Reforma Zgjedhore, zbardhet pakti: PD merr kreun e KQZ, PS fiton hapjen e kutive

Jul 12, 2012 | 12:19
Komisioni i Reformës Zgjedhore

PD e PS arrijnë marrëveshjen për reformën zgjedhore, kreu i KQZ zgjidhet nga 4 kandidatë të PD. Kutitë do hapen pa votim.

Konkurs nga Komisioni i Ligjeve, votohet me 71 vota.

Partia Demokratike pritet ta drejtojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve edhe në zgjedhjet e vitit 2013. Komisioni i Reformës Zgjedhore përfundoi dje paketën e amendamenteve të Kodit Zgjedhor, ku pika më e rëndësishme që i mbante larg palët nga njëra-tjetra ishte ajo e përbërjes së institucionit që do të organizojë zgjedhjet. Komunikimet e vazhdueshme të ekspertëve të të dyja palëve deri në orën 02:00 të ditës së mërkurë kanë dhënë frytet e tyre, gjë që bëri që mbledhja e djeshme të ishte vetëm një formalitet sa i takon miratimit të amendamenteve.
Kryetari i KQZ
Ekspertët kanë parashikuar dy variante për zgjedhjen e kryetarit të KQZ-së. Çdo qytetar mbi 35 vjeç dhe që ka të paktën 10 vjet përvojë pune në fushën e drejtësisë, administratën publike dhe administrimin e zgjedhjeve, mund të depozitojë në Komisionin e Ligjeve kërkesën për të kandiduar për kryetar. Në fillim të shtatorit pritet që Ligjet të hapin procedurat e shqyrtimit të kandidaturave. Varianti i parë është që Komisioni i Ligjeve me 25 anëtarë të zgjedhë në mënyrë konsensuale (të paktën 17 anëtarë) dy kandidatë, të cilët i dërgohen seancës ku do të votohet njëri prej tyre. Varianti i dytë është ai sipas të cilit, secili nga deputetët e Komisionit përzgjedh katër emra. Nëse shumicën e cilësuar (17 vota) nuk e kanë marrë të paktën dy kandidatë, Komisioni përzgjedh katër emrat që kanë marrë numrin më të madh të votave. Sipas të gjitha gjasave, katër emrat që do të zgjedhë PD-ja do të kenë 13 vota, ndërsa katër emrat që do të zgjedhë PS-ja do të kenë 12 vota, aq sa është numri i deputetëve të dy partive në Parlament. “Nëse shumicën e cilësuar sipas germës ‘a’ nuk e gëzojnë së paku dy kandidatë, Komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të Komisionit pas zbatimit të germës ‘a’”, thuhet në germën “b” të nenit 15 të Kodit Zgjedhor. Kjo dispozitë bën që në Komision të ngelen përfundimisht katër emrat e zgjedhur nga PD-ja, nga të cilët PS-ja do të heqë dy prej tyre. Në fund, kryetari i ri i KQZ-së zgjidhet me 71 vota. Në nenin 13 të Kodit thuhet se anëtarët e KQZ-së do të kenë një mandat 6-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje, ndërsa kryetari do ta ketë mandatin 4 vjet me të drejtë rizgjedhjeje.

Emërimet Në KZAZ
Anëtarët e KZAZ-ve që do të emërohen nga KQZ në rastet kur partitë nuk i çojnë komisionerët, do të qëndrojnë në detyrë deri në momentin që forcat politike do të bëjnë propozimet. “Anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike sipas këtij neni. Zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve.  Në rastin e zgjedhjeve të parakohshme, zëvendësimi kryhet jo më vonë 5 ditë përpara zgjedhjeve. Procedurat për seleksionimin dhe trajnimin e personave që mund të emërohen kryesisht përcaktohen nga KQZ me udhëzim të veçantë”, thuhet në Kod.

Ripërtëritja e KQZ-së së re
“Me qëllim përtëritjen pjesore të KQZ-së, dy nga anëtarët e zgjedhur sipas pikës 1 të nenit 14 dhe nenit 181 të këtij Kodi e ushtrojnë mandatin e parë për 3 vjet me të drejtë rizgjedhjeje. Një anëtar, të cilit i ndërpritet mandati përpara kohe, përcaktohet me short mes tre anëtarëve të propozuar nga shumica parlamentare dhe anëtari tjetër mes  tre anëtarëve të propozuar nga opozita parlamentare, sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. KQZ zhvillon hedhjen e shortit në seancë publike jo më vonë se 10 ditë nga mbledhja e parë”, thuhet në Kodin e ndryshuar.

Kodi Zgjedhor
Neni 13

Mandati dhe koha e punës e anëtarëve të KQZ-së
1. Anëtari i KQZ-së ka mandat 6-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje. Kryetari i KQZ-zë ka mandat 4-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Neni 15
Zgjedhja e kryetarit të KQZ-së
1. Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi.
2. Jo më vonë se 30 ditë nga afati i përcaktuar në nenin 19 të Kodit, Kuvendi Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të kryetarit të KQZ-së. Çdo shtetas që plotëson kushtet e nenit 12 të këtij Kodi mund të paraqitet si kandidat për kryetar të KQZ-së. Kërkesa paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtar të KQZ-së.
3. Lista e kandidatëve i kalon komisionit të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore, për të verifikuar përmbushjen e kritereve. Në këtë listë nuk mund të përfshihen, ose nëse janë përfshirë përjashtohen, kandidatët e propozuar sipas shkronjës “a” të pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. Komisioni i shqyrton kandidaturat në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Pas verifikimit të kritereve zbatohet procedura si më poshtë:
a) Komisioni përzgjedh për t’iu paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të Komisionit, por jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Kur shumicën e cilësuar e gëzojnë më shumë se dy kandidatë, në votim paraqiten dy kandidatet që gëzojnë mbështetjen më të madhe. Çdo anëtar i Komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë;
b) nëse shumicën e cilësuar sipas germës “a” nuk e gëzojnë së paku dy kandidatë, Komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të Komisionit pas zbatimit të germës “a”;
c) kur gjatë zbatimit të germave “a” dhe “b” dy apo më shumë kandidatë gëzojnë të njëjtën mbështetje, përzgjedhja e tyre bëhet me short;
ç) përfaqësuesit e pakicës parlamentare në Komision përjashtojnë dy nga kandidatët e përzgjedhur sipas germës “b”. Kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim;
d) Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

PS fiton hapjen e kutive të materialeve zgjedhore

Socialistët kanë garantuar me përcaktim ligjor transparencën
“Pranohet pa votim dhe debat kërkesa e dy anëtarëve të KQZ”
Kodi i ri Zgjedhor duket se zgjidh përfundimisht debatin e vitit 2009 për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore me kërkesë të dy anë-tarëve të KQZ-së.
Për socialistët, një përcaktim i tillë i shkruar në nenin 136 të këtij Kodi, e detyron KQZ-në që sa herë dy anëtarë të saj kërkojnë provat që gjenden brenda kutive të materialeve zgjedhore, ta pranojë menjëherë këtë kërkesë pa debat dhe pa e hedhur në votim. Tashmë, në Kodin e ri, palët e kanë të sanksionuar këtë çështje, ndryshe nga Kodi aktual, kur KQZ u përfshi në debate lidhur me “votat e cilësuara” dhe “votat e kontestuara”. Shumica në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve hodhi poshtë kërkesën e dy anëtarëve të saj për hapjen e kutive, duke bërë interpretimin se çfarë do të quhet votë e cilësuar dhe votë e kontestuar, duke mos e pranuar asnjëherë kërkesën e tyre. “Kërkesa për marrjen e provave sipas germës ‘c’ të pikës 1 të këtij neni, kur mbështetet nga dy anëtarë të KQZ-së dhe kur këto prova administrohen vetëm nga KQZ, pranohet menjëherë pa iu nënshtruar debatit apo votimit në KQZ. KQZ është e detyruar të procedojë menjëherë me marrjen dhe shqyrtimin e provave të kërkuara”, thuhen në pikën 3 të nenit 136 të Kodit të ri Zgjedhor. Kjo pikë e nenit në Kodin Zgjedhor i mbajti palët për muaj larg miratimit të ligjit të ri zgjedhor, pasi Partia Socialiste, në opozitë, kërkonte një element garancie që do t’i kënaqte kërkesat e saj sa herë që do të kishte dyshime për parregullsi në materialet zgjedhore. Por, rregullimi që i është bërë këtij neni, në frymën e ligjit, nuk e bën absolute kërkesën e dy anëtarëve të KQZ, pasi në të përcaktohet se kur KQZ do të pranojë kërkesën e dy anëtarëve të saj. Kutitë e materialeve zgjedhore do të hapen për “provat që administron KQZ dhe që nuk i kanë partitë”. Në kutitë e materialeve zgjedhore, anëtarët e KQZ-së mund të verifikojnë në cilësinë e provës listën e zgjedhësve, ku janë hedhur firmat e zgjedhësve dhe janë shënuar numrat e kartave të identitetit, fletët e papërdorshme, libri i protokollit të komisionit të qendrës së votimit e ku anëtarët bëjnë vërejtjet e tyre për çdo moment të procesit zgjedhor në atë qendër votimi.
Por Kodi i ri i sapomiratuar nga Komisioni i posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ka përcaktuar dhe hapësira më të mëdha ankimimi në KQZ nga subjektet politike sa herë dalin fakte dhe prova të reja. “Kur gjatë hetimit administrativ kanë dalë fakte apo prova të reja për të cilat ankuesi nuk mund të kishte dijeni përpara se të  paraqitej ankimi, objekti i ankimit mund të shtohet apo ndryshohet përpara se KQZ t’i japë fund hetimit administrativ sipas pikës 2 të këtij neni. Kërkesa mund të përfshijë ndryshimin e tabelës së rezultatit ose pavlefshmërinë e zgjedhjeve në QV të caktuara. KQZ është e detyruar të marrë në shqyrtim pretendimin e ri dhe të riçelë hetimin administrativ”, thuhet në nenin 141 të këtij Kodi.

Kodi: Asgjësimi i materialeve, pas 6 muajsh
Kodi i ri Zgjedhor ka bërë një riformulim edhe të nenit që përcakton se kur duhet të depozitohet në arkivat e shtetit materiali zgjedhor dhe kur asgjësohen fletët e votimit. “Gjashtë muaj pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit, dokumentacionin që ndodhet në kutitë e materialeve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit asgjësohen sipas mënyrës së përcaktuar nga KQZ-së”, thuhet në Kodin e ri Zgjedhor.

Korrektimi i sistemit zgjedhor
Miratimi i Reformës Zgjedhore në Komisionin e posaçëm, nuk solli një rezultat pozitiv sa i takon korrektimit të sistemit zgjedhor të kërkuar nga 24 parti parlamentare dhe joparlamentare, të firmosur dhe nga kreu i PD-së, Sali Berisha dhe kreu i PS, Edi Rama. Në një marrëveshje të minutës së fundit, palët arritën konsensus për çështjet e nxehta si KQZ, transparenca e kutive dhe përdorimi elektronikës në zgjedhje.

Neni 136
Paraqitja e pretendimeve dhe kërkimi i provave

Si ishte formulimi
3. Me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën. Kërkesa mund të paraqitet me shkrim ose verbalisht në seancën publike të shqyrtimit të ankimit.

Si bëhet
3. Kërkesa për marrjen e provave sipas germës “c” të pikës 1 të këtij neni kur mbështetet nga dy anëtarë të KQZ-së dhe kur këto prova administrohen vetëm nga KQZ, pranohet menjëherë pa iu nënshtruar debatit apo votimit në KQZ. KQZ është e detyruar të procedojë menjëherë me marrjen dhe shqyrtimin e provave të kërkuara.

Përkufizimi: Provë është mjeti ligjor që shërben për të provuar ekzistencën ose mosekzistencën e faktit të pretenduar në shqyrtimin administrativ ose gjyqësor dhe që merret në përputhje me këtë Kod.

Teknologjia në zgjedhje do aplikohet në dy qarqe
Verifikim elektronik kartave në Tiranë, numërim elektronik në Fier
Me gjithë rekomandimin e OSBE/ODIHR-it që teknologjia në procesin e votimit të aplikohet në një hapësirë të vogël jo më shumë se 10 për qind, maxhoranca ka bërë një tjetër lëshim dhe ka pranuar shtrirjen e saj në një territor më të gjerë. Në pikën 1 të nenit 179/2 thuhet se jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e Kodit Zgjedhor, pasi ta ketë dekretuar kreu i shtetit, KQZ duhet të fillojë përgatitjen për ngritjen e sistemit elektronik të verifikimit të kartave të zgjedhësve (SEV) dhe sistemin elektronik të numërimit të votave (SEN). Në ngritjen e sistemit të verifikimit të kartave do të jenë prezentë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme. “Këshilli i Ministrave jep mbështetjen e nevojshme, përfshirë edhe atë financiare, për shërbimin e konsulencës që nevojitet për hartimin e kushteve të projektit për SEV dhe SEN”, thuhet në ndryshimet e Kodit. Ekspertët kanë përcaktuar gjithashtu që pajisja e identifikimit të kartave të identitetit të përdoret si projekt pilot gjatë procesit të votimit në qarkun e Tiranës, i cili ka edhe numrin më të madh të votuesve dhe nxjerr 32 deputetë. Ndërsa numërimi elektronik do të aplikohet për herë të parë në Fier, qarku i dytë më i madh në vend, me 16 deputetë. “KQZ përcakton planin e veprimit për përmbushjen e projektit të SEN në të gjithë qarkun e Fierit sipas përcaktimit të KQZ, për zgjedhjet për Kuvend të vitit 2013. KQZ përcakton planin e veprimit për përmbushjen e projektit të SEV në të gjithë qarkun e Tiranës për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013. Me qëllim zbatimin e sistemit SEV, qendrat e votimit nuk mund të kenë më shumë se 700 zgjedhës. Kur në një zonë të QV ka më shumë se 700 zgjedhës, zbatohen të njëjtat kritere për ndarjen e tyre sipas pikës 6 të nenit 62 të Kodit”, thuhet në Kod.

Kodi: Anëtarët e KQZ, pagë deri më 31 dhjetor
Në një dispozitë të veçantë, Komisioni i Reformës Zgjedhore ka përcaktuar se cili do të jetë fati i anëtarëve aktualë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pasi të hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. “Anëtarët e KQZ-së që iu ndërpritet mandati para kohe për shkak të ndryshimeve në këtë Kod, qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj të zgjedhur sipas këtij Kodi”, thuhet në pikën 1 të dispozitave kalimtare. Kodi parashikon që të gjithë anëtarët që janë sot në detyrë, mund të rizgjidhen në postin që mbajnë. “Anëtari i KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati për shkak të nenit 181, e përfiton pagën e funksionit deri më 31 dhjetor 2012. Anëtari i KQZ-së, të cilit i ndërpritet mandati, kthehet në funksionin publik të mëparshëm, ose emërohet në një funksion ekuivalent me të”, thuhet më tej në Kod.

Reforma Zgjedhore, BE përshëndet konsensusin PD-PS

Sanino: Do presim arritjen e konfirmimit përfundimtar

Stefano Sanino

Përfaqësuesit e BE-së përshëndetën dje arritjen e marrëveshjes mes PD-së dhe PS-së për reformën zgjedhore. Lajmi i arritjes së marrëveshjes së reformës elektorale ka qenë në qendër të vëmendjes të të gjithë përfaqësuesve të institucioneve më të rëndësishme të BE-së që kanë qenë prezentë në takim. “Lajmi që po dëgjojmë nga ministrja Bregu dhe nga zoti Beja janë sinjale pozitive që mund të na japin sensin e sigurisë sërish. Do të presim me shumë vëmendje arritjen e konfirmimit përfundimtar lidhur me reformën zgjedhore”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Europian, Stefano Sanino. “Po bëhen përpjekje të shumta për përmbushjen e rekomandimeve para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm. Ne po dëgjojmë një progres shumë të rëndësishëm për reformën elektorale. Ky është vërtet një lajm pozitiv. Është e një rëndësie shumë të madhe dhe Këshilli i Ministrave ka insistuar në këtë pikë më shumë se një herë në konkluzionet e saj. U është përkushtuar një vëmendje politike rekomandimeve të tjera në opinionin e Komisionit të vitit 2010 dhe ne do t’i shohim me vëmendje përmbushjen e tyre”, vlerësoi shefi i EEAS, Johan Johanson. Sipas eurodeputetit Eduard Kukan, BE-ja do t’i bashkëngjitet festimit të 100-vjetorit të pavarësisë, por për këtë nevojiten vetëm 3 fjalë nga pala shqiptare. “Neve na nevojitet një mesazh shumë telegrafik nga ju për ftesën: 12 rekomandimet u përmbushën”, vuri në dukje Kukan.

ARISTIR LUMEZI & ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura