Zbardhet sulmi, policët u pezulluan, s’mbrojtën shefin

Aug 15, 2011 | 11:31

Zbardhen detajet e raportit të Policisë për sulmin ndaj Komisariatit Nr.5 të Kamzës dhe dhunën fizike ndaj shefit të Krimeve, ngjarje që u kushtoi detyrën 15 punonjësve të Policisë së Tiranës.Sipas të dhënave që janë renditur në raportin e detajuar, rezulton që efektivat e pezulluar me urdhër të zv. drejtorit të Policisë së Tiranës, Gjergj Jorgo, i autorizuar në mungesë nga drejtori Saimir Muçaj, efektivat e policisë kanë kryer disa shkelje disiplinore. Kanë lejuar të sulmohej Komisariati i Policisë, nuk kanë ndërhyrë në kohën kur personat e akuzuar sulmuan shefin e Krimeve dhe në fund, edhe pse kanë marrë një urdhër nga eprori i tyre, nuk i janë bindur menjëherë.
PROCESI DISIPLINOR
Më 27 korrik 2011, nga Komisariati i Policisë Nr. 5, Tiranë, ka filluar procesi i ecurisë disiplinore ndaj punonjësve të policisë, Behar Kurti, Edmond Ndoka, Besnik Sala, Qani Dauti, Pal Pjetërgjoka, Agron Kapo, Ali Farka, Flamur Çela, Zef Prendi, Nikoll Bazhella, Aqif Muçaj, Simon Bushgjoka, Sejdi Qejvani, Astrit Cani dhe Bujar Lamaj. Procesi disiplinor ndaj këtyre punonjësve ka filluar pasi pretendohet se më datë 21 korrik 2011 kanë qenë të pranishëm gjatë dhunimit në ambientet e Komisariatit Nr.5, të shefit të Seksionit të Hetimit e Parandalimit të Krimeve të këtij Komisariati, komisar Artur Hyka, nga disa shtetas, por kanë qëndruar inaktivë dhe nuk kanë ndërhyrë me qëllim ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe shoqërimin e autorëve të këtyre veprimeve. Raporti për pezullimin e tyre u ndërtua në bazë të relacionit të shefit të Komisariatit nr.5, Sejfulla Metko, në lidhje me këtë ngjarje, deklarimet e Artur Hykës dhe punonjësve të tjerë që kanë qenë të pranishëm dhe në fund pyetja e të gjithë efektivave ndaj të cilëve ka nisur procesi disiplinor.
INCIDENTI
Në bazë të këtyre veprimeve rezulton se më 21 korrik 2011, shefi i Krimeve, Artur Hyka, ka qenë duke kryer veprimet hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur te shkolla “Ibrahim Rugova” në Kamzë, ku disa persona kishin dëmtuar murin rrethues të saj. Njëri nga autorët ishte Jusert Mullai, i cili është kapur në flagrancë. Për shkak të moshës së mitur, ai ka qenë duke u marrë në pyetje në prani të nënës së tij, avokatit dhe psikologut. Gjatë kohës që ai merrej në pyetje, para Komisariatit Nr. 5 janë afruar të afërmit e tij, të cilët janë identifikuar si Astrit Halili, Klevis Halili, Liri Halili, Armando Jaupi dhe Shkëlqim Halili. Ata, pasi kanë ofenduar shefin e Krimeve, duke qenë se nuk ishin dakord me qëndrimin në Komisariat të të afërmit të tyre, kanë bërë të njëjtën gjë edhe kur Artur Hyka ka dalë përpara Komisariatit. Duke ofenduar, shtetasit e mësipërm kanë filluar të ushtrojnë dhunë me duar ndaj shefit të Krimeve, i cili u ka kërkuar ndihmë të gjitha shërbimeve me radio edhe verbalisht atyre që ndodheshin pranë tij. Nga punonjësit e policisë që ishin të pranishëm kanë ndërhyrë dhe janë konfrontuar fizikisht vetëm Përparim Mata dhe Emri Demaliaj. Ndërsa policët e tjerë që ndodheshin aty, kanë qëndruar inaktivë dhe nuk kanë ndërhyrë për ndërprerjen e dhunës. Duke u nisur nga numri i madh i personave që po ushtronin dhunë ndaj tij dhe për të shmangur ndonjë incident me pasoja më të rënda, shefi i Krimeve ka mundur të largohet dhe është futur brenda Komisariatit. Por, edhe pas largimit të tij, agresorët kanë vazhduar të ofendojnë dhe të shajnë në adresë të tij e policëve të tjerë, si dhe kanë hedhur sende të forta në drejtim të Komisariatit.
PYETJA E POLICEVE
Pjesa tjetër e punonjësve të policisë, konkretisht oficerët e Patrullës së Përgjithshme që janë afruar në momentin e dytë të ngjarjes, në deklarimet e tyre pranojnë se kanë qëndruar inaktivë për ndërprerjen e veprimeve të paligjshme që po kryheshin nga agresorët dhe shoqërimin e tyre, me arsyetimin se nuk kishin informacion të saktë për ngjarjen dhe nuk janë orientuar dhe drejtuar nga eprori i tyre Edmond Ndoka, i cili ishte vetë i pranishëm në vendngjarje. Në raport thuhet se është konstatuar se të gjithë punonjësit e policisë ndaj të cilëve ka filluar ecuria disiplinore, kanë qëndruar inaktivë gjatë kryerjes së veprimeve të dhunshme nga personat e mësipërm ndaj shefit të Krimeve dhe si rrjedhojë kanë kryer shkelje të rëndë disiplinore të parashikuar nga neni 11, pika 12, “shkelje ose mosushtrim i kompetencave të policisë” të Rregullores së Disiplinës së Policisë. Përgjegjësinë kryesore për këto shkelje, sipas raportit, e ka Edmond Ndoka dhe Behar Kurti, pasi kanë qenë ata që nuk kanë orientuar dhe drejtuar në mënyrën e duhur shërbimet e tjera për menaxhimin e duhur të ngjarjes.

Personat e arrestuar per sulmin

Më 23 korrik 2011, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve për Astrit, Shkëlqim dhe Liri Halilin, tre vëllezërit “protagonistë” të sulmit të Komisariatit të Policisë Kamzë. Në të njëjtat vendime gjykata vlerësoi si të ligjshëm edhe arrestimin e tyre në kushtet e flagrancës.

15 POLICE
janë pezulluar përkohësisht nga puna, pasi kanë shkelur Rregulloren e Disiplinës, në lidhje me ngjarjen e 21 korrikut 2011 në Kamzë kur u sulmua Komisariati dhe u dhunua shefi i Krimeve, Artur Hyka, si dhe disa efektivë të tjerë

POLICET E PEZULLUAR

1. Behar Kurti
2. Edmond Ndoka
3. Besnik Sala
4. Qani Dauti
5. Pal Pjetërgjoka
6. Agron Kapo
7. Ali Farka
8. Flamur Çela
9. Zef Prendi
10. Nikoll Bazhella
11. Aqif Muçaj
12. Simon Bushgjoka
13. Sejdi Qejvani
14. Astrit Cani
15. Bujar Lamaj

© Panorama.al

Te lidhura