Zbardhet pasuria e familjes Berisha dhe e ministrave

Jul 19, 2011 | 10:15

ILDKP zbardh deklaratën e pasurisë për kryeministrin Sali Berisha dhe familjarët e tij.Në formularin prej 10 faqesh, kreu i qeverisë, bashkëshortja e tij, si dhe fëmijët Shkëlzeni e Argita kanë detajuar të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet që kanë kryer gjatë vitit 2010.
Shkëlzen Berisha
Në deklarimin e pasurisë, djali i kreut të Ekzekutivit ka pasur të ardhura nga aktiviteti privat në fushën e pasurive të paluajtshme 150 000 euro si dhe 3.6 milionë lekë të reja të ardhura neto nga aktiviteti për konsulencë juridike. Në formularin e tij të deklarimit të pasurisë është edhe një kontratë qiramarrje për një shtëpi në kompleksin “Garden Vila” në Lundër me vlerë 1 mijë euro në muaj, në total 12 mijë euro në vit. Për sa i përket llogarive të tij bankare, në llogarinë e tij në bankën “Intesa San Paolo” janë shtuar 130 mijë euro. Gjithashtu gjatë vitit 2010 ai ka paguar pesë mijë euro për një makinë tip “Audi”, ndërkohë që ka për të paguar edhe 13 mijë euro.
Argita Malltezi
Vajza e kryeministrit Sali Berisha në formularin e saj të pasurisë ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 195 m2 në rrugën Mustafa Matohiti në katin e tetë me vlerë 200 mijë euro. Në deklarimin e pasurisë thuhet se kjo vlerë “është paguar tërësisht me të ardhurat e bashkëshortit”. Të ardhurat e Argita Malltezit gjatë vitit 2010 kanë ardhur nga dy drejtime: rroga nga mësimdhënia në Fakultet dhe mbledhja e qirave të dy apartamenteve. Konkretisht, nga Fakulteti i Drejtësisë vajza e kreut të qeverisë ka marrë për vitin 2010 një rrogë vjetore 1.1 milionë lekë. Gjithashtu, ajo ka përfituar nga mësimdhënia në fakultete private 6.6 milionë lekë dhe 10.251 euro. Përveç këtyre të ardhurave, Malltezi ka marrë gjatë vitit të kaluar 10 800 euro nga dhënia e një apartamenti me qira në godinën e ETC-së, si dhe 14 040 euro nga dhënia e një apartamenti me qira në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.
Kryeministri
Në deklarimin e pasurisë rezulton se kryeministri Berisha ka përfituar gjatë vitit të kaluar një rrogë prej 2.2 milionë lekësh, si dhe dieta për udhëtimet jashtë vendit 2.720 euro dhe 160 USD. Ndërkohë që të ardhurat nga pensioni i Liri Berishës për vitin e kaluar ishin 285 mijë lekë.

Deklarimi i pasurisë së familjes së Kryeministrit

Sali Berisha

Faksimile e deklarimit të pasurisë së familjes Berisha

– Llogari në emër të Liri Berisha në Tirana Bank (gjendja deri në 31.12.2010) 420.721 lekë
– Llogari në emër të Liri Berisha në Tirana Bank (gjendja deri në 31.12.2010) 158 lekë
– Llogari në emër të Sali dhe Liri Berisha, Banka San Paolo (gjendja deri në 31.12.2010) 1.150.600 lekë
– Llogari në emër të Sali dhe Liri Berisha, Banka San Paolo (gjendja deri në 31.12.2010) 3.910 euro
– Intesa San Paolo, llogari në emër të Sali Berishës (gjendja deri në datë 31.12.2010) 2.007 USD
– Llogari në emër të Liri Berisha, për efekt të derdhjes së pensionit, në Bankën Credins (gjendja deri në datën 30.12.2010) 1.405.725 lekë
– Llogari në emër të Liri Berisha, në Raiffeisen Bank (gjendja deri në datën 31.12.2010) 1.510.291 lekë
– Llogari në emër të Liri Berisha, Raiffeisen Bank (gjendja deri në datën 31.12.2010) 43.887.86 lekë
– Llogari në emër të Sali Berisha, Raiffeisen Bank (gjendja deri në datën 31.12.2010) 125.473 lekë
– Llogari në emër të Sali Berisha, Raiffeisen Bank (gjendja deri më 31.12.2010) 3.972 lekë
– Të ardhura nga paga dhe shpërblime si Kryeministër 2.233.186 lekë
– Të ardhura nga pensioni, Liri Berisha 285.672 lekë
– Dieta për udhëtime jashtë vendit si Kryeministër 2.720 Euro
– Dieta për udhëtime jashtë vendit si Kryeministër 160 USD

Argita Malltezi
– Emporiki Bank, llogari rrjedhëse +20 USD; + 10.222 euro
– Chavy Chase Bank/ Capital One Bank (kjo është gjendja aktuale) 6199 USD
– UNFCU, llogari kursimi dhe llogari rrjedhëse 0
– Raiffeisen Bank +5 euro; + 108.688 lekë
– Banka Credins + 10.521 euro
– Intesa San Paolo Bank (ABA) – 70.036 euro; – 35 USD
– BKT +634.073 lekë
– Procredit Bank + 7.193.138 lekë
– Apartament 195 m2, Rr. M. Matohiti, kati 8, paguar tërësisht me të ardhurat e bashkëshortit 200.000 euro
– Rroga neto vjetore në Fakultetin e Drejtësisë dhe shpërblime 1.137.294 lekë
– Nga mësimdhënia në fakultete private 6.635.600 lekë + 10.251 euro
– Nga dhënia me qira e një apartamenti, godina ETC 900 euro/muaj x 12 muaj
– Nga dhënia me qira e një apartamenti, Rr. Lidhja e Prizrenit 1170 euro/muaj x 12 muaj

Shkëlzen Berisha
– Shtuar llogaria rrjedhëse në Intesa San Paolo +130.203 euro
– Pakësuar llogaria rrjedhëse në Intesa San Paolo – 3.600 lekë
– Shtuar llogaria rrjedhëse private në Bankën SEB- Suedi +23.802 SEK
– Llogaria rrjedhëse në Bankën Credins nuk ka ndryshime nga deklarimi i fundit (gjendja më 31.12.2010 është 462.371 lekë)
– Të ardhura neto nga aktiviteti privat në fushën e pasurive të paluajtshme 150.000 euro
– Të ardhura neto nga aktiviteti privat si person fizik (konsulencë juridike) 3.632.528 lekë
– Kontratë qiramarrjeje të një banese në adresën: Vila B9, kompleksi ‘Garden Vila’, fshati Lundër, komuna Farkë, Tiranë për vlerën 1 mijë euro në muaj
– Kontratë për blerjen e një makine “Audi” Allroad (e deklaruar në vitin 2009) 5 mijë euro

 

Topalli blen tokë për shtëpi verore, 5.2 milionë lekë

Paguan 1 milion lekë për shkollimin e vajzës në Francë

Gjatë vitit 2010, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ka pasur një rrogë prej 3.1 milionë lekë, përfshi këtu edhe shpërblimet. Ajo ka shpenzuar 1 milion lekë për studimet e vajzës në Francë dhe ka shtuar gjendje cash në kursimet familjare 500 mijë lekë të reja. Në deklarimin e pasurisë së bashkëshortit, Ndoc Topalli, rezulton se gjatë vitit të kaluar ai ka blerë një truall prej 670 m2 dhe ka ndërtuar një shtëpi verore në Malësinë e Madhe me vlerë 5.2 milionë lekë. Të ardhurat e tij vjetore nga puna si noter dhe të ardhurat nga qiratë e pronave të familjes janë llogaritur 3.5 milionë lekë. Gjatë vitit të kaluar, ai ka hapur një llogari të përbashkët me vajzën në shumën 11 mijë USD.

Pasuria e Topallit

– Llogaria në Bankën Credins pakësuar me – 942.940 lekë
– Shtuar gjendje cash nga kursimet familjare me 500.000 lekë
– Rroga dhe shpërblime si Kryeparlamentare 3.168.500 lekë
– Shpenzime për shkollimin e vajzës në Francë 1.000.000 lekë

Pasuria e bashkëshortit
– Llogari në Pro Credit Bank shtuar me + 3.672 euro
– Depozitë në Intesa San Paolo pakësuar me 2.527 USD
– Llogari në Bankën Intesa San Paolo pakësuar me 4.226 euro
– Blerje trualli 670 m2 dhe ndërtimin e një shtëpie verore në Malësinë e Madhe me vlerë 5.200.000 lekë
– Hapje llogarie në emrin tim dhe të vajzës +6.770 euro
– Tërhequr nga llogaria dyemërore – 11.000 USD
– Të ardhura nga aktiviteti privat si noter dhe të ardhura nga qiratë + 3.500.000 lekë

Lulzim Basha

. 1652127 lekë
të ardhura nga paga dhe
shpërblimi në fund të vitit,
si ministër i Brendshëm
. 14038 euro
të ardhura nga paga e
bashkëshortes Aurela
Basha, si drejtore
Programesh në
fondacionin EWPPP

Kryetari i ri i Bashkisë pa shtesa pasurore për 2010

Lulzim Basha, kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, nuk deklaron shtesa pasurore përveç të ardhurave nga paga. Në postin e ministrit të Brendshëm, Basha ka përfituar 1652127 lekë të rinj nga paga dhe shpërblimet e fundvitit. Ndërsa bashkëshortja e tij, Aurela, e cila punon Drejtore Programesh në Fondacionin EWPPP ka përfituar pagën e saj në shumën 14038 euro. Çifti Basha nuk ka bërë asnjë shtesë në pasurinë e paluajtshme të tij gjatë vitit 2010.

Pasuria, Meta blen shtëpi 400 mijë euro

Kreu i LSI-së ka shtuar pasurinë e tij të paluajtshme me një banesë afër qendrës së Tiranës me vlerë 400 mijë euro.Në deklaratën e pasurisë së Ilir Metës, ku pasqyrohen të gjitha shtesat e pasurisë së luajtshme apo të paluajtshme për vitin 2010, apartamenti i banimit me sipërfaqe 200 metra katrorë ndodhet në Rrugën e Barrikadave. Sipas deklaratës së ish- zv.kryeministrit, thuhet se për blerjen e saj janë paguar 200 mijë euro cash, para të cilat çifti Meta i ka pasur të njoftuara në deklaratën e një viti më parë. Gjithashtu, është marrë kredi në shumën prej 200 mijë eurosh në Bankën Credins. Sipas deklaratës së tij, kreu i LSI-së do të paguajë një këst mujor për këtë kredi në shumën 1083 euro. Gjithashtu çifti Meta-Kryemadhi deklarojnë dhe një shtëpi dykatëshe me sipërfaqe 317 metra katrorë në kompleksin turistik “Lura” në Gjirin e Lalëzit. Por në deklaratë sqarohet mënyra se si është përfituar kjo banesë. Bashkëshortja e Metës, Monika, ka bërë një shkëmbim të shtëpisë në Gjirin e Lalëzit me një sipërfaqe prej 300 m2 në truallin e saj në Tiranë, ku tashmë po ndërtohet dhe ajo përfiton 35% të sipërfaqes së ndërtimit. Të ardhurat e çiftit Meta-Kryemadhi mbeten burimet financiare që vijnë nga angazhimet e tyre politike. Ilir Meta ka përftuar gjatë vitit 2010 pagën e tij si zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm e më pas ministër i Ekonomisë, në masën e 1768385 lekëve të reja. Ndërsa bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, ka përfituar pagën e saj si sekretare Organizative e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjithashtu, në deklaratën e të ardhurave të saj, Monika deklaron dhe 278100 lekë të reja si anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Deklarata e Ilir Metes

-Shtesë në llogarinë bankare për pagat 135.318 lekë
-Apartament banimi me sip. 200 m2 në Rrugën e Barrikadave në Tiranë me vlerë 400.000 euro, blerë me 200.000 euro cash të deklaruara më parë dhe 200.000 euro kredi bankare, nga banka Credins me këst mujor 1083 euro, paguar deri tani 6550 euro

Të ardhurat
-1768385 lekë nga paga si zv.kryeministër dhe ministër i Ekonomisë
-969324 lekë paga e bashkëshortes Monika Kryemadhi, si sekretare Organizative e LSI
-278100 lekë të ardhura të bashkëshortes si anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë
-Apartament banimi me dy kate sip. 317 m2 në fshatin turistik në Gjirin e Lalëzit, shkëmbyer me dyqane në sip. 300 m2 me firmën Lura, ndaj objektit që ndërtohet në pronën e bashkëshortes si pronare trualli ku përfiton 35% të sipërfaqes së ndërtimit

Ministrat e LSI, më të varfër

Dy ministrat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili dhe Edmond Haxhinasto, deklarojnë vetëm rrogat e tyre dhe asnjë pasuri tjetër. Vasili deklaron pagën e tij si ministër i Shëndetësisë, 1659864 lekë, por dhe 103820 lekë si kryetar i Bordit Drejtues të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore. Edhe ministri i Jashtëm njëkohësisht dhe zv.kryeministër, Edmond Haxhinasto, deklaron të ardhura vetëm nga paga e tij si ministër, ndërsa vëren se ka në depozitë bankare një shtesë prej 500 mijë lekësh. Ish-nënkryetari i Kuvendit, aktualisht ministër i Ekonomisë, Nasip Naço, duket se është me të ardhura më të mira se kolegët e tij të LSI-së, falë profesionit të tij si prokuror. Naço deklaron dy depozita bankare në shumën e 1200000 lekëve, vijnë nga kursimi i pagës së tij dhe të bashkëshortes. Naço ka përfituar 2841400 lekë nga paga dhe shpërblimet si deputet e nënkryetar i Kuvendit, ndërsa bashkëshortja e tij, 500000 lekë të ardhura nga paga dhe shpërblimet si specialiste në Drejtorinë Rajonale të Punësimit Tiranë. Gjithashtu, ai deklaron se ka një shtesë prej 500 mijë lekësh nga kursimet që kanë bërë si çift nga pagat dhe shpërblimet. Ndërkohë që ministri i Ekonomisë Naço vazhdon të paguajë këstin e kredisë për një banesë të blerë në vitin 1999.

Bashkëshorti i Bregut, 50 mijë euro në vit

Ministrja e Integrimit mund të ketë rrogë të mirë, por bashkëshorti i saj, regjisori i njohur i televizionit, Namik Ajazi, përfiton nga puna e tij plot 50 mijë euro në vit. Çifti Ajazi-Bregu vazhdon të paguajë këstet e overdraftit që kanë marrë nga banka Intesa San Paolo për shtëpinë e tyre të bollshme prej 200m2 plus verandë, ndërsa të ardhurat e zonjës Bregu janë vetëm ato të pagës së ministres, 1385133 lekë të reja në vit. Gjithashtu, bashkëshorti i zonjës Bregu ka të ardhura në masën prej 27 mijë eurosh në vit nga qiraja që merr nga sipërfaqja prej 140m2, të cilën ia ka dhënë bankës Intesa. Por çifti ka menduar dhe për një shtëpi në bregdet. Ata deklarojnë se kanë paguar një pjesë të shtëpisë prej druri që do të vendosin në Ishull-Lezhë me sipërfaqe prej 50 m2, ndërsa vlera e plotë e saj është 2.5 milionë lekë të rinj. Gjithashtu bashkëshorti i ministres së Integrimit deklaron se llogaria rrjedhëse e tij është shtruar me interesat që ka përfituar nga depozita, në masën 245 dollarë amerikanë. Gjithashtu sipas deklaratës së tij, depozita në euro është zvogëluar me 6 mijë euro, në lekë është zvogëluar me 1331773 ndërsa depozita në dollarë është shtuar me 1694 dollarë.

Olldashi paguan këstet e shtëpisë

Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, vazhdon të paguajë këstin e shtëpisë, e cila mbetet në këstet e fundit. Çiftit i mbeten edhe 82150 lekë për të shlyer kredinë e shtëpisë. Ndërkohë, të ardhurat e vetme të familjes Olldashi janë pagat. Sokol Olldashi përfiton 1771980 lekë dhe 1260 euro paga, gjithashtu dieta si ministër i Transportit. Ndërsa bashkëshortja e tij, Enkeleda, ka përfituar 1.161.108 lekë paga si pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, por dhe 14040 euro, pagë vjetore si pedagoge e jashtme në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë. Çifti ka mundur të përfitojë dhe 60750 lekë të ardhura nga interesa bankare në emër të bashkëshortes dhe 22200 të ardhura nga botimet e saj.

Ministrat deklarojnë të ardhura vetëm nga pagat

Genc Ruli

-1585535 lekë pagë si ministër i Bujqësisë
-32400 lekë pagesë nga Fakulteti i Ekonomisë
-22500 lekë pagesë nga Bordi MADA
-1506972 lekë nga paga e bashkëshortes si Drejtoreshë e degës Tiranë pranë kompanisë Interalban sh.a.
-144000 shpërblime dhe dieta
-12768 euro paguar për kredinë me vlerë 150000 euro për shtëpi. Mbetur për t’u paguar edhe 161479 euro
-358800 lekë interesa nga bono thesari për shumën e 5 milionë lekëve
-3462 dollarë interesa 1-vjeçare të përfituara nga shuma prej 157723 dollarësh
-100.000 dollarë të tërhequra nga depozita 1-vjeçare në Intesa San Paolo
-780 dollarë interesa të marra nga depozita 10-vjeçare për shkollimin e vajzës në shumën 35450 dollarë
-20 mijë euro investuar në aksione
-270400 lekë interesa nga bono thesari të shumës prej 4200000 lekë
-18263 lekë interesa nga bono thesari të shumës prej 270400 lekësh
-193834 lekë llogari rrjedhëse në Raiffeisen Bank
-569911 lekë llogari rrjedhëse e bashkëshortes
-2427 euro interesa nga shuma prej 56830 euro të depozituar me afat 1-vjeçar
-540030 lekë interesa nga bono thesari të shumës prej 7650000 lekë
-25 mijë euro nga shitja e automjetit personal Range Rover

Myqerem Tafaj

-2469352 lekë të ardhura nga paga dhe honorare si ministër i Arsimit
-523634 lekë të ardhura të bashkëshortes si drejtore kopshti Tiranë
-4458310 lekë të tërhequra nga llogaria personale e M. Tafajt
-439510 lekë të tërhequra nga llogaria e bashkëshortes
-2575 euro të tërhequra nga llogaria në Landesbank Bodenwuttenberg Stuttgart, Gjermani
-400000 lekë fituar nga shitja e autoveturës
-6800000 lekë blerje trualli për shtëpi banimi tek Kodra e Priftit
-750000 lekë ndërtime themelesh për shtëpinë në Kodra e Priftit
-2700 euro tërhequr nga bashkëshortja në ING DIBA
-10400 euro tërhequr nga bashkëshortja nga Kreissparkasse Bobligengen
-2000 euro janë tërhequr për blerje autoveture nga bashkëshortja
-12000 euro tërhequr nga llogaria në Bausparvertrag Debeka
95 mijë euro për blerje shtëpie në Gjermani me sip 48 m2, nga të cilat 80 mijë euro, marrë kredi nga banka Kreissparkasse Bobligengen me interes 3.25%
45300 euro të ardhura të bashkëshortes si kërkuese shkencore në Universitetin Tubingen Gjermani

Deklarata e pasurisë së familjes së Presidentit

PASURIA E FAMILJES SË PRESIDENTIT

BAMIR TOPI
– Kontratë porosie për ndërtimin e një banese me dy kate dhe një kat nën tokë me
sipërfaqe ndërtimi në çdo kat 288 m2, për ta ndërtuar për 4 vjet dhe pjesa e ndërtuar
gjatë vitit 2010 është në shumën 4.750.644 lekë, e ndërtuar mbi truallin e deklaruar
më parë me sip. 1070 m2 në Shkozë. Burimi: pakësim i depozitave dhe llogarive
bankare të deklaruara më parë dhe të ardhurave të përfituara në vitin 2010.
– Pakësim në llogarinë në Credins Bank – 791.166 lekë
– Pakësim në llogarinë në Raiffeisen Bank – 793.097 lekë
– Të ardhura nga paga dhe shpërblime si President 2.532.600 lekë
– Të ardhura nga paga dhe shpërblime bashkëshortja në Ministrinë e Bujqësisë
914.948 lekë
– Të ardhura nga paga dhe shpërblime, vajza, Nada Topi, në Bankën e Shqipërisë
1.354.457 lekë
– Shlyerje kredie për shtëpi banimi nga Enti i Banesave 57.600 lekë
TEUTA TOPI
– Pakësim në llogarinë bankare në BKT – 114.032 lekë
– Pakësim depozite në BKT – 9.378 USD e cila u xhirua për shlyerje situacionesh për
ndërtim objekti për firmën BEFITA sh.p.k.
NADA TOPI
– Shtesë në llogarinë në Credins Bank + 6.928 lekë
– Shitje autoveture tip “Peugeot” PNCFA 107 7000 euro
– Autoveturë tip “Volkswagen” tipi 4N Tiguan. Burimi: me kontratë dhurimi nga i
fejuari
– Gjendje cash në shumën 7000 euro me burim nga shitja e makinës.

ILDK, apel politikës dhe shoqërisë

“Denonconi fshehjen e pasurisë nëse keni fakte”

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive u ka bërë apel dje qytetarëve dhe klasës politike të denoncojnë korrupsionin me fakte konkrete. Në një njoftim për shtyp të këtij institucioni, ditën që janë bërë publike pasuritë e zyrtarëve të lartë thuhet se “Inspektorati i Lartë nxit të gjithë opinionin publik që, pasi të njihet me vetëdeklarimet e zyrtarëve, të ofrojë informacione kur kanë të dhëna se interesat privatë të zyrtarëve mund të jenë më shumë sesa ato që kanë pasqyruar në formularin e deklarimit të pasurisë. ILDKP fton të gjithë faktorët e jetës sociale dhe politike shqiptare që të tejkalojë fazën e komentimeve të thjeshta mbi të dhënat e pasurive dhe të jenë aktivë në denoncimin e korrupsionit me fakte konkrete”. Sipas Inspektoratit “ILDKP, në kuadër të transparencës institucionale, plotësoi sot kërkesat e medias për publikimin e deklaratës së interesave private të disa zyrtarëve të lartë. Krahas detyrimit ligjor, ILDKP e vlerëson këtë moment shumë të rëndësishëm, pasi dëshmon për nivelin e lartë të bashkëpunimit të institucionit me median dhe shoqërinë civile”.

 

ARISTIR LUMEZI, ADI SHKEMBI

 

© Panorama.al

Te lidhura