Zbardhet debati në sallën e gjyqit, Apeli lë në arrest shtëpie ish-kreun e Gardës

Feb 9, 2012 | 10:23

Ndrea Prendi ne gjykate

Prokuroria: Gjenerali ka firmosur para 21 janarit tërheqjen e dy pistoletave.

Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt më 21 janar 2011, ka përdorur dy armë zjarri tip “Pistoleta”. “Prova e re” është bërë e ditur dje, ndërsa mësohet se do të jetë një nga argumentet me të cilat Prokuroria do të kërkojë në Apel zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest shtëpie në arrest me burg për Ndrea Prendin. Është e paqartë se si ka ndodhur që kreu i Gardës të mbante dy armë, por sipas Prokurorisë, hetimi e ka faktuar një gjë të tillë. Burimet nga organi i akuzës kanë thënë se nga regjistrat e tërhequr pranë Gardës së Republikës është mësuar se Ndrea Prendi ka firmosur tërheqjen e dy pistoletave. “Njëra prej këtyre pistoletave është ajo me numër P52796Z, që është armatimi i tij personal”, thanë burimet e Prokurorisë, duke shtuar se gjenerali mbante edhe një armë tjetër pistoletë të tërhequr nga magazina e Gardës, e cila deri tani nuk ka dalë si e përdorur për qitje në ngjarjet e 21 janarit, ndonëse është verifikuar për një gjë të tillë. Për armën e parë, pistoletën me numër P52796Z, Prokuroria thotë se ajo ka qitur predhën e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj, me kalibër 9 mm, pamje të rregullt, formë cilindrike, majë sferike, me gjatësi 14.8 mm dhe peshë 7.472 gramë. Sipas Prokurorisë, pistoleta e dytë ka qenë në përdorim të Ndrea Prendit më 21 janar 2011, për shkak se ishte tërhequr nga magazina para kësaj kohe.
Masa në Apel
Gjykata e Apelit Tiranë vendosi dje të mos ndryshojë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Ndrea Prendin, ish-kreun e Gardës, të akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt në demonstratën e 21 janarit 2011 pranë Kryeministrisë. Në një seancë, ku vetë Prendi nuk ishte i pranishëm, një trupë gjykuese e Apelit refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndryshimin e kësaj mase në “arrest me burg”. Në pretendimet e tij para gjykatës, prokurori Nezir Gjoka u shpreh se referuar përgjigjeve të ekspertimit balistik të kryer nga FBI-ja, rezultonte se arma nga e cila është vrarë demonstruesi Faik Myrtaj më 21 janar 2011, zotërohej nga Ndrea Prendi. Sipas prokurorit, masa e sigurisë dhënë nga Shkalla e Parë për të dyshuarin Prendi, nuk ishte në përputhje me rrezikshmërinë e veprës penale për të cilën ai akuzohet. Prokurori nuk paraqiti prova të reja para gjykatës, por siguroi se, nëse gjykata i kërkonte me ngulm, mund t’i servirte. Sipas prokurorit, provat e reja do të paraqiten në një kërkesë, që do të bëhet për zëvendësimin e masës së sigurimit të Prendit. Në përfundim, ai kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të dyshuarin Prendi. Nga ana e tij, avokati mbrojtës i Prendit kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” ndaj klientit të tij. Sipas avokatit Genci Gjokutaj, klienti i tij më 21 janar 2011 ka zbatuar ligjin në funksion të detyrës së tij. Në vijim paraqiten momentet e debatit mes gjykatës dhe palëve në seancën e djeshme.

Zëvendësimi i masës
Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë një kërkesë të dytë në lidhje me ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi. Kësaj here pala paditëse është Prokuroria, e cila ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, që refuzoi zëvendësimin e masës së sigurisë arrest shtëpie me masën arrest me burg. Prokuroria e bëri këtë kërkesë në Shkallën e parë, por pas rrëzimit të saj, organi i akuzës e ka paraqitur çështjen në Gjykatën e Apelit.

Debati dje në Gjykatën e Apelit
DEBATI ME AVOKATIN

Avokati: Paraprakisht në argumentimin ligjor që zoti prokuror bëri lidhur me fabulën e ngjarjes, vë në dije gjykatën që brenda territorit të Kryeministrisë dhe personalisht ndaj personit nën hetim, Ndrea Prendi, është sulmuar me sende të forta dhe ka ngelur i plagosur dhe jo si pretendon prokurori që nuk ka asnjë në këtë seancë, se nuk ka pasur të plagosur nga ana e efektivave të Gardës. E nderuar gjykatë! Jo më kot prokurori e anashkalon ligjin për Gardën. Ka vënë vetëm ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit, por anashkalon dhe nuk thotë se Garda e Republikës, përveç ligjit për armët e zjarrit, e përdor këtë armë edhe në rastet kur sulmohen personalitetet e vendit apo të huaja, si edhe kur sulmohen rojet e objektit. Pra, është detyrë e Gardës së Republikës që në rast sulmi të përdorë armët e zjarrit. T’i përdorë konform rregullave apo jo, Prokuroria nuk i ka hyrë kësaj pjesë.
Paraprakisht, vendimi i Gjykatës së Tiranës, 21.01.2012, ne jemi dakord me pjesën arsyetuese, ndërsa për sa i përket sanksionit, ne si mbrojtje mendojmë se Gjykata ka gabuar me masën “arrest në shtëpi”.
Gjykata: Jeni ankuar edhe ju? Nuk jeni dakord me masën?
Avokati: Nuk jemi dakord me masën. Në vendimin nr.79 të datës 21.01.2012, Gjykata e Tiranës ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj shtetasit nën hetim Ndrea Prendi. Ky vendim nuk është marrë në përputhje me provat e administruara në seancë gjyqësore. Organi i Prokurorisë i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë me një kërkesë, objekti i së cilës ishte caktimi i masës së sigurisë ndaj personit nën hetim Ndrea Prendi, atë të “arrestit me burg”. Në datë 21.01.2012, kjo Prokurori ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera të cilësuara”, kryer në bashkëpunim me të tjerë ndaj Ndrea Prendit. Në dispozicion të gjykatës është vendosur edhe një ekzaminim, datë 5.01.2012, i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), në të cilën është konkluduar se predha e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj ka lënë gjurmë në pistoletën me numër P52796Z. Njëkohësisht edhe faktin se tri predha janë nga tyta e pistoletës me numër P52778Z.
Sa më sipër, se ky akt nuk mund të përcaktojë kualifikimin e veprës penale, si edhe motivet për kryerjen e saj, këto janë elemente të cilat determinojnë nevojat e sigurimit. Pra, nëse është bërë një ekspertim i huaj që nuk determinon kualifikimin ligjor dhe ligjshmërinë e veprës konkrete që ka ndodhur. Këtu qëndron i gjithë konfondimi i Prokurorisë.
Vlen të theksojnë se personi nën hetim Ndrea Prendi është subjekt i posaçëm, sipas të drejtës penale, pasi ditën e ngjarjes ky person ka qenë në mbrojtje të një objekti të rëndësisë së veçantë, objekti i Këshillit e Ministrave, detyrë e ngarkuar në bazë të ligjit për ta mbrojtur.
Për sa më sipër, akuza e ngritur ndaj personit nën hetim, ajo e “vrasjes në rrethana të tjera të cilësuara”, në bashkëpunim, nuk mund të ekzistojë, pasi personi nën hetim ka qenë në krye të detyrës për mbrojtjen e institucioneve të ngarkuara me ligj.
Në bazë të ligjit, punonjësi i Gardës së Republikës e përdor armën në rastet e parashikuara në ligjin “për përdorimin e armëve të zjarrit”, si edhe në rastet kur: 1. sulmohen personalitetet e larta shtetërore të vendit ose të huaja dhe 2. rojet e objekteve në ruajtje.
Gjykata: Kjo nuk na duhet.
Gjokutaj: Duhet, zoti kryetar! E citoj për të thënë, se pse nuk jemi dakord me vendimin e gjykatës. Që nga ky moment, cilësimi i veprës i bërë nga Prokuroria nuk mund të qëndrojë, pasi për Gardën e Republikës është e përcaktuar me ligj të përdorimit të armëve të zjarrit kur sulmohet godina apo rojet. Tani nëse diskutojmë…
Gjykata: Në çfarë sulmi?
Avokati: Si, çfarë sulmi?
Gjykata: Në çfarë sulmi mund të përdorësh armët?
Avokati: Kur sulmohet thotë.
Gjykata: Me se?
Avokati: Nuk e thotë ligji. Të sulmuara me sende të forta.
Gjykata: Në qoftë se e sulmojmë Kryeministrinë me grushta!
Avokati: Si me grushta?
Gjykata: Një që do t’i bjerë murit me grushta. Sulm është ai?
Avokati: Kjo është kauzë, zoti kryetar?!
Gjykata: Jo, jo. Sulmi. Çfarë ka ndodhur? Pra, zgjeroje termin.
Avokati: Ja, nuk kam mbaruar. Sulmi është i dokumentuar.
Sa më sipër, në mënyrë të gabuar organi i akuzës pretendon në apelimin e tij se kualifikimi ligjor i bërë nga Prokuroria duhet të merret apriori nga Gjykata.

Në rast se Prokuroria abuzon me një kualifikim ligjor, pasi në këtë rast Prokuroria nuk thotë se cili është motivi i vrasjes. Prokurori nuk shpjegon ku është marrëveshja e mëparshme. Ku është dashja direkte? Janë elementë të domosdoshëm për veprën për të cilën hetohet Ndrea Prendi. Prandaj, këta janë elementë që prokurori duhet t’ia provojë gjykatës. Dhe gjykata nuk është automatikisht noteruese e Prokurorisë, që Prokuroria e ngriti këtë akuzë dhe kjo është e saktë. Jo, Gjykata verifikon dyshimin e bazuar në prova. Dhe cilat janë provat për vrasjen me dashje në dëm të disa personave në bashkëpunim? Cili është motivi? Garda me ligj organik është e ngarkuar të përdorë armën e zjarrit.
Gjykata: Avokat, ka një moment në vendimin gjyqësor. Pistoleta me të cilin pretendohet se ka ndodhur vrasja në ditën e ngjarjes, thuhet se kjo pistoletë nuk provohet që është tërhequr nga i pandehuri Ndrea Prendi. Në regjistrin numër 34 të pajisjes më armatim të efektivave të Gardës, personi nën hetim nuk ka firmosur tërheqjen e kësaj pistolete nga magazina e armatimit.
Avokati: Atëherë, zoti kryetar…
Gjykata: Nuk rezulton. Nga e keni nxjerrë këtë konkluzion? Të paktën në vendim thuhet shprehimisht “janë tërhequr pistoletat, por nuk janë tërhequr pikërisht nga Ndrea Prendi”.
Avokati: Zoti kryetar, ky është problem i akuzës, jo imi. Këtë pyetje duhet t’ia drejtoni zotit prokuror, jo mua.
Gjykata: Kjo pjesë e këtij vendimi është kështu, siç thuhet që: nuk është firmosur nga ana e personit nën hetim?
Avokati: Po, gjykata ka verifikuar dhe ka konstatuar që nuk provohet me aktet që kanë sjellë në dosje, nuk provohet që kjo armë të jetë marrë nga Ndrea Prendi. Pra, gjykata e ka konstatuar, por gjykata nuk e ka bazuar vendimin në elementët që ka konstatuar.
Gjykata: Po nëse ky person nuk e ka marrë pistoletën vetë, nga e provon organi i Prokurorisë se kjo pistoletë është e këtij personi?
Avokati: Zoti kryetar, ky nuk është problem imi. Është problem i hetimit.
Gjykata: Është dyshim i arsyeshëm i mbështetur në prova.
Avokati: Po pra, nuk ka.
Gjykata: Tjetër gjë keni?
Avokati: Referuar aktit të apelimit të prokurorit, i dyshuari është subjekt i posaçëm, i cili ka vepruar jo privatisht, por i ngarkuar me ligj për Gardën e Republikës. Personi nuk mund të hetohet apo të akuzohet si subjekt i posaçëm edhe për “vrasje në bashkëpunim”, edhe në “shkelje të rregulla të përdorimit të armëve” e “shpërdorimit të detyrës”, si thotë prokurori.
Nga ana e Prokurorisë në apelimin e saj ngatërrohet pozita e punonjësit të Gardës me atë të punonjësit të Policisë, pasi Garda e Republikës nuk ka për detyrë të shpërndajë turmën, si pretendohet në apelimin e Prokurorisë. Garda e Republikës merret me ruajtjen e objektit. Sepse thuhet që me urdhër të oficerit të policisë shpërndahet turma. Garda e Republikës nuk merret me shpërndarjen e turmës. Garda merret me ruajtjen e objektit dhe rojeve.

DEBATI ME PROKURORIN
Gjykata: Në lidhje me personin nën hetim, ku ishte indicia për hetimin?
Prokurori: Indicia ka filluar nga ngjarja që ka ndodhur. Por ne nuk kishim prova dhe vetëm mbasi erdhi përgjigjja e FBI-së. Se ne kishim vetëm thëniet e të pandehurit, i cili kishte pohuar se nuk kishte qëlluar me armë.
Gjykata: I pandehuri?
Prokurori: Personi nën hetim. Dyshohet për këto vepra penale. Me ardhjen e përgjigjes doli që ishte qëlluar me armën e tij dhe ne kërkuam këtë masë sigurimi, që ne vlerësojmë se duhet e tillë. Pastaj është në vlerësimin e trupit gjykues.
Gjykata: Po në lidhje me faktin që në vendimin e Shkallës së Parë nuk është provuar marrja e pistoletës?
Prokurori: E kuptova pyetjen. Ajo është e shkruar në vendim. Ajo do të marrë një përgjigje tjetër nga një vendim tjetër. Por nëse ju e kërkoni me ngulm, ne mund t’jua japim që kjo pistoletë është nga Ndrea Prendi. Ne kemi momente të tjera, që nuk duam të heqim faza të tjera të gjykimit, të zëvendësimit të masës së sigurimit. Tani po mbërrijmë deri këtu, në vlerësimin tonë me të drejtë, por nëse ju duhen prova të tjera, jua paraqesim.

Gjykata e Apelit liron nga arresti i shtëpisë shoferin e Ndrea Prendit
TIRANE – Margarit Kume, shoferi i Ndrea Prendit, i akuzuar për ndihmesën e dhënë ndaj tij për fshehjen e autorësisë së vrasjes së Faik Myrtajt, pretendoi pafajësi dje në Gjykatën e Apelit. Pretendimet e tij dhe të avokatit të tij mbrojtës rezultuan bindëse për Gjykatën, të paktën për lehtësimin e masës së sigurisë. Ai u lirua nga masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Një vendim i trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Artan Broci, Gjin Gjoni dhe Edmond Goga vendosën ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Kumes nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitjeje”. Referuar vendimit, Kume duhet të paraqitet pranë organeve të Policisë Gjyqësore dy herë në muaj. Në seancën e djeshme, Prokuroria i kërkoi Gjykatës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Kume ishte i pranishëm dje në sallën e gjyqit, në krah të avokatit të tij Qazim Gjoni. “Unë jam i pafajshëm. Armën nuk e kam prekur me dorë, që nga dita që e kam dorëzuar. Armën e kam dorëzuar në magazinën e armatimit të Gardës në mars 2011”, u shpreh Kume para gjykatës. Në të njëjtën linjë, më herët, avokati i tij mbrojtës pretendoi se Kume e kishte dorëzuar armën e tij. “Pas ngjarjes, arma është dorëzuar tek shefi i magazinës së armatimit. Deri në janar 2012 nuk është pyetur për të. Ne nuk e dimë nëse e ka bërë atë që pretendon Prokuroria, apo si e ka bërë. Nuk dimë se çfarë është bërë me armën pasi është dorëzuar”, u shpreh avokati. Në vijim, avokati pretendoi se klienti i tij nuk kishte tentuar ndonjëherë t’i fshihej hetimit dhe kërkoi “detyrim paraqitjeje” për të. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e mbrojtësit Gjoni. Kumes iu pengua liria me një vendim gjyqësor të 21 janarit 2011, sipas të cilit ndaj tij u caktua “arrest shtëpie”, si i dyshuar për llogari të hetimeve të “21 janarit”.                        ar.ba

Vrasja e Nikës, edhe 3 muaj hetime

Gardisti i akuzuar: Nuk shkova te Kryeministria për të vrarë, qëllova, por kam bërë vetëm detyrën time.

21 janari, Gjykata, Prokurorisë: Deri më 8 maj, hetimi për Llupon.

Gardisti, Agim Llupo

Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen me tre muaj të afatit të hetimeve ndaj gardistit Agim Llupo, i dyshuar për vrasjen e Ziver Veizit në demonstratën e 21 janarit 2011. Nga ana e tij, Llupo pretendoi se kishte bërë detyrën e tij dhe se në 21 janar nuk kishte shkuar të vriste njerëz te Kryeministria. Në vendimin e tij, gjyqtari Shkëlqim Mustafa i dha edhe tre muaj kohë organit të akuzës për mbledhjen e provave për faktimin e dyshimeve ndaj Llupos. Sipas vendimit, afati i hetimeve për gardistin e akuzuar për vrasje u shty deri më 8 maj 2012. Seanca e djeshme u zhvillua me dyer të mbyllura. Burime të rezervuara bënë me dije se në seancën e djeshme, përfaqësuesi i Prokurorisë nuk paraqiti prova të reja në proces. Para gjyqtarit Mustafa, përfaqësuesi i akuzës ka pretenduar se Llupo është i dyshuar edhe për vrasjen e Aleks Nikës. Sipas burimeve, pikërisht për këtë dyshim, prokurori i kërkoi gjykatës shtyrjen e afateve, me qëllim realizimin e disa ekspertimeve të tjera balistike. Llupo ishte i pranishëm dje në seancë, ndërsa mbrojtja e tij u realizua nga një avokat i zgjedhur nga gjykata. Më herët, Gjykata e Tiranës nuk mundi të zhvillojë dje seancën gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës së Agim Llupos për lirimin nga qelia. Shkak për moszhvillimin e seancës, mosparaqitja në proces e avokatit të zgjedhur nga Llupo pas dorëheqjes prej tij të avokatit Genci Gjokutaj.
GARDISTI LLUPO
“Nuk kam shkuar të vras njeri. Kam bërë detyrën time”. Fjalët janë shqiptuar në seancën e djeshme nga i vetmi person, që qëndron në qeli për vrasjet e ndodhura në demonstratën e 21 janarit 2011. Para gjyqtarit Mustasfa, Llupo mësohet të ketë hedhur poshtë pretendimet e organit të akuzës se Aleks Nika mund të jetë vrarë nga një armë e shkrehur prej tij. “Kam përdorur një armë të vetme. Kam hedhur rreth 20-30 fishekë. Pse të mbaja një armë që nuk e kam përdorur? Pamja që paraqitet kur unë jam tek dritarja e katit të parë të godinës së Kryeministrisë ka qenë e orën 11:00, kur ende nuk kishin nisur të shtënat. Nuk kam shkuar të vras njeri. Kam bërë detyrën time”, mësohet të ketë thënë Llupo. Po dje, Llupo ka pohuar para gjykatës se kur kishte pyetur disa oficerë të Policisë Gjyqësore se sa vite i takonin nëse deklarohej fajtor për akuzën e ngritur ndaj tij, kishte marrë përgjigjen “Ç’i do vitet, ty të ka dënuar populli”.
AKUZA
Agim Llupo qëndron në qeli që prej 10 shkurtit 2011. Pas ngjarjes së 21 janarit, ekspertimet balistike vërtetuan se viktima Ziver Veizi ishte qëlluar nga arma e tij. “Sipas aktit të ekspertimit tekniko-kimik të armëve e balistik të predhave me nr.975, datë 07.02.2011, është arritur në konkluzionin se: “…predha e gjetur te viktima Ziver Veizi është qitur nga arma automatike me numër në shul “244” dhe numër të gërvishtur në pjesën plastike “244”. Veprimet hetimore të mëtejshme kane vërtetuar se kjo armë është përdorur nga personi nën hetim Agim Llupo, me detyrë shef i Shtabit (zv/komandant) i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës”, thuhej në vendimin e gjykatës.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura