Zbardhet vrasja e ish-policit

Feb 12, 2012 | 11:36

Vendi ku u gjet i vrarë, Ylli Kalemaj

Fier/ Një tjetër në kërkim. Dyshohet hakmarrje për shkak të detyrës.

Arrestim pas një viti për krimin ndaj Ylli Kalemajt.

Zbardhet vrasja e rojës së mjeteve të firmës ndërtuese të autostradës Levan-Tepelenë. Policia e Fierit bëri të ditur se është arrestuar një person dhe një tjetër është në kërkim për vrasjen e 46-vjeçarit Ylli Kalemaj, në vendin e quajtur Selishtë, në Cakran të këtij rrethi. Viktima, ish-punonjës i Policisë në Komisariatin e Ballshit, u gjet e pajetë pranë makinës së tij më 14 maj të vitit të kaluar. “Në kuadër të operacionit të koduar ‘Kobra’, në bazë të provave dhe fakteve të grumbulluara është bërë e mundur dokumentimi ligjor i ngjarjes ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Ylli Kalemaj, si dhe identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Kështu është bërë i mundur ndalimi i një prej të dyshuarve, shtetasit Gentjan Liçaj, 36 vjeç, banues në fshatin Buzmadh në Fier. Ndërsa është shpallur në kërkim i dyshuari si bashkëpunëtor në krim, shtetasi Xhezmi Hyka, 50 vjeç, banues në Gorishovë të Fierit”, bëri të ditur dje Policia. Sipas burimeve, këta shtetas akuzohen për veprën penale të “vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”. “Dyshohet se në vendin e quajtur Selishtë në Cakran ata kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Ylli Kalemaj”, bëri të ditur Policia. Të njëjtat burime thanë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje, por ende nuk bëhen të ditura detaje të tjera. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje deri në orët e vona të arrestuarin për të dokumentuar edhe shkakun e ngjarjes së vitit të kaluar. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se nga veprimet e deritanishme ka rezultuar se dy autorët e dyshuar si vrasës të Kalemajt e kanë kryer krimin për hakmarrje. Motivi dyshohet të ketë lidhje me detyrën e tij vite më parë në polici, por edhe me detyrën si rojë i objekteve të firmës ndërtuese deri në momentin që u vra. Ylli Kalemaj, baba i tre fëmijëve, u ekzekutua teksa punonte si roje i mjeteve të kompanisë së ndërtimit të autostradës Levan- Tepelenë. Policia deklaroi se viktima u gjet nga një emigrant që ishte nisur drejt Kakavijës. Për shkak se rruga ka qenë në ndërtim e sipër, në vendin ku ndodhi ngjarja ka pasur shumë pak lëvizje mjetesh. Natën e vrasjes viktima ka marrë një telefonatë nga një numër i panjohur dhe më pas dyshohet si ai la takim me vrasësit. Autorët dhe viktima janë nga i njëjti fshat. Ata janë përleshur më parë, derisa kanë vrarë me disa plumba viktimën. Fillimisht u dyshua se vrasja mund të kishte lidhje me detyrën e viktimës si ish-efektiv i Policisë. Por pas hetimeve të kryera, kjo pistë u rrëzua, duke u përqendruar te një hakmarrje e mundshme për shkak të punës aktuale të tij si roje.

1 plumb në kokë i ka marrë jetën babait të tre fëmijëve, ndërsa kishte marrë edhe plumba të tjerë në trup. Në vendngjarje u gjet automjetii tij tip “Benz” , me gjurmë gjaku, si dhe disa gëzhoja arme.
FIER/ MAJLINDA RAMA

Vrau babain, 17- vjeçari: Doja ta trembja

Komisariati Shkodër

SHKODER – Djali 17-vjeçar, i cili vrau me armë zjarri babanë e tij dy net më parë në fshatin Prekal të komunës Postrribë të Shkodrës, ka shfaqur pendesë në polici. Ai ka pohuar se kishte tentuar vetëm ta trembte të atin që po i dhunonte të ëmën. Por, situata i kishte dalë jashtë kontrollit me armën që ai nuk e kishte përdorur kurrë më parë. “Nuk e di si ndodhi që mora armën dhe qëllova. Kur pashë se babai po qëllonte nënën me bishtin e lopatës vetëm pse i tha se nuk kemi me se të mbushim barkun e ti vjen i dehur në shtëpi, m’u erren sytë e nuk mendova më gjatë. Unë nuk desha ta vrisja, doja vetëm ta trembja, pasi m’u dhimbs nëna. Mora armën, por unë nuk e kisha përdorur asnjëherë më parë. I hoqa siguresën për ta trembur babanë, por arma më pas shkrepi… nuk e di sa herë, deri sa e hodha përtokë”. Kështu është shprehur 17-vjeçari M. Murraça gjatë marrjes në pyetje nga Policia e Shkodrës. Ai vrau me armë automatike babain e tij 43 vjeç, Sokol Murraça, pas konflikteve të vazhdueshme në familje. Burime nga Policia bënë të ditur se nga hetimi i kryer dhe të dhënat e siguruara, ka rezultuar se gjendja e vështirë ekonomike e dhuna që viktima Sokol Murraçaj ushtronte në gjendje të dehur ndaj pjesëtarëve të tjerë të familjes, kanë qenë shkaqet e debateve të herëpashershme në familjen Murraçaj. Një situatë e tillë ndodhi edhe pasditen e 10 shkurtit, ku 43-vjeçari u ekzekutua në mes të shtëpisë nga djali i vetëm në moshë adoleshente.                                            r.d

© Panorama.al

Te lidhura