Xhafaj, sytë nga Bashkia: Të hënën vendos të ardhmen

Jun 11, 2011 | 11:08

Daniel Xhafaj nuk ka udhëtuar dje me skuadrën drejt Ohrit. Ashtu siç kishte deklaruar vetë lojtari për “Panorama Sport”, ai nuk do të niste stërvitjen pa sqaruar përfundimisht të ardhmen e tij me drejtuesit e klubit. Xhafaj kërkon garanci financiare dhe pas bisedës së fundit me krerët, ku golashënuesit i është thënë se për momentin nuk ka para, çdo gjë ka mbetur pezull. Sulmuesi është drejt largimit nga Flamurtari, por nuk dëshiron ta bëjë ai hapin e parë, teksa pret të takohet me presidentin Shpëtim Gjika. “Kam kontaktuar me presidentin dhe ai më ka premtuar se çështja mund të marrë zgjidhje të hënën. Unë do të pres edhe këtë datë, duke respektuar klubin. Në të kundërt, do të shikoj alternativa të tjera. Shpresoj që të gjendet një zgjidhje”, ka thënë dje Xhafaj. Të hënën pritet të mblidhet Këshilli Bashkiak i Vlorës për të miratuar edhe buxhetin, çka do t’u hapte rrugë lëvizjeve në klubin e futbollit.

© Panorama.al

Te lidhura