Takimi i ministrave të Financës së eurozonës nuk do të mbahet sot, siç ishte parashikuar, por të hënën, më 20 shkurt. Vendimin e mori kreu i eurogrupit, Zhan Klod Xhunker, me argumentin se nevojitet akoma më shumë kohë për punën teknike mes trojkës dhe qeverisë greke, përpara se vendi të marrë huan e tij të dytë. “Përkundër planifikimit, unë kam vendosur t’i mbledh ministrat në një konferencë telefonike të mërkurën, me qëllim për të diskutuar çështjet kryesore dhe të përgatisim takimin për të hënën, më 20 shkurt 2012”, tha presidenti i eurogrupit. Xhunker tha se nevojitet kohë që Greqia dhe trojka me përfaqësuesit nga KE, BQE e FMN, të bien dakord në një sërë fushash, që përfshijnë edhe mbylljen e hendekut fiskal prej 325 milionë eurosh në 2012-n. “Për më tepër, unë nuk kam marrë garanci politike nga liderët grekë mbi zbatimin e mëtejshëm të programit”, tha Xhunker.











