Edhe pse pritej shpërthimi i një cunami në dyert e FIFA-s, presidenti i CONCACAF, Xhek Uarner, ka bërë të kundërtën, duke dalë në kundërshtim me fjalët e tij. Edhe pse zëvendëspresidenti i FIFA-s Uarner u shpalli luftë dy kandidatëve, Blaterit, Bin Hamamit, si dhe katër anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, ai është tërhequr, duke mbyllur një kapitull, ndoshta më interesantin e 107 viteve të historisë së institucionit më të lartë të futbollit. Edhe pse ditën e hënë ministri i Transporteve në Trinidad Tabako mendoi të ndalonte Blaterin duke hedhur baltë mbi figurën e tij. Anulimi i konferencës për shtyp në Zyrih ditën e martë, duket se ka sjellë dhe tjetërsimin e mendimit të Xhek Uarnerit. Pas marrëveshjes dhe bashkëbisedimit me kreun aktual të FIFA-s dhe vartësit e tij, numri 1 i CONCACAF ka surprizuar opinionin publik me letrën e tij të hapur dërguar Unitetit të Futbollit në Karaibe (CFU), ku u kërkonte anëtarëve të këtij institucioni përkrahjen me votë për Blaterin në zgjedhjet e 1 qershorit (sot). “Në takimin e fundit ramë dakord si union të përkrahim misionin e kreut aktual, Sep Blater. Vendosëm që së bashku ta përkrahim, duke votuar për mandatin e tij të katërt. Dua t’ju siguroj se nuk ka ndryshuar asgjë. Ne vendosëm përfundimisht dhe duhet ta bëjmë fakt të kryer”,- i shkruante Xhek Uarner delegacionit të CFU-së. Me këtë letër të hapur, zëvendëspresidenti i FIFA-s, Xhek Uarner, ka mbyllur dosjet e “krimit”, ku akuzoi dhe Blaterin për ryshfet 700 mijë euro federatës së tij, si dhe disa anëtarë të Komisionit Ekzekutiv, të cilët dyshohen për shitje të votës në përzgjedhjen e Katarit, organizator të Botërorit 2022.
Anglia do shtyrje të zgjedhjeve
Kaosi i shkaktuar në FIFA ka sjellë pakënaqësinë e gjithë botës, madje dhe shqetësimin e sponsorëve kryesorë të saj, si ‘Coca-Cola’ dhe ‘Adidas’, të cilët kërkojnë transparencë dhe një imazh pozitiv të këtij institucioni. Meqenëse zgjedhjet afruan, dhe Blater e eliminoi me zgjuarsi rivalin e tij, duke dalë i vetëm pa kundërshtar, federatat europiane, ajo e Anglisë dhe Skocisë, kërkojnë shtyrje të zgjedhjeve, për të mos i dhënë mundësi 75-vjeçarit zviceran të sjellë votimin si në “diktaturë”.











