Zbardhet buxheti, ja ku u shkurtuan 183 milionë USD

Jul 4, 2011 | 11:46

Gërshërët e qeverisë kanë shkurtuar nga buxheti i 2011-s plot 183 milionë dollarë, duke mos kursyer shumicën e zërave të tij.Nga investimet publike te fondet për ish-kompensimin e pronarëve apo ato të rritjes së pagave dhe pensioneve, asgjë nuk ka shpëtuar pa u prekur ku më shumë e ku më pak. Në të njëjtën masë me uljen e shpenzimeve qeveria ka ulur edhe pritshmërinë për të ardhurat, duke e korrigjuar këtë në buxhet. Parashikimi i të ardhurave për tatimet apo doganat është korrigjuar me tendencë uljeje me plot 140 milionë dollarë më pak, kurse të ardhurat jotatimore janë korrigjuar me 10 milionë dollarë më pak. Por, sa janë shifrat që janë shkurtuar për secilin nga zërat e buxhetit?
Ndryshimet
Qeveria ka mbajtur para për investimet vetëm për ato projekte që ka në zbatim. Zëri i investimeve kapitale është shkurtuar me plot 89 milionë dollarë dhe kjo shifër përbën pothuajse gjysmën e gjithë ndryshimeve në total. Nga praktika më e hershme e ndryshimeve në buxhet kjo nënkupton më pak investime dhe pezullim të të gjitha projekteve të reja ende të paprokuruara. Ndërkaq, qeveria ka vendosur që të shkurtojë me 55 milionë dollarë zërin e shpenzimeve korrente. Nga këto, vetëm 8 milionë i përkasin pagave të administratës, e cila nga kjo qeveri është trumbetuar si e vogël dhe pa shpenzime të mëdha. Por shkurtimet e fondeve për pagat e administratës nuk kanë ecur në të njëjtin drejtim me numrin e punonjësve. Qeveria në ndryshimet në buxhet ka vendosur që të shtojë numrin e punonjësve me 250 vende, ku nga 89 mijë e 360 punonjës që ishin, do të bëhen 89 mijë e 565 punonjës. Ndërkaq, duke i’u rikthyer 55 milionë dollarëve më pak te shpenzimet korrente të buxhet, duket se të gjitha institucionet do të fillojnë edhe këtë vit “dietën e letrës” sikurse një vit më parë, sepse tenderimet e “luksit” nuk është çudi të mos zhvillohen deri nga shtatori, sikurse dhe vjet. Siç pritej, por nuk konfirmohej, fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve është shkurtuar me 7 milionë dollarë. Në fillim të këtij viti qeveria parashikonte 20 milionë dollarë për rritjen e pensioneve dhe 14.9 milionë dollarë për rritjen e pagave, ndërkohë që tani ky fond për të dyja bashkë rezulton të jetë 27 milionë dollarë. Qeveria ka menduar të tregohet më e kursyer edhe me transferimet që bëhen nga buxheti në fondin e ISSH-së për të mbuluar deficitin e skemës. Nga 288 milionë dollarë që buxheti parashikonte si transferim për sigurimet shoqërore, tani vlera e fondit është 278 milionë dollarë me plot 10 milionë më pak. Paralelisht më këtë qeveria ka ulur dhe pritshmëritë për kontributet me plot 12 milionë dollarë më pak në skemën e ISSH-së. Fondi i vënë në dispozicion për kompensimin e ish-pronarëve është ulur me 3 milionë dollarë, të cilat nuk do të transferohen nga buxheti. Nga 20 milionë dollarë që parashikohej ky fond në fillim të vitit, tashmë fondi i ndryshuar është 17 milionë dollarë më pak. Ndryshimet në buxhet nuk japin asnjë efekt në uljen e deficitit, i cili mbetet 468 milionë dollarë sikurse parashikohet në buxhetin e miratuar pa ndryshimet. Në vizitën e fundit FMN-ja rekomandoi që qeveria të tregohej e kujdesshme me ndryshimet në buxhet dhe nga ana tjetër sugjeroi që të hartohet që në fillim një buxhet realist që nuk ka nevojë për korrigjime gjatë rrugës, siç është bërë zakon.

183 milionë dollarë
ka shkurtuar qeveria nga buxheti i këtij viti te zëri i shpenzimeve. Shumica e këtyre fondeve janë marrë nga investimet kapitale, plot 89 milionë dollarë, kurse 55 milionë dollarë janë marrë nga shpenzimet korrente.

486 milionë dollarë
është deficiti buxhetor i parashikuar për këtë vit pas ndryshimeve në buxhet. Raporti i shkurtimit të shpenzimeve ka qenë i barabartë me atë të të ardhurave, duke e lënë deficitin të pandryshuar si në fillimvit.

Më pak para për vendorët

Te ndryshimet në buxhet qeveria nuk ka përjashtuar as zërin që përfshin pushtetin vendor. Shkurtimet kanë prekur shpenzimet në masën e 24 milionë dollarëve dhe kaq janë ulur dhe parashikimet për të ardhurat nga ky zë. Grantet e pakushtëzuara janë ulur me 4.5 milionë dollarë. Në fillim të këtij viti buxheti parashikonte për pushtetin vendor 144 milionë dollarë grante të pakushtëzuara, ndërkohë që me shkurtimin e bërë këto grante tani kanë vlerën 140 milionë dollarë. Zëri i buxhetit për vendorët është prekur ashtu sikurse ka ndodhur edhe me zërat e tjerë, por ajo që në fakt qeveria ka pasur si kritikë ndaj vendorëve ka qenë performanca e tyre e dobët te të ardhurat, e cila shumicën e rasteve nuk është realizuar sipas parashikimit.

Buxheti i ri

Ishte    Bëhet            Diferenca
Buxheti I shtetit
Të ardhurat        362223    343842    -18381
Shpenzimet        409035    390654    -18381
Deficiti        46812    46812    0

Buxheti vendor
Të ardhurat        31772    29314    -2458
Grandi i pakushtëzuar         14472    14014    -458
Shpenzimet        31772    29314    -2458

Buxheti i sigurimeve shoqërore
Të ardhurat, gjithsej        79828    79628    -200
kontributet        50930    49730    -1200
transferimet nga Buxheti i Shtetit        28898    27898    -1000
Shpenzimet         79828    79628    -200

Të ardhurat, sipas grupeve kryesore
Grandet        8422    8422    0
Të ardhurat tatimore        256138    242077    -14061
Të ardhurat jotatimore        21023    20023    -1000

Buxheti për kompensimin e pronarëve
Të ardhurat, gjithsej        2000    1700    -300
të ardhura të tjera        1400    1400    0
transferimet nga Buxheti i Shtetit        600    300    -300
Shpenzimet        2000    1700    -300

Shpenzimet e Buxhetit të Shtetit

Shpenzimet korrente         241213    235630    -5583
Shpenzimet kapitale         82502    73595    -8907
Fondi rezervë         1500    1728    228
Fondi i kontingjencës për deficitin         3647    3647    0
Fondi për rritjen e pag e pensione         3533    2734    -799

Numri  i total i punonjësve        89360    89565    205

Paga e presidentit        250000    255000    5000

Rritja e borxhit
Kufiri për rritjet totale të borxhit        79288    79288    0
Për huamarrjen vjetore neto         28218    30818    2600
Financim I projekteve te huaja        42108    45800    3692
Per rritjen e garancive        7370    2426    -4944
Riskedulim i borxheve të vjetra        2592    2652    60

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura