Xhunker në Athinë: Po japim shansin e fundit për Greqinë

Aug 23, 2012 | 13:52
Samaras dhe Xhunker dje gjatë takimit në Athinë

Kryeministri grek, Antonis Samaras, ka mbajtur dje një takim kokë me kokë me kreun e Eurogrupit, Zhan Klod Xhunker, ku deklaroi se “ata që vënë bast mbi daljen e Greqisë nga eurozona do të zhgënjehen. Samaras theksoi se ai garanton personalisht se vendi do t’ia lajë borxhet Gjermanisë. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Xhunker ka paralajmëruar se ky ishte shansi i fundit për Greqinë. “Greqia duhet të zbatojë reformat strukturore dhe prioriteti i tyre duhet të jetë konsolidimi i financave të tyre”, tha Xhunker. Vizita e tij në Athinë konsiderohej shumë e rëndësishme për marrjen e këstit të ri të huas nga grekët, por vendimi do të jepet vetëm pas raportit të Trojkës, në tetor. Xhunker nuk ka dashur të komentojë mbi një paketë të tretë ndihme, por tha vetëm se “nuk e favorizoj këtë ide”. Ai nuk ka pranuar as të komentojë nëse Greqisë do t’i jepet më shumë kohë për të zbatuar reformat, duke u shprehur se për këtë duhet pritur raporti i Trojkës. Kryeministri grek, Samaras, konfirmoi se Greqia do t’i respektojë obligimet e saj. Por ai shtoi se një vend në recesion të vazhdueshëm nuk do të jetë i zoti të qëndrojë me këmbët e veta. Axhenda e privatizimit në vend është zgjeruar dhe Samaras tha se në javët e ardhshme do të vuloset paketa tjetër e kursimit prej 11.7 miliardë eurosh. Samaras theksoi se besueshmëria e vendit do të rivendoset shumë shpejt. Dhe më në fund, ai shtoi se çdokush që vë bast për Grexit (dalja e Greqisë nga euro) do të zhgënjehet. Para takimit me Xhunker, Samaras bëri një thirrje drejtuar administratës gjermane. “Na lini të marrim frymë!”, tha ai kur kërkoi më shumë kohë për shkurtimet e deficitit. “Gjithçka që duam është pak ajër për të marrë frymë, për ta bërë ekonominë të ecë përpara dhe për të rritur të ardhurat shtetërore. Më shumë kohë nuk do të thotë automatikisht më shumë para”, tha Samaras për gazetën gjermane “Bild”.

Merkel
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka refuzuar të komentojë, e pyetur mbi mendimin e saj personal, nëse Greqisë duhet t’i jepet më shumë kohë. Ajo tha se duhet të presë raportin e Trojkës. “Nuk do t’i gjejmë zgjidhjet të premten”, tha ajo duke iu referuar takimit të saj më Kryeministrin grek Antonis Samaras në Berlin, i cili do të pasojë darkën e saj të enjten mbrëma me Presidentin francez, Fransua Holande, ku do të diskutohet kryesisht për Greqinë.

Neonazistët grekë
“Batalione sigurimi” për mbrojtjen e qytetarëve grekë nga “okupatorët” e huaj (emigrantët klandestinë), kjo është nisma e re e neonazistëve grekë të “Agimit të Artë”. Sipas gazetës greke “Elefteria”, në Kalamata janë formuar disa grupe të stilit “Batalione sigurimi”, si ato gjatë Luftës të dytë botërore. Në krye të këtyre organizatave është një ish-polic, anëtar i “Agimit të Artë”.

© Panorama.al

Te lidhura