Nuri Dragoj, pas botimit vitet e fundit të disa librave kushtuar kryesisht çështjes kombëtare, pas dy librave për jetën dhe krijimtarinë e Kasem Trebeshinës, vjen sot para nesh me një libër për poetin Xhevair Spahiu. Ky libër për sfidat e poetit besoj se ka qenë një sfidë edhe për autorin e tij, sepse ka marrë përsipër të shkruajë për një poet të veçantë si poet, por të veçantë edhe si njeri, me një jetë të pasur e të trazuar, për një krijues në shpirtin e të cilit janë kapërthyer të kundërtat e një realiteti herë real e herë sureal, herë frymëzues e herë trishtues, të një ferrparajse të përjetuar intensivisht nga poeti.
Siç thotë autori në mbyllje të librit, nuk i ka lindur rastësisht ideja për të shkruar për Xhevahir Spahiun, nuk i ka lindur thjesht dhe vetëm nga dashuria për Xhevon, por në radhë të parë se Xhevahir Spahiu është një poet qytetar, elegant dhe i fuqishëm dhe, nga ana tjetër, se nga njohja e afërt me poetin atij i është krijuar bindja se ky njeri, siç thotë, ka lindur më këmbë, ka ecur më këmbë duke mos u zvarritur asnjë herë, ka shkruar më këmbë, duke rrugëtuar anë e kënd atdheut rrugëve të vështira të jetës, ka mbetur më këmbë, dhe se ndoshta edhe vdekjen ka për ta pritur në këmbë, pa borxhe ndaj vendit të tij, ndaj fjalës shqipe dhe ndaj njerëzve.
Me ligjërimin e shkathët publicistik, me një stil të ngjyrosur emocionalisht, Nuri Dragoj na bën përmes librit të tij të ndjekim rrugëtimin jetësor të poetit, të lidhur ngushtë me vendlindjen, të pushtuar nga kulti i Tomorrit dhe nga kulti i gjuhës shqipe, nga dashuria për njerëzit dhe nga kulti i lirisë, si atribut i një shpirti të lirë dhe i një frymëzimi poetik i një krijuesi që sfidon kohën dhe konvencionet e imponuara prej saj. Autori ka gjurmuar hap pas hapi poetin në këtë rrugëtim tashmë gati shtatëdhjetëvjeçar, ka qëmtuar me kujdes kujtimet e bashkëkohësve të poetit, ka hedhur në letër mbresat e takimeve të tij me poetin, në situata nga më të ndryshmet, çka i jep mundësinë ta zbulojë portretin dhe personalitetin e poetit, nga anë të ndryshme, në kompleksitetin e vet, me vërtetësi edhe atëherë kur emocionet rrezikojnë një subjektivizëm të pashmangshëm, siç ndodh rëndom për çdo libër të shkruar me zemër dhe me dashuri.
Nuri Dragoj ka ditur të rindërtojë me detaje një jetëshkrim të gjallë të poetit, në ditët e tij të mira dhe të këqija, të rikrijojë atmosferën e kohës ose të kohëve të poetit dhe të na ngulisë në mendje ne si lexues, portretin e Xhevos, ashtu siç është, i butë dhe i ashpër, i qetë dhe i rebeluar, i kthjellët dhe i dalldisur në krahët e frymëzimit dhe të përkushtimit human, që e ka shoqëruar gjithë jetën, ka ditur të na japë Xhevon në shoqëri dhe në familje, Xhevon të vështruar prej tij dhe prej miqve e bashkëpunëtorëve të tij. Nuri Dragoj me këtë libër dëshmon se ai di ta bëjë mirë punën e tij të publicistit dhe nuk merr përsipër të bëjë punën e kritikut letrar, siç e pohon vetë, por ai me librin e tij e ndihmon kritikun dhe historianin e letërsisë të kuptojë rrethanat e formimit të poetit, kontekstin historik në të cilin ka lindur dhe është ngjizur poezia e tij. Këtë mungesë autori është përpjekur ta kompensojë duke sjellë në fund të librit mbresa dhe vlerësime të “vëllezërve poetë”, mbresa dhe vlerësime për poezinë e Xhevahir Spahiut nga Dritëro Agolli, Agim Vinca, Moikom Zeqo, Koçi Petriti, Petrit Ruka, Ali Podrimja, Agim Gjakova e të tjerë.
U mbetet radha kritikëve dhe historianëve të letërsisë, që duke pasur në dorë këtë libër që hedh dritë në kontekstin ku ka lindur poezia e Xhevahir Spahiut, të interpretojë tekstin e tij poetik, atë që përbën sfidën e madhe, sfidën kryesore të poetit.
Xhevahir Spahiu e ka përballuar këtë sfidë me vetëdijen e vlerës dhe të forcës së fjalës; ai ka lëvruar fjalën shqipe, i është falur kultit të saj, i ka dhënë jetë të re asaj duke bërë një poezi qytetare, që shpreh shpirtin e popullit të vet dhe i flet atij për ta çliruar nga frikërat e jashtme që ndrydhin lirinë e brendshme të individit.
Poezia e Xhevahir Spahiut është poezia e shpirtit të lirë njerëzor, është poezi e një shpirti antikonformist, që sfidon kohët dhe jetën përtej koniunkturave të tyre. Xhevahir Spahiu i përket çetës së rebeluar të poetëve, racës zemërake të poetëve, Genus Irritabile Vatum, siç thotë latini. Përjetësisht rebel dhe i zemëruar, i zemëruar me padrejtësitë shoqërore dhe kombëtare, i zemëruar me fatin e popullit të tij dhe me vonesat e tij historike, me diktaturat dhe diktatorët, me amoralitetin e politikanëve dhe me veset dhe cenet morale të njeriut, Xhevahir Spahiu ka krijuar një vepër që ngrihet si një metaforë e madhe në udhën e lirisë dhe të afirmimit të vlerave morale të njeriut dhe të kombit, si një dëshmi e dashurisë dhe e përkushtimit të tij ndaj magjisë së fjalës shqipe dhe ndaj vendit të tij. Poezia e Xhevahir Spahiut është një lirikë e mbrujtur me nerv, por edhe me fisnikëri dhe elegancë poetike, një poezi e tingullit dhe e imazhit, e ndjenjës dhe e mendimit, e emocioneve dhe e asosacioneve të gjëra. Poetët, thoshte De Rada, janë profetë. Profet ishte edhe vetë De Rada kur shpalli profecinë “Erdhi Dit e Arbrit”, profet ishte Naimi kur profetizoi ardhjen e ditës së lirisë, “që lind nga Perëndia”, profet ishte Migjeni kur këndoi këngët e rinisë. Profetike ishin vargjet e Xhevahirit për Kosovën, në muajin e nëntë, që priste të lindte lirinë, profeci që u sendërtua, pas 9 a më shumë vitesh. Ky besim profetik në ëndrrën e lirisë që është buka e jetës, si thotë Noli, i jep poezisë së Xhevahir Spahiut një rezonancë dhe një vlerë universale për botën tonë shqiptare.
© Panorama.al












