
Gërmimet në sajë të skicës së arkivit në Ministrinë e Brend-shme zbulojnë eshtrat e një tjetër të pushkatuari nga regjimi komunist.Eshtrat e Zef Martinit u gjetën serish në fshatin Kuç, në afërsi të disa antenave ku tri javë më parë u zbuluan po në të njëjtin vend eshtrat e dy të pushkatuarve të tjerë të regjimit, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli. Zbulimi u bë pas një pune intensive të Task-Forcës për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të viktimave të komunizmit në bashkëpunim me familjarët e të pushkatuarit. Familjarët e Martinit shprehen se kishin 28 vjet që kishin kërkuar, por arritën ta gjenin vetëm në sajë të skicës së sjellë nga Instituti i të Përndjekurve Politikë në Tiranë, të cilët e kishin nxjerrë nga arkivi i Ministrisë së Brendshme.
Pas rreth 4 orësh gërmimesh me anë të një ekskavatori, të afërmit e Zef Martinit kanë mundur të gjejnë kockat njerëzore, i vrarë me një plumb pas koke. Gjetja e eshtrave ka lënë të shokuar jo vetëm familjarët e të pushkatuarit, por edhe banorë e ekspertë të Ministrisë që kanë asistuar në gërmim. Grupi i ekzekutimit, pasi e kishte vrarë Zef Martinin, asokohe 28 vjeç, e ka groposur të lidhur me pranga në duar dhe të rrethuar me tela çeliku me gjemba nëpër trup. “Arsyeja pse e arrestuan vëllain tim ishte se ai fliste hapur nëpër fshat kundër regjimit. Ne ishim një familje e dëgjuar ndër shekuj për trima, por në kohë të Partisë së Punës ishim me biografi të keqe. Babai ynë ka qenë milic në kohën e Zogut. Djali i axhës së babës është arratisur jashtë shtetit, axhën e babës e futën në burg për këtë shkak. Familja jonë shihej me sy të keq nga regjimi komunist. Më pas futën vëllain tim, Zefin, brenda dhe e pushkatuan pa gjyq”. Kështu u shpreh dje pas zbulimit të eshtrave Lush Martini, vëllai i të pushkatuarit më 11 gusht 1983. Sipas tij, kërkimet për gjetjen e eshtrave të vëllait kanë qenë intensive, por më kot, ata nuk kishin arritur gjatë gjithë këtyre viteve.
Zef Martini është arrestuar me akuzën e agjitacionit e të propagandës. Një muaj pas arrestimit u vendos pushkatimi i tij pa u dhënë më parë dënimi me gjyq.
Skicat e arkivave në Ministri
Kryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, u shpreh dje se “gjetja e eshtrave të Zef Martinit u bë e mundur në sajë të një Task- Force të ngritur nga ana e qeverisë shqiptare e që udhëhiqet nga zëvendësministri i brendshëm, Avenir Peka. Zbulimi i eshtrave u bë i mundur nga skicat që disponon arkivi i Ministrisë së Brendshme”. Sipas tij, falë këtyre të dhënave, bashkëpunimit të familjarëve të viktimave dhe të topografit të Bashkisë Shkodër, i cili është treguar i gatshëm për të ndihmuar në përcaktimin e vendndodhjes së varreve të personave të ekzekutuar, brenda tri javësh është bërë i mundur zbulimi i eshtrave të tre të pushkatuarve.
“Të na ndihmojnë ata që dinë vende ekzekutimi”

Task-Forca për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të viktimave të komunizmit u krijua me vendim të qeverisë shqiptare në vitin 2010 dhe kryesohet nga Ministria e Brendshme. “Gërmimet do të vazhdojnë në javët dhe muajt në vijim edhe në rrethe të tjera të Shqipërisë. Duke qenë se informacioni për vendndodhjen e vendeve të tilla ekzekutimi mungojnë në masë të madhe nëpër arshiva, Task-Forcë u bën thirrje familjarëve dhe personave që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kanë dijeni për vende të ngjashme ekzekutimi, të ndihmojnë me informacione në mënyrë që eshtrat e viktimave të komunizmit të mund t’u kthehen familjarëve të tyre”, thuhej një njoftim të Ministrisë së Brendshme, pas zbulimit të eshtrave ditën e djeshme. Ligjore në Tiranë për identifikimin me anë të ADN-së.
© Panorama.al











