Dy skuadrat që në përfundim të sezonit renditen në vendet 13 dhe 14 do të zbresin direkt nga Kategoria Superiore, ndërsa tre të tjera, që pozicionohen në vendet 10, 11 dhe 12, do të zhvillojnë ndeshje shtesë me klubet e Kategorisë së Parë (ato që e mbyllin në vendet 3, 4, 5 të kësaj Kategorie). Ky është vendimi që ka marrë dje për sezonin e ri Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Në një mbledhje maratonë, ku diskutimet u përqendruan më shumë mbi formulën e skuadrave që zbresin nga Kategoria, u vendos unanimisht që të bëhet një ndryshim i rëndësishëm në krahasim me sezonet e kaluara. Në këtë mënyrë, shtohet një skuadër që do të zhvillojë ndeshje shtesë për qëndrimin në Superiore ose futjen në këtë Kategori. Sezoni i ri do të nisë me finalen e Superkupës, Skënderbeu-Tirana, që është parashikuar të luhet më 18 gusht. Ndërkohë, me ndryshimin e strukturës për sezonin 2011-2012, ku do të marrin pjesë 14 klube, kampionati tkurret në krahasim me vitin e kaluar, kur kishte tre faza dhe 33 ndeshje.











