Xhoi Bejko, nënë për herë të dytë

May 21, 2012 | 15:23

Tani jemi… katër

Me po aq vërtik si tetë vite të shkuara, kur në jetë erdhi fëmija i parë Ami, ajo i është rikthyer sërish fazës së ndërrimit të pelenave dhe ushqyerjes me qumësht gjiri të foshnjës. Prej 12 ditësh, këngëtarja e njohur Xhoi dhe bashkëshorti i saj, aktori e regjisori Gent Bejko, kanë mirëpritur fëmijën e dytë. Është djalë, dhe ata e kanë quajtur Igen. Dy muaj pas lindjes së djalit shpreson të kthehet në skenë.

Për të nuk ishte hera e parë, megjithatë emocioni ishte i njëjtë. Kur dëgjoi zërin e të birit, teksa me të qarën e tij përshëndeste jetën, këngëtarja Xhoi Bejko ndjeu të rrëqethej. Pas 8 vjetësh, që kur kishte lindur Ami, Igeni po e bënte nënë për herë të dytë. Bashkëshorti Genti dhe të afërmi, ishin aty mëngjesin e 8 majit, në një nga sallat e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” për t’i uruar mirëseardhjen pjesëtarit më të ri të familjes, që ka rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve. Ndërsa Xhoi ka kurdisur mbrapsht akrepat e orës së mëmësisë, për t’iu rikthyer regjimit të dikurshëm: net të tëra pa gjumë, lodhje fizike dhe vëmendje e përqendruar 24 në 24 ndaj të birit.

Mama për herë të dytë!

Xhoi me vajzën, Ami

Prania e djalit të vogël në shtëpi duket se e ka shkëputur për pak kohë nga mbarëvajtja mësimore ndaj së bijës. Ushtrimet e matematikës, dhe ato të leximit të Amit, nxënëse e klasës së dytë tashmë, kanë kaluar nën mbikëqyrjen e Gentit. Sepse stafetën e vëmendjes për momentin në familjen Bejko e ka rrëmbyer Igeni i vogël. “Lindja e djalit ishte një emocion i papërshkruar me fjalë. Çuditërisht nuk qava në momentin që ai erdhi në jetë, ndoshta edhe për faktin se ishte një ndjesi e provuar më parë, por drithërimat e trupit vështirë se i harroj. Ishte një lindje natyrale, dhe djali peshonte 3 kilogramë e 650 gramë, një fëmijë vërtet i shëndetshëm. E kam përjetuar në çdo detaj këtë shtatzëni, jo vetëm për faktin se ishte gjithçka e planifikuar, por edhe pse përvoja me fëmijën e parë më ka mësuar shumë, duke më ofruar edhe siguri. Për shembull, larjen e parë të bebes në shtëpi pas kthimit nga materniteti, e kam bërë vetëm unë edhe Genti. Këtë herë nuk e ndjemë nevojën e sime mëje apo vjehrrës, ndaj e shijuam edhe më shumë këtë proces”, pohon këngëtarja. Përvoja si nënë i ka mësuar shumëçka, por ajo nuk do mund t’ia dilte e vetme. I ka takuar Gentit të bëjë rolin e babait bashkëpunues në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, duke mos ndjekur modelin e burrit shqiptar që nuk prek asgjë me dorë. “Genti më ndihmon shumë, sidomos gjatë natës, kur peshën e lodhjes e ndiej edhe më shumë. Përveçse e shikon si detyrim prindëror, ai e bën me shumë kënaqësi larjen e djalit, ndërrimin e pelenave, apo kur duhet të ushqehet. Do ishte edhe më e vështirë nëse nuk do të kisha mbështetjen e tij. Ndonëse këto janë ditët e para, ku më shumë jemi të dhënë pas përkëdhelive, pas kureshtisë se tiparet e kujt ka trashëguar…”, vijon ajo. Ndonjëherë i duhet të kufizohet në vëmendjen absolute ndaj të voglit, për të ruajtur të ekuilibruar dashurinë prej nëne. Shikimi shpotitës i Amit, vajzës tetëvjeçare, bashkë me pyetjet e njëpasnjëshme të saj, shpesh e shkundin si për t’i thënë se është edhe ajo aty. Xhoit i duhet shumë kujdes për të mos rënë në grackën e xhelozive të fillimit, që rëndom ndodh mes fëmijëve. “Ami e ka pritur shumë mirë praninë e vëllait të vogël në shtëpi. E përkëdhel shumë, do të luajë me të dhe ta mbajë gjithë kohës në krahë (ndofta ngaqë i duket si kukull), por ne e kufizojmë në këtë drejtim. Deri tani nuk ka shfaqur shenja të hapura xhelozie, edhe pse ato janë të pranueshme mes fëmijëve. Distanca kohore mes të dyve e bën time bijë të ndihet ende e përkëdhelura e familjes, sepse për tetë vjet ajo ka qenë e vetme dhe ka pasur me shumicë përkujdesje”. Por tashmë është radha e Igenit…

Në qershor, rikthim në skenë dhe projekte muzikore

Me bashkëshortin, Gent Bejko, dalë gjatë periudhës së shtatzënisë

Ndodh te të gjithë artistët… Dhe nuk bëhet fjalë për ego të sëmurë profesionale apo etje deri në zenit për karrierë. Kush më mirë se një këngëtare si Xhoi Bejko e di se skena nuk i fal shkëputjet e gjata? Ndaj, ajo bëri kalkulimet e saj, dhe muaji i ardhshëm do e gjejë pikërisht në skenë. Nuk bën dot pa ritmet e gjalla, muzikën, që për të është ilaçi i shpirtit. “Besoj se përgjegjshmëria prindërore duhet kombinuar me atë profesionale, aq sa besoj se në jetën e çdo individi ato ecin paralelisht. Shumë nëna të reja gjykohen për rikthimin e shpejtë në punë, por arti është tërësisht tjetër gjë. Skena nuk i fal largimet apo shkëputjet e gjata për çfarëdolloj arsye qofshin. Besoj se dy muaj në shtëpi me tim bir janë të mjaftueshme për t’u kujdesur pa shkëputje për të, për t’i plotësuar nevojat dhe për të mos e ndarë për asnjë moment nga vetja. Nëse kjo fazë zgjat më shumë, të rrëmben duke të bërë rob të saj, ndaj unë nuk e pranoj dot letargjinë. Pasi të kthehem në punë, sigurisht do di të alternoj oraret e takimet me detyrimet familjare. Fundja-fundit, si kanë bërë nënat tona dhe shumë femra të tjera në kohën e monizmit që i kanë lënë foshnjat 40-ditëshe në çerdhe dhe me çdo kusht janë rikthyer në punë?! Nëse ekziston dëshira e mirë, zgjidhja gjendet doemos”, thotë Xhoi. Planet e saj artistike do të nisin me performancat live nëpër klubet e njohura të kryeqytetit, me projektet muzikore në “Top Channel”, dhe një nga më të rëndësishmit është edicioni i dytë i “The voice of Albania”, ku këngëtarja ka rolin e redaktores së muzikës. “Rikthehem fuqishëm në muzikë, pas një pauze të gjatë, por që për mua ia ka vlejtur. Kur shoh fytyrën e tim biri, mrekullohem pas tij, çdo ditë e më shumë…”.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura