Kush do ta besonte që Zanfina e brishtë do të sillte një këngë hit dhe një klip ku ekspozon kolegë që flasin dhe montojnë gënjeshtra nga më të ndryshmet për të? E bukur, sensuale dhe bionde, Zanfina premtoi që do të sillte një hit dhe një klip i cili do të ishte shumë befasues. Kënga u shndërrua në hit ende pa arritur klipi, me lançimin në internet, ku arriti një dëgjueshmëri të lartë dhe kritika pozitive nga fansat. Por, lançimi i klipit në fillim hutoi, më pas shokoi për të kaluar në rekord klikimesh dhe pëlqimesh nga fansat e këngëtares. Klipi, i cili fillon me një djalosh që bën montazhe filmike të personave të ndryshëm, që flasin kundër këngëtarës dhe biseda e tij telefonike ku ai i flet dikujt: “Ok, e shkatërruam Zanfinën, montuam gazetat, televizionet dhe internetin”, në fillim u kuptua vetëm si një marketing jo dhe aq interesant i këngëtares. Vazhdimi ku ajo e zë djaloshin dhe më pastaj e merr, e fut në bagazh dhe e braktis në shkretëtirë, do dukej si një klip veror dhe me ngjyra të ndezura që vë në pah bukurinë e këngëtares. Por çdo gjë ndryshoi kur në faqen zyrtare në Facebook të motrës, Adelina Ismaili, pak orë para lançimit të klipit të Zanfinës, u shkrua: “Personat që flasin në fillim të klipit të Zanfina Ismailit, ekzistojnë edhe në jetën reale, janë të regjistruar me kamerë të fshehtë, por në klip janë të zëvendësuar me aktorë. Dhe një person i fuqishëm i show bizz-it shqiptar, i cili ka punuar në shkatërrimin medial të Zanfina Ismailit, i regjistruar fshehur me celular, në klip i zëvëndësuar me aktorin i cili luan “të dashurin”, bënë që klipi të arrijë rekord klikimesh në Youtube dhe debate të zjarrta në komentet pa fund. E pyetur në një intervistë televizive se a janë të vërteta këto që thuhen, Zanfina me buzëqeshje u përgjigj: “Ka diçka…” Kjo lë të kuptohet që Zanfina apo dikush i afërt i saj ka regjistruar fshehtas veprimet dhe posaçërisht gënjeshtrat, montimet dhe stërskëmbëshat e kolegëve
kundër këngëtares. Zanfina na “dhuron” edhe hakmarrjen e saj, për të cilën komentohet që është e vërtetë, por është vizualizuar më butë sesa ka ndodhur në realitet. Edhe pse një ditë pas lançimit kënga u shpall hit i javës nga një media kosovare, përveç Adelina Ismailit deri më tani asnjë kolege këngëtar/këngëtare nuk ka komentuar asgjë lidhur me klipin, i cili fillon me komplotet në qarqet e show-biznesit shqiptar dhe mbaron me Zanfinën ultra moderne, duke kënduar në një lagje të varfër dhe tejet gazmore, ku shohim edhe pjesëtarë të komunitetit rom në Kosovë. Ky fakt shton bindjen e fansave që gjërat e thëna në klip mund të jenë të vërteta. Si duket, Zanfina mori hakmarrjen e saj dhe e ktheu në një minifilm, i cili për tri ditë ka arritur 50 mijë shikime para se të vazhdojë me duetin, i cili do të realizohet diku në Europë, sipas deklarimit të Adelina Ismailit dhe vetë Zanfinës së fundmi. E përgëzuar nga fansat e shumtë të saj për idenë origjinale dhe pasqyrimin artistik të realitetit të vrazhdë në show-biznesin shqiptar, Zanfina e cila gjithmonë ka shprehur shqetësimin e saj për komplotet dhe klanet në muzikën shqiptare, këtë herë si duket arriti të bëjë që të gjitha kokat të kthehen përsëri nga ajo dhe të godasë mu në shenjë, duke siguruar një hit më shumë në repertorin e saj.











