Zbardhen 4 blerjet e radhës në merkato

Jun 28, 2011 | 11:55

Uros Hojan (slloven), Cameron Hepple (Bahamas), Andra Ghidini (Italian) dhe Bashkim Ahmeti (Kosovar) janë katër emrat e radhës që dalin nga merkatoja. Me këto ritme pritet që Tirana të kthehet në një skuadër “shumëkombëshe” dhe e vetmja gjuhë që mund t’i bashkojë, të jetë anglishtja. Ashtu siç deklaroi edhe vetë presidenti Refik Halili për mediat, ai pretendon të krijojë një skuadër cilësorë që nuk do ta vejë në diskutim titullin kampion. Madje, afrimet e reja, duke filluar nga Keniani Situma, për të kaluar te Mahmud që vjen të mërkurën nga Bahrejni, tashmë pjesë e listës së të afruarve do të jetë një lojtar slloven, një nga Bahamasi, për të kaluar në Itali dhe më pas në Kosovë. Lojtari slloven, Uros Hojan, i lindur më 20 janar 1987 në Gradec, është një futbollist tepër i talentuar. Slloveni 24-vjeçar ka një karrierë të pasur dhe ka spikatur për paraqitjen e tij të mirë në kampionatet ku ka luajtur, si në Slloveni, Suedi, Islandë dhe Irlandë. Për të kaluar te një tjetër element cilësor, bëhet fjalë për lojtarin nga Bahamas, Cameron Robert Hepple. Mesfushori 23-vjeçari e ka nisur karrierën e tij te Bowling Green Falcons, për të kaluar më pas te skuadra Bears FC, Bradencton Akademis dhe së fundmi ka luajtur te Kitsap Pumas, duke shënuar në total 8 gola. Ndërsa gjatë seancës së djeshme stërvitore ka ardhur edhe një futbollist italian, i shoqëruar nga menaxheri i tij. Ai quhet Andrea Gidini dhe luan në rolin e mesfushorit të qendrës. Ndërsa kosovari Bashkim Ahmeti është një mbrojtës qendre, i lindur më 9 shkurt 1985. Ky futbollist ka luajtur te KF Hysi, por edhe të Flamurtari në Ligën e Parë kosovare.

Lika: Nuk ika nga Tirana prej kartonit

Gilman Lika është ndër të paktët elementë që janë ende në kontratë me bardheblutë. Në një deklaratë të dhënë për mediat, lojtari ka zbardhur disa nga ofertat që i kanë ardhur së fundmi. “Oferta nuk më kanë munguar, mirëpo, duke pasur një kontratë, gjithçka bëhet më e vështirë. Dy skuadra nga Azerbajxhani kanë shprehur interes për mua, mirëpo ata nuk ishin të gatshëm të jepnin ndonjë shifër të madhe. Kësisoj unë nuk do të mundja dot të shlyeja edhe klubin e Tiranës për kartonin. Në këtë mënyrë, as nuk e diskutova fare me presidentin Halili”, ka pohuar ai.

© Panorama.al

Te lidhura