:
Shezai Rrokaj
Dhimitër DokaKandidatët për shefa departamentesh
• Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit
Artan Fuga
• Departamenti i Gjeografisë
Bilal Draçi
Sabri Laçi
• Departamenti i Gjuhësisë
Aljuala Jubani
• Departamenti i Historisë
Ilira Sulo (Çaushi)
• Departamenti i Letërsisë
Dhurata Shehri8-Fakulteti i
Gjuhëve të Huaja
Kandidatët për dekanë:
Klodeta Dibra
Viktor RistaniKandidatët për shefa departamentesh
• Departamenti i Gjuhës angleze
Elida Tabaku
• Departamenti i Gjuhës gjermane
Brikena Kadzadej
• Departamenti i Gjuhës italiane
Artur Sula
Irena Lana
• Departamenti i Gjuhës frënge
Esmeralda Kromidha
• Departamenti i Gjuhës spanjolle
Anastasi Prodani
• Departamenti i Gjuhëve sllavo-ballkanike
Sofia Delijorgji
Zgjedhjet, si do të votohet për drejtuesit e rinj
Votat që u duhen kandidatëve për t’u shpallur fitues
Kutive të votimit për zgjedhjen e drejtuesve të rinj në universitete u drejtohen: stafi akademik me kohë të plotë, stafi joakademik me kohë të plotë dhe studentët. Vota këtyre të fundit ka peshë në masën 20%, sipas formulës që përcakton ligji për shpalljen e fituesve. Në masën 75% vlerësohet vota e personelit akademik të institucionit, ndërsa stafi joakademik ka peshë në masën 5%. Pedagogët e jashtëm, të cilët janë të punësuar part-time, nuk do të kenë mundësi të votojnë. Sipas rregullores, konsiderohet fitues në postin e autoritetit drejtues rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, kandidati që është renditur i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. “Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtues rektor, dekan dhe përgjegjës të njësisë bazë, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%”, përcakton rregullorja. Sipas saj, kur asnjë kandidat nuk rezulton fitues sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje, brenda dy javëve nga dita e votimit, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve me rezultatin më të lartë. Në raundin e dytë shpallet fitues kandidati që arrin rezultatin më të lartë. Data e zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve caktohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. ”Në rastet kur në listat e kandidatëve për anëtarë të Senatit Akademik, Këshillit të Administrimit dhe këshillit të fakultetit kandidatët e renditur brenda numrit të parashikuar të anëtarëve kanë numër të barabartë votash, kandidati fitues zgjidhet me short”, thuhet në rregullore. Në rast se nuk paraqitet asnjë kandidat për një post të caktuar autoriteti drejtues, zgjedhjet për këtë pozicion përsëriten pas një periudhe njëvjeçare. Procesi zgjedhor do të nisë në orën 08:00 të datës 20 shkurt dhe do të përfundojë në orën 16:00.
Formula e fituesve
. Staf akademik me kohë të plotë, 75% të votave. Staf joakademik me kohë të plotë, 5% të votave
. Studentët, 20% votave
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











