Xherdan Shaqiri: Marr 15 mijë letra në muaj, shoqëruar me imazhe të nxehta femrash

Sep 16, 2012 | 12:45

Futbollisti shqiptar i Zvicrës u bë personazhi i javës në media, pas golit që shënoi në portën tonë.

12 milionë euro i ka kushtuar skuadrës gjermane të Bayern Muchen që të angazhojë në radhët e veta talentin kosovar që luan për Zvicrën, Xherdan Shaqiri. Mesfushori 20-vjeçar, idhull i shumë të rinjve, tashmë edhe në Europë, në një intervistë për mediat gjermane ka sqaruar jetën e tij larg familjes, ndërsa është komentuar shumë pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Zvicrës, në të cilën vendi ynë humbi lojën. Xherdani u quajt tradhtar, edhe pse pasi shënoi golin ai nuk e festoi atë. Për më shumë lexoni në intervistën e tij në vazhdim…
Ka pak kohë që je në Mynih, lojtarët gjithmonë zgjedhin qeset e mbushura, kush e menaxhon buxhetin tuaj tashmë?
Unë isha ai që këmbëngula të vij në Mynih, pasi nuk doja të humbisja këtë ofertë, edhe pse jam mjaft i vetëdijshëm për këtë gjë. Gjithmonë me mbështetjen e njëri-tjetrit, me prindërit dhe vëllezërit menaxhojmë punët, ata janë shpesh këtu, pasi jemi larg vetëm gjysmë ore.
Ju jetoni vetëm, merreni vetë me gatimin?
Natyrisht, gjithçka e bëj vetë, madje përgatis për vete vetëm mish si mënyra më e mirë për t’u ushqyer.
Po punët e shtëpisë vetë i bën?
Sigurisht, çfarë mendoni ju? Unë jam një “amvis” i përsosur (qesh).
Xherdan, për çfarë e ndien mungesën e nënës?
Për ushqimet e mira, ajo gatuan gjëra të cilat nuk i bën njeri.  Më mungon kjo gjë, por edhe tryeza në shtëpi ku uleshim të gjithë së bashku për darkë.
Keni respekt për shtypin rozë në Mynih?
Unë sigurisht që jam shumë i kujdesshëm në këtë drejtim, pasi nuk pretendoj që të jem lajm kryesor gjithmonë.
Vizitoni lokalet P1?
Jo, nuk e di çfarë janë.
Disko, ku lojtarët e Bayernit thyejnë hapur rregullat dhe pastaj vrapojnë pas femrave…
Nuk e di, ndoshta nuk do i kisha preferuar për veten (qesh).
Në Zvicër ju jeni një idhull për të rinjtë, mendon se është e vështirë që një njeri i famshëm të gjejë gruan ideale?
Po, sigurisht që është shumë e vështirë. Fillimisht duhet të di nëse femra është e interesuar për futboll, se jo të gjitha mund të përballojnë këtë situatë në të cilën kalojnë futbollistët. Ka kohë të mendoj një gjë të tillë, nëse do të gjej një femër e cila do më dojë mua si Xherdan apo si futbollist.
Sa mesazhe dashurie merrni në ditë?
Erdini, vëllai im merret me rregullimin e këtyre gjërave. Ndoshta më shumë se 15 mijë letra në muaj, propozime për martesë ende nuk ka pasur në mesin e tyre, por vetëm numra telefoni dhe imazhe të nxehta.
Dhe, bëni ndonjëherë përzgjedhjen e ndonjë numri prej tyre?
Sigurisht që jo, as që diskutohet kjo gjë.
Si i keni kaluar javët e fundit të verës së këtij viti?
Kam qenë me pushime në Kroaci. Së bashku me vëllezërit kemi udhëtuar me makinë duke zbuluar kështu shumë vende të bukura rreth detit.
Si arrini të mbani peshën e duhur?
Si natyrë nuk jam i lëvizshëm shumë dhe jam mësuar që të ushtroj gjithmonë dy herë në ditë. Më shumë konsumoj peshkun edhe atë gjatë darkës, por nuk e kam problem të shtoj peshë, sepse e largoj menjëherë.
Jeni gjithashtu edhe imazh i Coca-Cola, si ndiheni në këtë rast?
Nuk përbën problem aspak, pasi pas lojës unë gjithmonë konsumoj coca-cola të ftohtë, gjë që më bën të ndihem mirë. Jam i kënaqur që punoj dhe kam bashkëpunim me ta, pasi mbetet një markë bazike.
Zakonsisht thuhet se pas çdo ndeshjeje ju telefononi prindërit tuaj, pse?
Nëna ime gjithmonë dëshiron të më dëgjojë pas ndeshjes nëse jam mirë, pasi gjëja më e rëndësishme për të është që të kthehem në shtëpi i shëndetshëm.

Shaqiri: Nuk ua vë veshin mediave kur më quajnë tradhtar
Ju keni marrëdhënie të mira me shqiptarët?

(Qesh) Ndihem mirë, jam i gëzuar që…
Që fitoi Zvicra?
Po…(qesh).
Nuk u mërzite që nuk fitoi Shqipëria?
Ne e kemi ditur që në fillim kur kanë ardhur se ka me qenë një lojë shumë emocionuese, ne kemi bërë lojën, nuk ua kemi vënë veshin shumë mediave, sepse shumë është shkruar për këtë gjë.
Duket sikur ka qenë e koordinuar, se po të shënoje nuk do të festoje…
Jo jo, e keni parë ndoshta që unë nuk e kam festuar golin, vetëm për respekt ndaj shqiptarëve nuk kam festuar për golin, sepse kam respekt për Shqipërinë se jemi një familje.
Një porosi për shqiptarët…
Shumë më kanë thënë tradhtar, askush nuk e di realitetin, sepse duhet të shihet një herë realiteti e më pas të flitet dhe të shkruhet.

BLERAND REXHEPI

© Panorama.al

Te lidhura