Zbardhet mashtrimi me punën në Kazakistan, tre në hetim

Feb 23, 2012 | 13:32

DURRES/ Çonin punëtorë me kontrata false, përfitonin mijëra dollarë.

Zbardhet skema e mashtrimit në fushën e punësimit jashtë vendit, hetohen në gjendje të lirë bashkëshortët dhe bashkëpunëtori i tyre. Prokuroria e Durrësit dhe sektori kundër krimit financiar ka hedhur dritë mbi mënyrën e mashtrimit në fushën e punësimit në Kazakistan, ku administratorë të kompanisë private përfitonin nga persona të interesuar për të plotësuar kontrata pune të falsifikuara. Sipas Policisë, bashkëshortët Ymer dhe Merita Nurka, 47 dhe 34 vjeç, administratorë të një kompanie punësimi në Durrës, si dhe 43-vjeçari Jaho Spaho, banues në Gramsh, që luante rolin e inxhinierit të një firme në Kazakistan, po hetohen në gjendje të lirë, pasi kundër tyre janë depozituar 18 kallëzime penale për mashtrim nga shtetas të punësuar në Kazakistan. Administratorë të kompanisë nëpërmjet mashtrimit arrinin të përfitonin dhjetëra-mijëra dollarë vetëm me dëshmi aftësie punësimi të falsifikuar dhe pa kryer asnjë procedurë tjetër, ndërkohë që për të tjerat kujdesej Spaho, i cili ishte i lidhur me një firmë ndërtimi në Kazakistanin e largët. Burime pranë sektorit kundër krimit financiar thanë se hetimet për mashtrimin e personave të ndryshëm në fushën e punësimit kanë ecur në dy drejtime paralele: fillimisht është kryer një punë voluminoze në marrjen e dëshmive të 18 personave, të cilët janë mashtruar duke iu premtuar punësim për më shumë se 24 muaj në Kazakistan dhe, nga ana tjetër, kanë kryer verifikime për skemën e mashtrimit që kishte kryer kompania private, duke arritur t’u merrte personave të ndryshëm mijëra dollarë. Aktualisht Policia e Durrësit ka nisur hetimin për tre shtetas, përkatësisht për Ymer Nurkën, ish-drejtor i Zyrës së Punës në Durrës, aktualisht pronar i një kompanie private punësimi, bashkëshortes së tij, Merita, si dhe 43-vjeçarit nga Gramshi. Sipas Policisë, administratorët fillimisht u merrnin personave shumën prej 25 mijë lekësh për dëshminë e aftësisë profesionale të falsifikuar, më pas ata i dërgonin për në Kazakistan, duke i punësuar vetëm për 2 muajt e parë, punë për të cilën paguheshin mbi 2500 dollarë. Shumën monetare të dy muajve të parë të punës personat ia kalonin administratorëve sipas marrëveshjes, ndërsa pas kësaj ata braktiseshin pa një vend pune apo edhe një vendqëndrimi, duke u detyruar të ktheheshin në Shqipëri me shpenzimet e tyre.

Luftëtar Rama tregon peripecitë pas mashtrimit

Luftëtar Rama

“Më thanë se do merrja 2 mijë USD, më braktisën në shtetin kazak”
Luftëtar Rama, 27 vjeç, baba i dy fëmijëve, është një nga viktimat e kësaj skeme mashtrimi. Ai rrëfen për gazetën “Panorama” të gjithë historinë tij në lidhje me udhëtimin në shtetin kazak.
Si nisi historia e punësimit tuaj në Kazakistan?
Nëntorin e kaluar u regjistrova në agjencinë e punësimit, pasi nuk punoja. Aty më thanë se kishte vende të lira pune në sektorin e ndërtimit në Kazakistan. Më shpjeguan se kjo agjenci ishte e lidhur me një firmë ndërtimi në Kazakistan, e cila ishte e interesuar për punëtorë ndërtimi. Gjithashtu më thanë se nëse do të isha usta i mirë, mund të merrja nga 1500 deri 2 mijë dollarë. Isha i papunë dhe menjëherë pyeta mbi kushtet për të shkuar aty.
Çfarë të thanë ata?
Më thanë se duheshin bërë disa procedura, të cilat kushtonin rreth 250 mijë lekë, por që në të vërtetë vlera e tyre shkoi shumë më e madhe se aq. Me procedurat e vizës merreshin vetë ata, ne duhet të paguanim vetëm lekët, të cilat ramë dakord që t’i mbanin nga rroga kur të nisnim punë. Të gjitha dokumentet e nevojshme kushtonin rreth 2100 dollarë. Gjysmat e tyre duhet t’i paguanim këtu, ndërsa të tjerat kur të kishim punuar një muaj në Kazakistan.
Kur u nisët?
Ishte muaji nëntor kur u nisëm dhe së bashku me mua ishin edhe 37 persona të tjerë, hallexhinj si puna ime. Na thanë që kontratën e punës do ta merrni ditën e fundit që do të niseni, por që na e dhanë atëherë kur nuk na hynte më në punë. Me të mbërritur në Kazakistan, nisëm menjëherë punë. Pasi kaluan dy muaj, i thamë Jahos se duhet të merrnim rrogat, por ai na tha se nuk mund të merrnin më shumë se 200 dollarë në muaj, pasi të tjerat do t’i mbante ai për procedurat dhe për biletat e udhëtimit që kushtonte 800 dollarë. Nuk kishim se çfarë të bënim, ngelëm mes katër rrugëve. U detyruam të punonim derisa të nxirrnim lekët që kishim harxhuar për rrugën.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura