“Rona, zëri më i bukur që kam dëgjuar ndonjëherë”
Këngëtari i talentuar turk do të përfaqësojë Turqinë në skenën e “Eurosong 2012”, një nga evenimentet muzikore më të rëndësishme botërore që këtë vit do të zhvillohet në Azerbajxhan. Ditën e djeshme, Xhan Bonomo ishte në Tiranë, pikërisht për të promovuar hitin e tij. Ai nuk kurseu përshtypjet pozitive për shqiptarët teksa rrëfeu motivet se pse zgjodhi vendin tonë për të promovuar këngën e tij “Love me back” dhe sekuencën mbresëlënës pas takimit me Rona Nishliun, këngëtaren shqiptare, në Holandë…
Është hera e parë për ju që vizitoni Tiranën. Cilat janë përshtypjet tuaja?
Kam vetëm pak orë që kam mbërritur në Tiranë dhe gjëja e parë që më bëri përshtypje është ngjashmëria e madhe që qyteti juaj ka me Stambollin, Turqinë në përgjithësi. Përpos tipareve fizionomike të fytyrës dhe trupit, që dëshmojnë një tjetër të përbashkët tonën. Nuk mund ta fsheh faktin se shqiptarët janë njerëz mikpritës dhe të dashur me njëri-tjetrin, virtyte që sot i gjen edhe më rrallë në shoqëritë e tjera perëndimore. Vërtet, që më pëlqen shumë qyteti juaj.
Pse zgjodhët Shqipërinë, krahas vendeve të tjera europiane në turin tuaj promovues të këngës “Love me back”?
Pikërisht për të përbashkëtat që kemi si dy vende ballkanike. Kultura juaj ka shumë detaje të ngjashme, që na afrojnë edhe më shumë si shtete, dhe ne nuk mund të qëndronim indiferentë përballë këtij fakti. Shpresoj që kënga ime të votohet dhe të ketë impakt edhe në radhët e shqiptarëve. Turi promovues i këngës sime ka nisur më herët, në vende të tjera, si Roma, Amsterdami, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria dhe kam konstatuar që kënga është pëlqyer.
“Love me back”…, për çfarë flet subjekti i hitit tuaj?
Pasi konkurrova në festivalin e përvitshëm të muzikës “TRT”, që zhvillohet në Turqi, mora çmimin e parë duke u shpallur fitues. Këngën e kam shkruar dhe kompozuar unë. Zgjodha një subjekt që i bën himn dashurisë sepse vendosa që të mos ngatërrohem nëpër metafora apo refrene të vështira. Hiti i këndon ndjenjës së dashurisë. Është si puna e dashurisë që pirati ka për detin, edhe unë e krahasoj dashurinë mes një djali e një vajze pikërisht me dashurinë për detin. Duke qenë se kam lindur në Izmir, një qytet bregdetar i Turqisë, lidhjet me detit, siluetat e pulëbardhave, freskinë e erës i kam, panoramën time të preferuar, ndaj dhe lidhja e vargjeve të këngës me detin më erdhi kaq natyrshëm. Kjo këngë përshfaq hapur kulturën dhe natyrën turke, pjesë e së cilës jam dhe unë.
Xhan, çfarë mendon për Rona Nishliun, këngëtaren përfaqësuese të Shqipërisë në “Eurosong 2012”?
Oh, me Ronën kam një sekuencë shumë të bukur… Jemi takuar rastësisht në turin promovues të këngëve respektive tonat në Holandë. Gjatë provave, përpara se ajo të ngjitej në skenë, më tërhoqi shumë performanca e saj. Për një moment, kur Rona nisi të këndojë, shtanga, aq sa nuk po u besoja syve. Ishte zëri më i fuqishëm dhe më kolorit që kisha dëgjuar ndonjëherë. Por ajo që më bëri përshtypje ishte fakti se ajo fliste shumë mirë turqisht dhe bashkë diskutuam gjatë për këngët tona, për festivalin “Eurovision” etj.
ERMIRA ISUFAJ











