Zbardhet e plotë padia e tretë e depozituar në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Socialiste. Kërkesë-padia e firmosur nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkon gjykimin në themel të çështjes duke rrëzuar të gjitha vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që lidhen me Bashkinë e Tiranës. Grupi i juristëve pranë Partisë Socialiste argumenton se kërkesa e tyre bazohet në nenin 42 të Kushtetutës, si dhe në 15 nene të Kodit Zgjedhor. Partia Socialiste, përmes kësaj kërkese, kërkon rrëzimin si të pavlefshëm të Vendimit Nr. 37, datë 16.05.2011 të KQZ-së, kur vendosi të mos miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pas numërimit të votave në KZAZ-në Nr. 49. Gjithashtu, në kërkesë-padinë e Partisë Socialiste kërkohet pavlefshmëria e vendimeve nr. 710 dhe 711, datë 23.05.2011, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilave u shpall rezultati përfundimtar i Bashkisë së Tiranës pas numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara. Këto dy vendime, juristët e Partisë Socialiste i cilësojnë në kundërshtim me ligjin, pasi rezultati i shpallur prej tyre ka ndryshuar të gjitha tabelat e KZAZ-vë të depozituara në KQZ. Gjithashtu, në kërkesë padinë e tyre, socialistët sjellin në vëmendje dhe faktin e mosrakordimit të fletëve të votimit me numrin e votuesve. “KQZ, nga hetimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit për kryetar Bashkie në 117 kutitë ku ka ndërhyrë, ka vlerësuar 357 fletë votimi më shumë se vullnete të shprehura. Nga tabela përfundimtare nuk përputhet asnjë komponent i mësipërm që do te thotë se tabela përfundimtare e rezultatit është një tabelë alogjike në lidhje me shifrat dhe nuk mbështetet mbi të dhëna reale”. PAVLEFSHMËRIA Socialistët argumentojnë përmes shtatë pikave parregullsinë ligjore të të gjithë procesit të ndjekur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “I gjithë procesi administrativ, që fillon me mosmiratimin e vendimit nga KZAZ-ja Nr. 49 për plotësimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit dhe që vijon; me mosnxjerrjen nga KQZ-ja të rezultatit të votimit të nxjerra nga çdo KZAZ për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë; me moskorrigjimin e gabimeve të mundshme materiale nga KQZ-ja; me ndryshimin në thelb të tabelave të rezultateve dhe vendimmarrjen e vendimeve nr. 710 dhe 711, datë 23.05.2011 etj; në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor e të Kodit të Procedurave Administrative, është në tërësinë e tij një proces i parregullt ligjor”, thuhet në kërkesë-padinë e Partisë Socialiste. Duke radhitur të gjitha shkeljet ligjore që ka ushtruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, juristët e Partisë Socialiste shprehen se për të gjitha këto parregullsi dhe shkelje, çështja duhet gjykuar në themel. “KQZ-ja, me veprimet e kryera, ka cenuar një tërësi të standardeve kushtetuese, që lidhen me parimin e sipërpërmendur, si dhe me parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë së votës, parimin e fshehtësisë së votës, lirinë e votuesve për të shprehur lirisht vullnetin e tyre etj. KQZ-ja, gjatë të gjithë procesit administrativ, ka cenuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor, që lidhet me parimet e sipërcituara dhe veçanërisht me kompetencën, juridiksionin dhe paanshmërinë e organit, marrjen e atributeve të organeve të tjera, procedurën ekstraligjore të ndjekur, mosarsyetimin e vendimeve nga organi kompetent, thelbin e së drejtës së ankimit etj. Për këto shkaqe, si dhe për shpjegime e fakte të tjera që do të mund të paraqesim në seancën gjyqësore, kërkojmë: Gjykimin e çështjes në themel”, thuhet në kërkesë-padinë e Partisë Socialiste
ÇËSHTJET E ANKIMUARA NË PADINË E PS
Partia Socialiste kërkon gjykimin e çështjes në themel nga Kolegji Zgjedhor I gjithë procesi administrativ që fillon: – me mosmiratimin e vendimit nga KZAZ-ja Nr. 49 për plotësimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit dhe që vijon; – me mosnxjerrjen nga KQZ-ja të rezultatit të votimit, të nxjerra nga çdo KZAZ për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë; – me moskorrigjimin e gabimeve të mundshme materiale nga KQZ-ja; – me ndryshimin në thelb të tabelave të rezultateve dhe vendimmarrjen e vendimeve nr. 710 dhe nr. 711, datë 23.05.2011 etj; në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor e të Kodit të Procedurave Administrative, është në tërësinë e tij një proces i parregullt ligjor KQZ-ja, me veprimet e kryera, ka cenuar një tërësi të standardeve kushtetuese që lidhen me parimin e sipërpërmendur, si dhe me parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë së votës, parimin e fshehtësisë së votës, lirinë e votuesve për të shprehur lirisht vullnetin e tyre etj. KQZ-ja, gjatë të gjithë procesit administrativ, ka cenuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor që lidhet me parimet e sipërcituara dhe veçanërisht me kompetencën, juridiksionin dhe paanshmërinë e organit, marrjen e atributeve të organeve të tjera, procedurën ekstraligjore të ndjekur, mosarsyetimin e vendimeve nga organi kompetent, thelbin e së drejtës së ankimit etj. Procesi ligjor ka filluar të deformohet që nga ky moment i mosmiratimit të tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë të KZAZ-së Nr. 49 dhe shkeljet e kanë shoqëruar të gjithë procesin deri në përfundimin e tij nga KQZ-ja. Mosmiratimi i këtij veprimi nga KZAZ-ja, ndërkohë që janë hedhur të gjitha tabelat me rezultatet e procesit të numërimit sipas atyre të hartuara nga GNV, është shkelja e parë e rëndë e ligjit. Me Vendimin Nr. 711, datë 23.05.2011, KQZ ka shpallur një rezultat për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, por duke u ndryshuar të gjitha vendimet e marra nga KZAZ-të, ndryshim që është bërë pa asnjë lloj vendimi sipas parashikimeve të neneve 35, 122 e 123 të Kodit Zgjedhor. Rrethanë për të cilën Vendimi Nr. 711, datë 23.05.2011 i KQZ-së rezulton të jenë haptazi në kundërshtim me ligjin. Rezulton se Vendimi Nr. 711, datë 23.05.2011, është në kundërshtim edhe me Vendimin Nr. 650, datë 16.05.2011 të KQZ-së që ka përcaktuar procedurat e nxjerrjes së TPR për zonën zgjedhore. Me procedurat e ndjekura rezulton se KQZ-ja nuk ka zbatuar as vendimet që vetë i ka miratuar. Vendimet Nr. 710 dhe 711 janë në kundërshtim me ligjin edhe për faktin se në të dyja rastet KQZ ka realizuar një procedurë ndryshimi të tabelave të rezultateve të QV-ve model 56 – 11 me një vendimmarrje krejtësisht në kundërshtim flagrant me ligjin. Sipas konceptit të dhënë nga neni 117 i Kodit Zgjedhor për kriteret e vlerësimit, na rezulton se fletët e votimit të ndryshme nga ato të kutisë në formë, madhësi dhe ngjyrë, janë të pavlefshme. Nuk ka asnjë argumentim tjetër që ta bëjë atë fletë të vlefshme nisur nga përcaktimet e Kodit Zgjedhor. Kontestimi që mund të bëhet është i pavlerë dhe s’ka asnjë rëndësi për këtë rast, pasi vetë ligji i ka cilësuar qartë të pavlefshme këto fletë të ndryshme nga ato të miratuara për të qenë në atë kuti votimi. Me vendimet nr. 710 dhe 711, KQZ ka treguar edhe një aspekt tjetër të paligjshmërisë së veprimeve të veta. KQZ, nga hetimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit për kryetar Bashkie në 117 kutitë ku ka ndërhyrë, ka vlerësuar 357 fletë votimi më shumë se vullnete të shprehura
357 FLETËT
e votimit të gjetura mbi numrin e votuesve në 117 kutitë që KQZ hapi për të vlerësuar fletët e votimit të hedhura gabim, është një nga çështjet e animuara në padinë e Partisë Socialiste.
3 VENDIME
të KQZ-së të marra pas numërimit të votave në kutinë e fundit të Njësisë Nr. 5 ankimohen nga Partia Socialiste. Bëhet fjalë për vendimet nr. 37 dhe dy vendimet e tjera, 710 dhe 711 të KQZ-së
Gjiknuri: KQZ ka shkelur Kodin, por dhe Kushtetutën
Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, tha dje se shkeljet e KQZ-së prekin dhe karakterin kushtetues. “Pretendimet kryesore të këtij ankimimi kanë të bëjnë me disa elemente. Jemi në pozitë të vështirë, sepse Kolegji ende nuk e ka
zbardhur vendimin e tij. Gjithsesi, kemi insistuar në disa elemente të procedurës përsa i përket nenit 123 të nxjerrjes
së tabelës, kemi argumentuar shkeljet e karakterit, madje edhe kushtetues që ka kryer KQZ-ja, duke mos respektuar
një proces të rregullt ligjor, duke shkelur rëndë parimet e automonisë së vendimmarrjes së komisioneve të të gjitha
niveleve”, tha Gjiknuri. Gjithashtu, sipas tij, Partia Socialiste ankimohet edhe përse votat e hedhura në kutitë e
gabuara u numëruan në KQZ duke iu shtuar rezultatit final pas numërimit të kutisë së fundit, ku kandidati Edi
Rama ishte në avantazh me 10 vota.
GJYQTARI: PSE U RRËZUA KËRKESA E PS
Tri ditë pas rrëzimit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste, Tom Ndreca, relatori i çështjes, shpjegon arsyet që i çuan gjyqtarët të votonin 5-0 në favor të vendimit të KQZ-së. “Situata zgjedhore pëson ndryshime dhe lindin fenomene që kërkojnë zgjidhje. Kolegji Zgjedhor bëri një zgjidhje profesionale dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë kur rrëzoi kërkesën ankimore të PS. Kjo pasi Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ-së nuk kishte të bënte me të gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës dhe, si i tillë, nuk krijonte një normë për
gjithë vendin”, tha Ndreca.











