
Arben Hida dyshohet veç për “falsifikim”. Nuk u provua “trafikimi”
Zbardhen përgjimet e bisedave të një të dyshuari për trafik klandestinësh përmes dokumenteve të falsifikuara me një agjent të infiltruar të Policisë. Paraditen e 26 qershorit, Arben Hida nuk e ka menduar se po fliste me një agjent në mbulim kur i thoshte “Duan goca për andej në Angli”. Të njëjtit “klient” Hida i ka shitur një leje drejtimi automjeti shqiptare, një ndërkombëtare dhe një pasaportë greke, të falsifikuara. Hida u arrestua më 5 korrik, pasi gjykata pati caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Prangosja e tij u realizua pas disa muajsh hetime, ku ishin përdorur edhe metodat speciale të veprimeve stimuluese dhe përgjimeve ambientale. Në përfundim të hetimeve, prokuroria i kërkoi gjykatës lënien në qeli të Hidës vetëm për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, pasi deri atëherë nuk ishte provuar akuza e “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”. Në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Hidës, zbardhen episodet kur agjenti i infiltruar ka porositur dokumentet e falsifikuara, si edhe bisedat mes të dyve. Fillimisht i dyshuari njihej nga hetuesit si Arben Çangu. Më pas, hetimet kanë zbardhur se mbiemri i tij ishte Hida. Në vijim zbardhen disa nga episodet, referuar vendimit të gjykatës.
(Artikullin e plotë e lexoni ne gazeten “Panorama” ne numrin e sotëm të versionit print).
© Panorama.al











