TIRANË- Vendim të pritshëm dhe aspak befasues e ka quajtur deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, vendimin e djeshëm të KQZ për kundershtimin e ankesës së socialistëve për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në rreth 300 qendra dhe rivotim në Tiranë.
Gjatë një bashkëbisedimi me mediat, Xhafaj ka sqaruar se ankimimi u kundërshtua jo ne thelbin e tij, por për procedurë, ka deklaruar se PS do të vijojë ndjekjen e rrugës ligjore për rezultatin për Tiranën, sipas tij, të vjedhur në tavolinë, vetëm e vetëm për t’i dhënë bashkinë, Lulzim Bashës.
Ankimimi në Kolegj, brenda 5 ditësh
PS do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor brenda afatit që lejon KQZ, pra brenda afatit 5 ditor, ndoshta edhe shumë më shpejt. Xhafaj ka sqaruar se ndërkohë ka një ankim, kërkesë padi që është punuar edhe mbrëmë edhe sot vazhdon të punohet. “Jemi duke shtuar prova të reja, që provojnë qartazi pavlefshmërinë e kërkuar, gjendemi në kushtet e pavlefshmërisë dhe e provojmë në 61 faqe analizë. Kemi analizë të gjendjes faktike që del nga numërimi i regjistruar në kaseta filmike, procesverbale të administruara në komision nga grupet e numërimit dhe atyre më pas me ndërhyrjet që ka bërë KQZ. I kemi parë kasetat një për një dhe po i dokumentojmë”- ka thënë ai.
Vendimi i pritshem
“Vendimi i djeshëm është i pritur prej nesh, e kishim të qartë dhe s’mund të ndodhte ndryshe. Kjo shumicë e KQZ është shumicë kamikaze politikisht e vendosur për të cuar deri në fund urdhrat e Beriëshës për të marrë mandatin e qytetarëve të Tiranës. Vendimi i djeshëm, është vula, certifikimi i një procesi të manipuliuar, që përmes procedurave ekstra ligjore ka manipuluar kutitë për të deformuar rezultatin”- tha Xhafaj, duke shtuar se nuk ishte rastësi fakti qe relator u zgjodh Ristani që ka marrë përsipër të drejtojë ekzekutimin e këtij procesi të kundraligjshëm dhe për ironi të fatit nuk kishte si të mos e mbyllte ai këtë proces në KQZ.
Ai ka pranuar se beteja është shumë e vështirë, sepse është betejë e njerëzve të ligjit dhe të antiligjit.
© Panorama.al











