Zbardhet debati/ Call center mashtruese, AMF kërkon ndërhyrjen nga SHISH

May 31, 2018 | 21:47
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kërkuar ndërhyrjen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Pastrimit të Parave dhe Drejtorisë së Tatimeve, për të identifikuar kompani fantazmë të cilat nëpërmjet qendrave telefonike funksionojnë si bursa.

Kryetari i AMF, Ervin Koçi, në Komisionin e Ekonomisë
Kryetari i AMF, Ervin Koçi, në Komisionin e Ekonomisë

Shqetësimi u ngrit dje nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili tha se dyshohet që në vend operojnë 80 kompani të tilla.

“Në media është raportuar se në territorin e Shqipërisë operojnë pa licencë 80 subjekte, duke shërbyer si call center, por, në fakt, i shërbejnë skemave mashtruese për shtetaset e vendeve të tjera. Doja të dija, a keni ju dijeni për këtë veprimtari të palicencuar, e cila përbën një vepër të rëndë penale, sipas Kodit tonë Penal, për më tepër që Shqipëria e ka një përvojë të mëhershme të mashtrimeve të këtij lloji. Së dyti, keni kontaktuar ju si AMF, qoftë me investiguesit e këtij rasti, për të marrë informacione të detajuara për këto 80 kompani, me institucionet e tjera ligjzbatues, për t’i dhënë fund këtij mashtrimi që vjen përmes telefonit, pothuajse çdo ditë”, u shpreh Braçe.

AMF

Kryetari i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, në Komisionin e Ekonomisë tha se nëse këto call center shërbejnë për pastrim parash, situata mund të kthehet në një problem kombëtar. “Kemi pasur informacion që ekzistojnë shoqëri të tilla dhe operojnë në tregjet e huaja, për sa i përket shitjes së produkteve financiare. Për këtë, nëse ata janë të licencuar nga brokerat e BE-së, gjë që është shumë pozitive sepse janë të kontrolluara. Por problemi është se nëse ata janë broker fantazmë, përfshihet edhe qytetari.

Problemi i këtyre shoqërive është që ata më shumë marrin shtetas të huaj dhe nesër mund të kthehet në një problem kombëtar sepse mashtrohen qytetarë të huaj. Kjo mund të kthehet në problem edhe nga institucionet ndërkombëtare, nëse shërbejnë për pastrim parash”, u shpreh Koçi. Kryetari i AMF, sqaroi se i janë dërguar shkresa institucioneve ligjzbatuese, për të evidentuar emrat konkrete të kompanive.

“Ne kemi bërë disa shkresa, Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Kam bërë takime dypalëshe dhe kam kërkuar nga SHISH që të na japë emrat e kompanive, në mënyrë që ne të procedojmë me Policinë e Shtetit, pra, të katërta institucionet së bashku nëpërmjet një plani veprimi. Duke qenë se institucioni ynë nuk kishte certifikatë sigurie për të marrë informacion të klasifikuar, që jepet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, kemi kërkuar dhe jemi në fazën përfundimtare për të marrë informacion nga SHISH, por duhet të kemi një plan veprimi konkret me gjithë institucionet”, u shpreh Koçi.

DEBATI

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, ka kritikuar punën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për mosshkarkimin e drejtorit të Byrosë së Sigurimeve. “Byroja shqiptare e Sigurimeve noton në paligjshmëri nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ishte në paligjshmëri dhe vazhdon të jetë ende në paligjshmëri. Natyrisht kjo ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, ishdrejtoreshën ekzekutive të këtij Autoriteti, jo vetëm për paligjshmërinë që ka lejuar, por edhe marrëdhëniet e krijuara me bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Më duhet të përsëris për atë që ju pyeta një seancë më parë, drejtori ekzekutiv i Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, nuk ka akt miratimi nga Autoriteti i mbikëqyrjes Financiare, meqenëse është në detyrë nga janari 2016. Shkarkimi i drejtorit është një akt ndaj një drejtuesi të pamiratuar”, tha Braçe. Por kryetari i Autoritetit të Mbikë- qyrjes Financiare Ervin Koçi ka shpjeguar se vendimi duhet të merret nga Bordi, pasi shkelet marrëveshja për dhënien e kartonit jeshil.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura