“Xhevahiret” e Universitetit dhe të Gjykatës së Tiranës mbi vjedhjen e së Drejtës së Autorit

Apr 11, 2024 | 14:11
SHPËRNDAJE

Botimi voluminoz akademik (prej 726 faqesh) me titull: “Dyrrahu Ilir” (Illyrisches Dyrrah), Vol. 1, Tiranë 2015, është vepër shkencore e autorit Gjergji Frashëri me përmbajtje dokumentare origjinale historike, arkeologjike, urbanistike dhe arkitekturore, të hulumtuar, udhëhequr, konceptuar dhe hartuar prej tij si drejtues projektesh, gjatë veprimtarisë kërkimore shumëvjeçare të tij në terren në qytetin e Durrësit. Ai gëzon të drejtat e plota të autorit (ISBN 978-9928-4322-0-9), dhënë me certifikatë regjistrimi e së Drejtës të Autorit Nr. 139 RDA, datë 11.07.2016. Libri është produkt i Shtëpisë Botuese Fondacioni “Qendra Frashëri” në Tiranë dhe shtypur në Shtypshkronjën “Köthen GmbH” në Leipzig të Gjermanisë.

frasheri

Me parathënie nga akademiku prof. Dr. Myzafer Korkuti, vepra në fjalë ka marrë ndërkohë vlerësime pozitive prej institucioneve shkencore akademike, autoritete universitare dhe shkencëtare të fushës nga shumë vende të botës, po ashtu në medie. Ajo është promovuar më 27 Janar 2016 në Sallën e Akademisë së Shkencave të Republikës sonë, nën drejtimin e saj dhe me përkrahjen zyrtare të Ambasadës Gjermane në Tiranë. Kjo e fundit për faktin, se prof. Frashëri jo vetëm se, prej vitit 1990 ka punuar në disa universitete të Gjermanisë (München, Bonn, Berlin), por ka realizuar edhe botimin e një sërë monografish dhe studimesh shkencore mbi arkeologjinë gjermane të udhëhequra prej tij si arkeolog, si historian ndërtimi dhe si specialist i mirënjohur në kualifikimin mësimor dhe në praktikë të arkeologëve të rinj në Gjermani e më gjerë. Për këtë arsye, vepra është botuar në gjuhën gjermane, me përmbledhje të zgjeruar në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe.

GJERGJI FRASHËRI

Ditën e 27 janarit 2016, kur vëllimi im i parë mbi historinë arkeologjike të qytetit të famshëm të botës antike me titull “Dyrrahu ilir” (Illyrisches Dyrrah), u promovua në auditorin e Akademisë së Shkencave në Tiranë, as nuk më shkonte nëpër mend, se një “komision” me “profesorë Universiteti” të Tiranës, do të organizonte me ngut pas asaj dite, masakrimin e kësaj vepre të sapopagëzuar zyrtarisht, duke i vjedhur dhe grabitur rëndë brendinë e saj, duke i plaçkitur të drejtat e autorit, për t’a paraqitur si vepër të një të sapodiplomuari, i përzgjedhur prej tyre me kujdes, për t’i dhënë atij titullin “doktor shkencash”.

Zgjedhur prej atyre një i atillë kandidat, që të mos i bëjë “konkurrencë” aftësive të profesorëve të vet, deri në ditën e daljes së tyre në pension.

Dukuri kjo, e modës së profesorëve të paaftë të Epokës së sotme të Shkëlqimit Demokratik mbi këtë popull të prapambetur të sundimit shumëshekullor osman, me karakteristikën shembullore – analfabetizmin, mungesën e arsimimit mbarëpopullor, për të shkruar dhe për të lexuar në gjuhën e vet amtare.

1. Bëhet fjalë për shkeljen brutale të së drejtës së autorit, përmes përvetësimit masiv të lëndës origjinale arkeologjike që kam paraqitur në veprën time mbi “Dyrrahun ilir”, vjedhje nga një “doktorant”, të cilën ai e ka përdorur në punimin e tij për marrjen e gradës shkencore “Doktor”, me titull: “Durrësi Romak: Hapësira Urbane dhe Shoqëria”(2018). Natyrisht ky akt përvetësimi, nuk mund të realizohej pa mbështetjen administrative të institucionit shtetëror, të Universitetit të Tiranës. Udhëheqësja shkencore e kësaj doktorature është arkeologia prof. dr. Iris Pojani (përgjegjëse në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore atje). Ndërsa Komisioni i Dhënies së Titullit prej pesë anëtarësh, përbëhet nga kryetar prof. dr. Lorenc Bejko (asokohe drejtues i këtij Departamenti), nga Dekanja e Fakultetit të Historisë të Universitetit prof. dr. Valentina Duka, nga prof. dr. Afrim Hoti, prof. asoc. dr. Eduard Shehi dhe prof. asoc. dr. Belisa Muka, asokohe punonjës në Institutin e Arkeologjisë pranë QSA Tiranë. Disertacioni është miratuar nga Universiteti i Tiranës dhe publikuar në Faqen e Internetit të tij qysh më 2018:

“(http//www.doktoratura.unitir.edu.al/2018/03/durresi-romak-hapsira-urbane-dhe-shoqeria/)”.

Kështu rezulton, se nga 531 foto dhe ilustrime vizatimore që ndodhen në punimin e doktorantit-kopjac, 386 prej tyre – pra 72,7% të ilustrimeve të doktoraturës së tij – janë dokumente origjinale të papërsëritshme mbi procese të një gërmimi arkeologjik të autorit Frashëri, të cilat, pa lejen e tij, janë marrë duke u skanuar direkt nga libri “Dyrrahu ilir”, domethënë duke i vjedhur! Përveç kësaj, një pjesë e mirë e tyre, gjithsej 86 syresh, mbajnë me paturpësi shënimin sikur janë vepër e Kopjacit, të cilat ai – pasi i ka bërë secilës nga një përpunim qesharak në Photoshop, p.sh., duke hequr disa gurë, disa fije bari apo një copë zorre – i shet si “dokumente të pabotuara, të realizuara prej vetë atij”. Kjo finale përmbyllëse e strategjisë për të vjedhur, përbën kulmin e naivitetit amatoresk dhe kulmin e humorit të plagjiaturës – me akte të një vjedhësi xhepash province, i cili duket se është frymëzuar në këtë aksion nga siguria, se do të mbrohet me fuqinë e “një bande të profesorëve shtetërorë”. Është një rezultat i dhimbshëm për profesorët e lartpërmendur, të cilët kanë mbështetur dhe miratuar doktoraturën e nxënësit të tyre, duke marrë edhe përgjegjësinë e dhënies atij të titullit “Doktor në Arkeologji”. Një veçanti e dhimbshme për udhëheqësen shkencore, e cila duket se për rastin konkret ka marrë barrë mbi supe, qartësisht më shumë se sa i takon të mbajë për nga takati profesional vetjak i fushës.

2. Etika e profesionit midis “profesorëve” të Universitetit shtetëror: Ajo që është njëkohësisht irrituese dhe alarmante është fakti, se të gjithë profesorët e lartpërmendur që “projektuan”, udhëhoqën, vlerësuan dhe miratuan këtë disertacion plagjiature të pashembullt më 2018, janë dhe kanë qenë në dijeni të plotë qysh prej vitit 2010, kur filloi puna për aprovimin e një projekti të madh arkeologjik të Frashërit në Durrës dhe zbatimin e tij në terren. Sepse janë vetëm ata “qëkurse kanë lindur”, që kanë zënë karriget e Këshillave Kombëtarë të Arkeologjisë në Ministrinë e Kulturës, ato të drejtuesve në katedrat homologe të Universitetit të Tiranës dhe më lart, të cilët kalojnë nëpër duar për miratim çdo projekt të kësaj Republike. Madje, disa prej këtyre profesorëve të nderuar, në vitin 2016 ishin vetë pjesëmarrës në promovimin e librit të Frashërit në Sallën e Akademisë së Shkencave, ndërsa kopje të tij, i gjendet gjithsecilit në tavolinën e vet. Pyes si qytetar, duke qëndruar në gjunjë karshi Ikonës së Etikës së Profesionit dhe duke kallëzuar “profesorët” me viktimën e tyre të rradhës – si është e mundur sot, në zemrën e Universitetit të Tiranës, të mbërthyer teorikisht me ligje evropiane të miratuara nga Parlamenti i shtetit tonë, të vidhet e drejta e autorit dhënë me vendim të posaçëm nga Ministria e Kulturës, për botimin e një vepre legale të natyrës specifike shkencore, e mirënjohur kjo tashmë në mjediset shkencore albanologjike brenda dhe jashtë vendit? Ose më konkretisht: kush urdhëroi dhe lejoi nga lart pushtetit, që të përvetësohet e drejta e autorit të Frashërit, përmes një vjedhjeje demonstrative nën përgjegjësinë e Universitetit të Tiranës?! Kush e mbështet një inisiativë institucionale të këtij lloji, me këto përmasa makutërie të frikshme plaçkitëse, pa etikë profesioni, ligjshkelës, njëkohësisht përfaqësues të institucioneve shtetërore?! Cila superstrukturë qeveritare i ushqen dhe ka nevojë të përdorë këtë skemë, për të vjedhur pasurinë intelektuale të qytetarit, sikurse bën në ngjashmëri, me vjedhjen e pasurisë së tokave private anembanë vendit?! Ku po shkon kjo pjesë republike shqiptare ku jetojmë? Deri edhe në përvetësimin pa skrupull të produktit intelektual të qytetarit, prej institucionit universitar përmes vjedhjes së të drejtës së autorit të tij? Po shkojmë drejt “Republikës Shqiptare të Ligjit 7501” edhe në privatizimin dhe zaptimin e ndjenjës kombëtare të qytetarit shqiptar përkushtuar Atdheut dhe Mëmëdheut? Mos është kjo, pjesë e ofensivës për asimilim kombëtar, pasojat e së cilës janë tashmë prej të paktën dekadës së fundit të prekshme?

3. Mbi historinë e plagjiaturës në vendin tonë: Ashtu siç është historia jonë dhe ashtu siç jemi gatuar nè shqipfolësit nëpër shekujt e saj, trashëgojmë midis të mirave që kemi edhe një defekt të madh të karakterit historik. Aq mirë sa dimë të komunikojmë me njëri tjetrin ndër male, aq nuk dimë të komunikojmë me qetësi njerëzore në mjedise qytetare – të marrim prej bashkëqytetarit dhuratë pa kushte atë, që ai e ka me tepricë, për të cilën ai do të mjaftohej të dëgjonte vetëm një falënderim mirënjohjeje të sinqertë, duke të çliruar edhe nga detyrimi për t’ia kthyer nesër. Sepse nuk kemi mësuar të çlirohemi, apo të urtësohemi nga xhelozia ndaj asaj që e sheh t’a ketë tjetri … Përkundrazi, në kushtet e mjerimit shumëshekullor arsimor që mbijetuam, duke dashur të mbulojmë varfërinë tonë në përgjithësi dhe atë të dijeve mbi edukatën e komunikimit shpirtëror qytetar në veçanti, kemi zgjedhur si më të thjeshtë, të marrim vendimin për të vjedhur prej tjetrit edhe atë, që ndoshta nuk na duhet, ose nuk na hyn as në punë po t’a kemi.

Dua të tregoj vetëm një shembull, që e kam përjetuar vetë, prej kohës kur shqiptarët hyjnë në Ambasadën Gjermane në Tiranë më 2 korrik 1990. Pas pak ditësh, një pjesë e tyre mbërritën në qytetin Mynih të Gjermanisë, ku asokohe isha i angazhuar me punë në Universitet (me përkrahjen e Alexander von Humboldt- Stiftung). Nuk kaluan disa javë dhe u dëgjua, se disa prej tyre kishin filluar të kryenin vjedhje dhe gjeste të tjera të sferës penale në mjediset qytetare, nëpër dyqanet, merkatot, apo të aksioneve hakmarrëse deri në plagosje ndaj njëri tjetrit. Në fillim të vitit 1993, në Bundestag-un e Gjermanisë u trajtua posaçërisht tema “Energjia e Krimit të shqiptarëve të sapoardhur në Gjermani”, një analizë me fakte dhe problematika mbi aktet e dënueshme qytetare të vendasve tanë, prej së cilës dolën edhe masat parlamentare të parandalimit dhe ato edukuese të tyre për të ardhmen. Por paraprakisht, u kërkua një përgjigje sa më realiste, mbi shkaqet për këtë energji të pazakontë negative, me të cilën shqiptarët, në përgjithësi të padalë prej dekadash nga Shqipëria, i kryenin këto akte të dënueshme.

Ajo që doja të theksoja është, se historia e ne shqiptarëve në Ballkan, me prije për historinë e prijësve, e zotëve krahinorë apo e komandantëve legjendarë, e ka bërë specifike mungesën e theksuar të qenësisë së jetës tonë qytetare në histori. Shkaku kryesor për këtë është real, mungesa dhe vonesa e theksuar e arsimimit shtetëror mbarëpopullor e lëvruar në shkolla. Në kohën e dyndjes së atdhetarëve tanë në ambasada, gjuha shqipe kishte rreth 80 vjet që ishte themeluar për arsimim (1908, Kongresi i Manastirit) për t’a njësuar në të shkruar dhe në të lexuar, ndërsa teorikisht më pak se 70 vjet (1920-24) kur nisi mësimi i saj në shkollat popullore të vendit. Në cilën fazë të qytetërimit evropian ishte pra pjesa jonë dyndëse që vërshoi nëpër Gjermani dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore më 2 Korrik 1990?! Dhe ku është sot, me këtë edukatë arsimore shkatërrimtare antikombëtare që po marrim?!

Janë romane të tërë për të treguar dhe shkruar mbi ndodhitë pikante deri edhe dramatike shembullore që rrodhën atëherë rëndom, nga njëra anë me të vërteta bëmash kriminale, ndërsa nga ana tjetër me gënjeshtra foshnjore dritëshkurtër që përdornin vendasit tanë, përpara ekspertëve të policisë gjermane, për të justifikuar aktet e hidhura që kryenin në emër të “lirisë dhe demokracisë” – të lirisë, që kishin fituar me “revolucionin e tyre duke shembur diktaturën më të egër të Evropës që paskësh qenë në Shqipëri” dhe sidomos mbas trimërisë skënderbegiane që kishin kryer vëllezërit e tyre në “rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës” në Tiranë pak më vonë. Ndërsa aktet e dënueshme ligjore, që ata vetë i kishin kryer brenda tre vjetëve rresht në Gjermani (1990-92) – një pjesë e mirë me një naivitet njerëzor province, të cilën vetë e kisha të pazbuluar më parë, megjithëse asokohe isha 41/42 vjeç dhe mendoja se e njihja pjesën tonë të Shqipërisë – u dukeshin normale, se “ishin të varfër dhe kishin vuajtur shumë në diktaturë”.

Dua të shkëput vetëm një rast mbi vjedhjen tipike kolektive tradicionale shqiptare, e cila spikati midis shumë të tjerave, edhe në pasurimin e eksperiencës së organeve të policisë gjermane – rastin e vjedhjes në grup të një lavatriçeje në një prej supermarketeve të mëdha afër qendrës së Mynihut. E pabesueshme kur tregon, se si një grup prej pesë shqiptarësh në shoqni me njëri tjetrin, në mes të ditës kur marketi ishte plot me blerës, kishin arritur të kalonin para kasës së tij pa paguar, një lavatriçe të madhe mbi karrocën me rrota dhe nuk ishin kapur nga personeli shitës, megjithëse lavatriçja e paketuar qëndronte si një mal i mënjanuar mbi karrocë, pasi bazamenti i saj ishte më i gjerë se sa kafazi i karrocës. Por, drama kishte shpërthyer, pasi “pesë shokët e aksionit” ishin kthyer në getot e tyre të banimit në periferi të Mynihut. Aty kishte plasur zënka midis tyre, madje në sherr ishin përzierë edhe gratë, se kujt prej tyre i takonte tashmë lavatriçja. Kishin improvizuar aty-për-aty dy “nene kanunore”, njëri mbi argumentin, se lavatriçja i takonte atij që kishte dhënë kontributin më të madh fizik në aksionin e grabitjes së saj (ai që komandoi karrocën) dhe tjetri që çmonte atë që kishte dhënë idenë për vjedhjen, Projektuesin. Zënka kishte agravuar deri aq, sa kishte përfunduar në përplasje me thika dhe plagosje, çka kishte shkaktuar së fundmi ardhjen dhe ndërhyrjen e policisë për të qetësuar situatën – prej së cilës doli në dritë edhe akti i vjedhjes! Si pasojë, humbja e plotë e lavatriçes u zevendësua me dëshpërimin hakmarrës ndaj njëritjetrit! Pra, aq të zotë sa janë vendasit tanë për të vjedhur, aq të pazotë janë për t’u marrë vesh që të ndajnë me qetësi dhe me mirëkuptim plaçkën e vjedhur!

Nuk e di pse, por profesoresha udhëheqëse e Kopjacit, bashkë me pesë profesorët e lartpërmendur të Universitetit të Tiranës që kishin “frymëzuar” atë, m’ë sollën në kujtesë rastin e vjedhjes së lavatriçes 34 vjet më parë në Supermarketin e Mynihut. Atëherë ajo ishte një bashkëpunim për të vjedhur një lavatriçe, ndërsa tani lavatriçja është zëvendësuar me vjedhjen e të Drejtës së Autorit, sepse në këto 34 vjet, kjo e fundit është bërë aktualisht plaçkë me vlerë më të madhe për shqiptarët. Ata, me në krye fshatarët e kthyer në “demokratë” dhe “profesorë” kanë mësuar në kohë, se të pajisurit me “titullin doktor”, të sjell sot jo vetëm më shumë “lavatriçe” dhe para, por të bën edhe deputet parlamenti, apo rektor universiteti, ose ambasador, pse jo edhe Kryeministër.

Vjedhja e së Drejtës së Autorit prej shekujsh nuk ka qenë asnjëherë sëmundje midis shqiptarëve, sepse mbi të gjitha nuk e kemi pasur gjuhën tonë shqipe as për të shkruar, as për të lexuar, as për të bërë “doktoratura”, por vetëm për të folur, për të shpifur dhe për t’u grindur. Ndërkohë që qytetërimi i arsimuar evropian ka të paktën 500 vjet që prodhon dhe shpërndan libra në gjuhët e kombeve përfshirës të saj dhe ka nxjerrë përvojë dhe ligje edhe mbi plagjiaturën.

E kam fjalën, se plagjiatura ndër shqiptarë pothuajse nuk ka ekzistuar de facto si çështje e trajtuar në librat e Gjykatës, deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Po ashtu, nuk ka shumë për t’u shënuar rreth plagjiaturës në dekadat e vrullit tejet zhvillues që morën arsimimi, shkencat dhe letërsia në kohën e Diktaturës. Pra, ajo ka shfaqur simptomat si sëmundje shoqërore në vendin tonë, pas dyndjeve tona politike të viteve 1990-93 dhe sidomos pas fushatave politike haxhiqamiliane shkatërrimtare të vendit në vitin 1997 e këtej.

Sot, vjedhja e të drejtës së autorit apo plagjiatura janë të dënueshme në Evropë dhe më gjerë, për çdo qytetar apo institucion që e ushtron atë. Dëshmor i saj është bërë deri edhe ndonjë kryeministër në Evropë. Vetë kam pasur një rast në vitet 2006- 2007, kur drejtoja me institucionin tim privat, gërmimet arkeologjike në Köln të Gjermanisë, të cilët u klasifikuan nga specialistët e fushës, nga më të mëdhatë në Europën e Pasluftës. Një institucion qendror financues dhe përgjegjës për cilësinë e botimeve atje, ndoshta më tepër për arsye politike në favor të shpërndarjes së rezultateve me përmasa madhore, provoi pas mbarimit të gërmimeve në terren, të më reduktonte pjesë të së drejtës së autorit për botimin e tre monografive nën emrin tim si autor i vetëm, siç e pata të njohur këtë të drejtë me kontratë qysh në fazën e projektimit. Kjo nuk ishte pa arsye, pasi materiali i botimit ishte në atë shkallë madhësie sa dikasteret gjykuan, se e tëra kjo lëndë mund të ndahej në tre pjesë në botimin zyrtar, duke mundësuar të merrnin pjesë edhe disa shkencëtarë cilësorë të përzgjedhur nga mjedise të tjera, gjë e cila ishte në interes të politikës së vendit. Por nuk pranova, për faktin se të gjithë mundin në gërmime, dokumentime dhe konservime për qëllime muzeore e kisha përballuar për vite me radhë vetëm me shkencëtarët e ekipit tim. Për të mbrojtur punën time sipas kontratave, iu drejtova Gjykatës, të them të drejtën jo i bindur se do të fitoja, pasi presioni zyrtar ishte i fortë. Por gjyqin e fitova. Të tre monografitë e projektit në fjalë, janë sot të botuara me emrin tim. Kështu funksionon ligji, të paktën në Evropën Qendrore, mbi të drejtën e autorit.

4. Nuk ka rrugë tjetër në këtë vend, veç t’i drejtohesh Gjykatës? Kërkoj vërtet ndjesë, por në këto vende ku kam punuar, nuk kisha të bëja me gjykatës apo prokurorë, të cilët i japin vendimet duke marrë parasysh – se çfarë “thotë Kunati i shokut Xhemal”! Në vendin tonë, mjerisht Drejtësia ka përfunduar brenda një Kështjelle të fortifikuar si ato të Ali Pashë Tepelenës me kulla të shumta dhe mure të lartë, shpuar nga frëngjitë disakatëshe ku nxjerrin grykën topa të panumërt, që nuk ka “burrë nëne” që t’u afrohet. Nga “PortaBimcë” e kësaj “Kështjelle Hekur-Betoni” të pushtetit hyjnë e dalin papushim “urdhra dhe udhëzime”, se kujt “Miku të Kunatit të Shokut Xhemal” i takon t’i jepet e Drejta nga gjykatësi apo prokurori?! Prej andej dalin edhe përgjigjet-urdhra konsekuente për zbatim: përpara të tjerëve, Atyre që qëndrojnë brenda gardhit të Oborrit të Besnikëve të Pushtetit – qoftë edhe “Lizës besnike të Qymyrit”, patjetër “Profesorëve Plagjiatë të Universitetit të Tiranës” bashkë me “Kaçarrumat kopjacë” të tyre që po na lënë trashëgim pas vedit, sepse ata sigurojnë “vazhdimësinë e llojit”.

U bënë tashmë gjashtë vjet, që profesorët e shtetit bashkë me “viktimën” e tyre, e kanë treguar haptas, se duan t’a gëzojnë punën që kanë marrë në fshehtësi dhe në pabesi, duke i besuar jo ligjit, por “Fuqisë së Besëlidhjes së Profesorëve” që themelohet enkas për të tilla aksione. Një pjellë kjo, e modelit institucional shtetëror në shërbim të pushtetit që ka për strategji – vjedhjen e pasurisë shtetërore dhe private anembanë vendit, midis tyre edhe atë intelektuale shpirtërore të qytetarit vendas. Detyrë e vështirë kjo, për t’iu besuar qytetarëve të ndershëm, të cilët i përkushtohen në jetë aftësisë në profesion për të jetuar me djersën e tyre. Prandaj, grabitja e mundit së të tjerëve bëhet kryesisht nga vendas të përzgjedhur prej shtresës historikisht të varfër për nga prejardhja intelektuale familjare, prej atyre me aftësi të kufizuara profesionale që e kanë të pamundur të nxjerrin vetë prodhimin vetjak intelektual në nivelin bashkëkohor, ku përfshihet edhe produkti shkencor historik dhe në veçanti edhe ai arkeologjik.

Përvoja e qytetërimit bashkëkohor rekomandon, se rruga më e mirë për t’a gjetur të drejtën edhe kur t’a shkelin me qëllim të keq, është sidoqoftë t’i drejtohesh Gjykatës. Por, është gjithashtu detyrë e qytetarit, që përpara se të kallëzojë në Gjykatë një subjekt, duhet të bëjë përpjekjen e tij jashtëgjyqësore për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët. Edhe unë atë bëra, bashkë me avokatet e mi, qëkurse e konstatova këtë masakër primitivësh në marsin e vitit 2018. Por kjo përpjekje nuk pati sukses, sepse e them haptas, qysh në krye u ndesha me qëndrimin infantil dhe të papjekur të Kopjacit dhe nga ana tjetër, me atë të një urrejtjeje histerike të habitshme të “profesorëve” të lartpërmendur, me sa duket, të vendosur që me çdo kusht, të shkelnin punën dhe të drejtën time të autorit përmes nxënësit të tyre të përzgjedhur. Askush prej tyre nuk kërkoi së paku të bisedonte me mua, megjithëse edhe nga pikëpamja e etikës shoqërorë, kam moshën më të madhe nga secili prej tyre. Askush prej tyre nuk kërkoi ndjesë dhe aq më pak falje! Asnjë përpjekje për të larguar njëherazi nga uebsajt i Universitetit të Tiranës, punimin e Kopjacit me morinë e fotove dhe të vizatimeve origjinale dokumentare të skanuara nga libri im dhe të publikuara pa autorizim. Sepse vetëm kaq, i pati kërkuar prej fillimit me shkrim avokati im Universitetit të Tiranës si dhe rektorit të tij (shkresë e datës 03.04.2018, d.m.th., rreth 6 muaj para ngritjes së kërkesëpadisë, 26.09.2018).

Përkundrazi, Universiteti në vend që t’a largonte doktoraturën në fjalë nga uebsajt i tij (siç është rregulli dhe qëndrimi i institucioneve në Evropë), bëri të kundërtën. Ai preferoi të krijonte “vetë” një të ashtuquajtur “Komision Verifikues”, të përbërë me tre profesorë të tjerë të tij (prof. dr. Migena Leskoviku, prof. dr. Ajet Shahu dhe prof. dr. Adem Jakllari) d.m.th., një komision i varur 100% nga vetë Universiteti – me qëllim, që ata të “mbronin” veprën e vjedhjes dhe të falsifikimit nga kolegët e vet dhe të doktorantit të tyre. Por, ky komision e nxori vetvetiu jashtë loje, duke u shprehur në relacionin e tij, se “… nuk është në gjendje të identifikojë ose jo plagjiaturën” e fotove dhe ilustrime. Mëgjithatë, askush nga Universiteti nuk bëri edhe vetëm një përpjekje ndjese apo mirëkuptimi për shkeljen brutale kolektive nga punonjësit e vet. Kësaj i thonë, edhe hajdut edhe krenar!

– Përpjekje tjetër ishte edhe një letër që i nisa personalisht Kryeministrit më 24.12.2018, të shoqëruar me një kopje të librit tim “Dyrrahu ilir”, të cilin ia dërgova si dhuratë duke e dorëzuar në Zyrën e Protokollit të Kryeministrisë. Nuk i kërkoja atij asgjë, veçse t’a vija menjëherë në dijeni titullarin e shtetit, mbi përmasat e shkeljes të së drejtës time të autorit në veprën shkencore të lartpërmendur. Pasi e vlerësova për detyrë qytetare, t’a informoja atë mbi këtë shfaqje të nivelit të lartë korruptiv midis një grupi profesorësh të Universitetit të Tiranës, të cilët viktimizojnë studentët dhe kandidatët për doktorantë, duke i “dhuruar” një titull shkencor pa meritë dhe pa moral, duke i mësuar të mbishkelin të drejtën e autorit, të një studiuesi të njohur të fushës. Por, nuk mora kurrë përgjigje, madje as edhe një falënderim formal prej tij.

Brezi ynë i lindur në vitet ’40 të shekullit të kaluar, është dëshmitar i një revolucioni në kuptimin e plotë të fjalës, të përparimit arsimor në gjuhën e vet të mbarë popullit me analfabetizëm shumëshekullor dhe të ndërtimit nga themeli të shkollës kombëtare në tërë disiplinat e bashkëkohore në rrugën e qytetërimit shtetëror evropian. Na u dha rasti të tregonim dhe të ballafaqonim prej viteve ’70 dhe deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar, brenda dhe jashtë vendit, me modesti dhe në pavarësi, arritjet e shkencës sonë vendase në shumë fusha të veprimtarisë reale që e kishte përfshirë zhvillimin e vendit. Pjesa jonë që ende ka mbetur në jetë, po shohim me keqardhje dhe po marrim pa e dashur rolin e Dëshmitarit, jo vetëm të rrënimit ekonomik dhe atë arsimor e shkencor të vendit, por edhe të degjenerimit moral tërësor shtetëror tashmë me revan të pandalshëm. U bënë vite që jam kthyer në vend dhe po përpiqem të përmbush thirrjen dhe amanetet e paraardhësve të familjes sime, t’i dhuroj vendit atë që ai ka nevojë prej meje dhe që mundem, pa i kërkuar asgjë në kuptimin e plotë të fjalës. Por, pushteti dhe qeveria e sotme nuk m’ë kanë lënë shumë ajër për të kontribuar në ato që ka nevojë vendi, as për mundësitë vetjake profesionale, përkundrazi, po dërgon sinjale harbuti, se nuk do, mundësisht as të rrimë këtu, por të largohem sëbashku me gruan time nga vendi, siç janë detyruar të gjithë anëtarët e familjes sonë të lashtë mëmëdhetarë.

Besoj se ka mbetur ende ndonjë bashkatdhetar tjetër, që vazhdon t’i përkasë atyre, të cilët kanë marrë pjesë fizikisht dhe emocionalisht dhe, që e kanë admiruar kohën e ndërtimit të veprave në pronësi të përbashkët shtetërore anembanë vendit. Kemi besuar me dëshirë atë që u premtua në ato dekada të punës, se të gjitha ato vepra prej arsimit dhe deri te industria, po i ndërtonim për të ardhmen dhe sigurinë e jetës sonë. Kemi besuar udhëheqjen politike të asaj kohe – pasi një copë e mbetur nga Shqipëria po mbushej me shkolla në çdo cep të vendit, me arsim në gjuhën amtare dhe me vepra nga të gjitha llojet që ngriheshin mbi tokën e Atdheut tonë, pasi ata që i ndërtonin ato, ishin shqiptarët, ishim né me duart tona, me dijet dhe kualifikimin që fitonim në shkollat dhe universitetet tona, përmes punës reale dhe sakrificat legjitime që bënim për ndërtimin e tyre. Ishte njëkohësisht edhe premtimi, se do t’i gëzonim përjetë bashkërisht ato që po ndërtonim me vështirësitë e kohës, por edhe me solidaritetin dhe nevojën për njëri tjetrin. Shqipëria e Republikës sonë po bëhej, ashtu siç kishin ëndërruar Rilindësit. Kështu flisnin brenda familjes sonë, kur né mbaruam shkollat dhe u angazhuam të jepnim ndihmesën tonë në profesionet që ushtronim. Dikur nga viti 1982, me rastin e një jubileu kombëtar, dëgjuam edhe një premtim të madh, se udhëheqja e vendit në moshë të thyer, po mendonte dhe po punonte për freskimin e saj me Stafetën e brezit të ri, për të garantuar për të ardhmen, realitetin kombëtar, se pasuria e përbashkët shtetërore do t’i takojë përherë popullit, bashkë me zhvillimin dhe mbrojtjen e vendit.

Por, mbas Rënies së Murit të Berlinit (9 nëntor 1989), ky realitet në Republikën tonë Socialiste të Shqipërisë ndryshoi shumë. Dhe këto ndryshime nuk patën lidhje thjeshtë me braktisjen e së kaluarës, as me “çeqet e bardha” falas të Perëndimit, aq sa me kalimin nëpër tunele të errëta dhe të panjohura për të mbërritur këtu ku jemi. Vendi ynë u kthye nga Republika Socialiste e Shqipërisë e pronës së përbashkët shtetërore, në Republikën shqiptare të “Ligjit 7501”. Kjo është çelësi për të kuptuar ndryshimet thelbësore midis perspektivave të tij: prej Shtetit popullor (prej 1946) dhe atij Socialist (pas 1976) në atë të Shtetit të “Ligjit 7501” (1991) – pra, prej shfuqizimit total të pronës private (1946) në kthimin total në pronësinë private me ligjin e 19 korrikut 1991, “për tokën bujqësore”. Pse, vetëm për tokën bujqësore? Apo në vijim (prej 2013) edhe për pjesën tjetër?!

Çfarë nuk po përputhej më tej, pas vitit 1990, me premtimet historike, me vendosmërinë dhe sigurinë e përvojës të udhëheqjes së deriatëhershme të PPSH-së, të cilat i patëm gjetur të moralshme dhe bindëse në epokën e saj, i patëm besuar dhe ndjekur në punën dhe jetën tonë nën interesin e përbashkët popullor? Shpejt mësuam të gjithë dhe pamë në vitet në vijim, se si pas “Shpalljes së Ligjit 7501” (1991), tërë veprat që kishim ngritur më se 40 vjet rresht, u rrëzuan para syve tanë në mënyrë brutale, në atë formë dhe masë që të kujtonin “Revoltën e Ludizmit për prishjen e makinave në Angli në fillimet e shek.19”. Dhe nuk e kuptuam, as deri më sot – Përse? Edhe në se fshihej qëllimi i Mbrapshtë, për të vjedhur pasuritë e Vendit, ju siguroj se nuk ia ka vlejtur! Do t’a shihni vetë, ju që u ngazëlluat nga gëzimi i asaj shembjeje!

Sepse ato vepra të ndërtuara nga duart e një populli të tërë, u rrënuan në formën më kriminale nën drejtimin e shtetit dhe nën brohoritjet e vetë turmave popullore, sikur kishin bërë të dy bashkë gabim të madh historik që i kishin ndërtuar! Sikur të mos ishin vetë ndërtuesit që i kishin inauguruar dhe gëzuar, por të kishin qenë fajtorët përgjegjës për ndërtimin e tyre! Koha na “shpërbleu” edhe me dënimin, duke na i rrëzuar jo vetëm veprat e punës dhe të mirëqenies sonë, por na mori edhe vendet e punësimit duke na lënë pa punë, të merrnim rrugët ndër vise të huaja, pa perspektivë në Atdhé për të ardhmen e fëmijëve tanë. Nuk u zëvendësua asgjë, asnjë vepër prej atyre që u ndërtuan me sakrifica dhe u rrënuan para syve tanë në paqe! Masakër historike me shkaktarë, autorë me emra dhe kriminelë përgjegjës të veprës popullore! Të pa shpallur deri më sot, të panjohur për të ardhmen! Prandaj i besojmë gënjeshtarëve! Prandaj i lëmë të vjedhin deri edhe të drejtën e autorit të qytetarit! Komedia jonë Hyjnore vazhdon! Tërë jetën jetuam dhe vijojmë të jetojmë në errësirën e tunelit të historisë sonë! Edhe kur dalim disa çaste jashtë në dritë, betonizojmë përreth grykës së Tuneli dhe prishim vetë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura