
Ish-kryeministri i Partisë Socialiste komenton krizën politike.
“Elektorati s’ndihet i përfaqësuar me këto lista, vendimet nuk merren në forume”
Ylli Bufi, ish-kryeministër dhe deputet i Partisë Socialiste, komenton për gazetën “Panorama” situatën politike në vend. Pas një heshtjeje të gjatë që kur u la jashtë listave për deputet të selisë rozë në zgjedhjet e vitit 2009, një prej figurave kryesore të kësaj partie rendit disa nga shkaqet e krizës së demokracisë në vend. Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese të katër viteve më parë, Bufi thotë se ato sollën efekt negativ dhe koha tregoi se u bënë nisur nga interesat e ngushta partiake. Sipas ish-kryeministrit socialist, elektorati sot nuk ndihet i përfaqësuar nga listat që propozojnë partitë në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore. “Lidershipet partiake përpiqen të respektojnë detyrimet statutore të mbledhjes së forumeve, por gjithmonë e më tepër bie në sy fakti që vendimet më të rëndësishme politike nuk merren në forumet kolegjiale, por jashtë tyre. Ato vetëm se informohen për vendimet tashmë të marra. Debatet parimore tashmë nuk ekzistojnë për marrjen e vendimeve”, shprehet Bufi. Shkaktarë të kësaj krize ai bën gjithashtu regjimin partitokratik dhe ndërhyrjen e faktorëve jashtë politikës. “Kjo është vetëm një përpjekje për të skanuar atë që po ndodh ose që po ndryshon në partitë politike për të parë atë ‘si është’, jo atë ‘si duhet të jetë’. Nëse vullneti politik i partive për reformat mungon, qytetarët me votën e tyre duhet t’i ndëshkojnë ato për t’i hapur rrugë reformimit të sistemit politik dhe funksionimit të shtetit. Ky proces fillon nga reformimi i funksionimit të vetë partive politike dhe mund të ecë përpara vetëm nëpërmjet partive. E ardhmja e demokracisë përfaqësuese nuk mund të shihet pa partitë.
(Artikullin e plotë e lexoni në numrin e sotëm të gazetës Panorama)
© Panorama.al











