
Ambientet e Muzeut të Madridit u kthyen në teatrin e një prej zbulimeve më të rëndësishme të historisë së artit: ekspertët e galerisë spanjolle kanë identifikuar një kopje të Xhokondës së Leonardo da Vinçit, pikturuar nga një prej nxënësve të tij më të afërt, me shumë gjasë Andrea Salai (sipas historianëve, i dashuri i mjeshtrit), ose Françesco Melzi. Tabloja është ekspozuar në Muzeun e Madridit. Specialistët kishin muaj që po studionin veprën, duke ia nënshtruar atë një procesi pastrimi, duke hequr vernikun e errët që mbulonte bojërat e vajit. Tabloja, që për shumë kohë në fondet e muzeut, ishte konsideruar si një kopje banale e një prej portreteve më të famshme femërore të Da Vinçit, që ruhet në Luvër të Parisit, është riklasifikuar. Dishepulli i Leonardos ka bërë këtë dublim pikërisht në studion e mjeshtrit të Rilindjes, në Firence, ndërkohë që ai po realizonte pikturën origjinale. Edhe dimensionet e dy pikturave janë gati të ngjashme (Xhokonda e Luvrit: 77 cm x 53 cm, ndërsa kopja 76 cm x 57 cm). Piktura e nxënësit të Leonardos ka mbërritur në koleksionin mbretëror spanjoll në vitin 1666.











