Xhensila Myrtezaj: Një këngë për parandjenjën në dashuri, nuk më pëlqen t’i këndoj ndarjes

Aug 6, 2011 | 15:17

Sensualitetin e saj në baladën “Engjëlli im”, e ka konvertuar në potencën e femrës fatale në klipin e saj më të ri me titull “Dikush të do”. Si një 18-vjeçare joshëse dhe me zë të bukur, Xhensila Myrtezaj ka vendosur t’ia dedikojë këngët e saj dashurisë së vërtetë. Edhe pse fabulat me ndarje krijojnë më shumë impakt, ajo ka vendosur të ndjekë linjën e saj, pasi i pëlqen që me muzikë të përcjellë emocione pozitive. Në këtë intervistë flet për frymëzimin, fejesën dhe pushimet me partnerin e saj, aktorin e “Portokalli”-së, Besart Kallaku.

Nga një baladë me titull “Engjëlli im”, tani me një këngë me mesazh të bukur për të gjithë, shpresë e humbur në dashuri, me titull “Dikush të do”. Pse kjo këngë, si lindi historia e fabulës?

Titulli “Dikush të do” ka po aq kuptim sa dhe “Ëngjëlli im”, sepse gjithkush që ka një ëngjëll të vetin, e do ta ketë afër ne momente të ndryshme të jetës së tij. Por në këtë rast, dy këngët dhe rrymat muzikore nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Kënga “Dikush të do” flet për çdo njeri të sapodashuruar. Kur ai person është ëndrra jote, ai njëkohësisht është çdo rrahje zemre për ty, aq sa kujtimi për të të zgjon dhe nga gjumi. Shkurt, kjo këngë i dedikohet ndjesisë kur e ndien se dikush të do.

Po ashtu nga baladë, kësaj here në ritmet “house”. Si e ndien veten në këtë rrymë të përshtatshme për të kërcyer në clube?

House është bërë tendencë në tregun muzikor shqiptar, pasi është rrymë që pëlqehet shumë nga të rinjtë. Gjithashtu, dëshira ime ishtë shumë e madhe që të realizoja një këngë të tillë, pasi bashkëpunimi me Flori Mumajesin, që e njeh shumë mirë këtë rrymë, shtoi sigurinë dhe besimin tim.

Duket se të gjitha këngët e tua i kushtohen dashurisë së paqtë. Do të mund të shihnim ndonjëherë që t’i këndoje ndarjes apo urrejtjes. Je supersticioze?

Më pëlqen më shumë optimizmi sesa pesimizmi edhe në këngë. Kjo vihet re edhe në tekstet e mia. Kjo sepse gjithnjë kam dashur që këngët e mia të sillnin mendime pozitive tek të gjithë.

Ku ndihesh më mirë, në cilën rrymë muzikore këndon për shpirtin tënd?

S’e di. Ndoshta s’jam në atë stad që të vetidendifikohem në një rrymë të caktuar muzikore. Jam ende duke eksploruar.

Tashmë je e fejuar. Çfarë ndikimi ka tashmë i fejuari yt Besi në realizimin e këngëve dhe klipeve të tua?

Besi është shtysa ime më e madhe për të vazhduar përpara. Jam e bindur që nuk do të isha kurrë këtu ku jam, pa ndihmën e tij.

Ndërkohë që veç punës dhe këngëve të reja, keni planifikuar pushime si çif?

Unë dhe Besi jemi të dy tipa që na pëlqen të udhëtojmë, më mirë pak ditë në shumë vende sesa shumë ditë në të njëjtin vend, aq sa brenda kësaj jave kemi qenë në një udhëtim në Vlorë, Sarandë dhe Lurë (qesh).

© Panorama.al

Te lidhura