Tri ditë aksion për të pastruar kryeqytetin nga zaptimi i paligjshëm i vendparkimeve. Policia Bashkiake e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës, nisi dje kontrollet. Nga sa bëri me dije zyra e shtypit në Bashki, të gjitha hapësirat që mbahen të bllokuara nga subjektet në mënyrë të paligjshme do të lirohen. “Aksioni është shtrirë njëkohësisht në të gjitha rrugët e Tiranës. Inspektorët në terren kanë vënë re se hapësirat mbahen të bllokuara në mënyrë të paligjshme, pasi subjektet nuk paguajnë taksa në Bashki për vendparkimet që zënë”, thuhet në deklaratën për mediat. Sipas saj, një javë më parë, të gjitha subjekteve që kanë zënë pjesë të rrugëve, u është kërkuar dokumentacioni përkatës ku të vërtetohet leja që ato kanë dhe taksat që paguajnë për hapësirën që zënë.”Në shumicën e rasteve, subjektet nuk kanë arritur të paraqesin dokumentacion dhe në rastet kur kanë paraqitur, dokumentacioni ka qënë i mangët. Pasi ka kaluar ky afat, sot kanë ndërhyrë në terren inspektorët e Policisë Bashkiake dhe të Tatimeve të Tiranës. Në shumë rrugë të kryeqytetit, një pjesë e mirë e akseve zihen nga kone dhe hekura nga bizneset ngjitur, dhe kjo ka shkaktuar rritje të problemit të trafikut në Tiranë për shkak të pamundësisë për të parkuar”, ka sqaruar Bashkia. Në pjesën më të madhe të rasteve rezulton se subjektet që zënë hapësirat nuk paguajnë asnjë taksë bashkiake dhe në rastet kur ata paguajnë, taksohen për një vendparkimi, ndërkohë që në rrugë zënë deri në 6 ose 7 vende. Aksioni do të vazhdojë tri ditë me radhë, deri në çlirimin e këtyre hapësirave, ose në shfrytëzimin e tyre konform ligjeve në fuqi. Ky rregullim do të shërbejë për qytetarët, pasi do të krijojë më shumë mundësi parkimi për ata që qarkullojnë me makinë, duke ndikuar në lehtësimin e trafikut në Tiranë.











