
TIRANE – Protagonisti i tentativës së hedhjes nga vinçi i një pallati në ndërtim në qendër të Tiranës, Xhemal Zhuri, dëshmoi dje motivet e ngjarjes në një intervistë ekskluzive për televizionin News 24. i përndjekuri politik, 53-vjeçari Xhemal Zhuri, ka thënë se mungesa e korrektesës në marrjen e fondit të kompensimit për vitet e burgut politik ka qenë shkaku i ngjarjes së ndodhur në fundjavë. Gjatë intervistës, Xhemal Zhuri ka thënë se dëmshpërblimi financiar është burimi i vetëm i jetesës për të. Zhuri rrëfeu dje se ka plotësuar të gjithë dokumentacionin për të marrë kompensimin financiar për 22 vitet e burgut politik, por thotë se nuk ka marrë asgjë. “Shkaku i ngjarjes ishte se jam pa punë, pa lek, nuk po na i japin fondet që ka lëvruar Ministria e Drejtësisë. Po na mashtrojnë, kemi vuajtur gjithë jetën, dola nga burgu, mora pjesë në hedhjen e bustit të Enver Hoxhës. Kam qenë i burgosur politik, mbi 10 vjet në burg. Shteti të na japë dëmshpërblim, janë bërë dokumentet dhe nuk dimë më ku janë. Kemi harxhuar lekë për të bërë dokumentet, mora një këst dëmshpërblim, tani po pres këstin tjetër. E kisha ndarë mendjen për t’u hedhur nga vinçi”,- ka thënë dje Xhemal Zhuri. “Më ka rënë bretku në Spaç, kërkoj lekët e punës, dëmshpërblim për birucën, por edhe pse kam punuar atje, të më lidhin pension, të paktën të firmos diku”, është shprehur më tej protagonisti i ngjarjes së pazakontë, që la pa frymë Tiranën në fundjavë. I përndjekuri politik theksoi se kërkon vëmendjen e duhur nga shteti. “Unë bëj paralajmërim që shteti të qëndrojë korrekt, siç i rrimë ne korrekt, të jetë korrekt me ne. Dua djersën time”, pohoi 53-vjeçari. Ai thotë se në familje mban 3 fëmijët dhe i vetmi burim financimi është rroga e gruas së tij. Zhuri theksoi se ditën e diel kishte marrë vendimin për t’u ngjitur në vinç dhe kishte vendosur t’i jepte fund jetës. Gjatë intervistës, 53-vjeçari rrëfen se nuk është hedhur nga vinçi vetëm falë këmbënguljes së zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili negocioi me të për disa minuta.











