Xhafaj: Kushtetuesja i ka mbyllur derën opozitës

Feb 16, 2012 | 11:28

Fatmir Xhafaj

Sekretari për Koordinimin në PS akuzon Gjykatën Kushtetuese.

“Disa gjyqtarë janë vënë në shërbim të maxhorancës”

Partia Socialiste nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar kuorumin e deputetëve të Parlamentit për tri raundet e para të zgjedhjes së Presidentit. Sekretari për Koordinim në PS, Fatmir Xhafaj, u shpreh dje në një intervistë për “Neës 24” se, pavarësisht se duhet të ketë një interpretim në Gjykatën Kushtetuese, për sa i përket numrit të deputetëve që duhet të jenë në sallë në raundet e para, PS nuk do kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Sipas sekretarit për Koordinimin në selinë rozë, shkaku qëndron tek vetë Gjykata, tek disa anëtarë të saj që janë në shërbim të maxhorancës. Rrëzimi i kërkesës së deputetëve të PS-së për shembjen e Piramidës, duke mos legjitimuar atë për t’iu drejtuar kësaj gjykate, tregon pozicionin politik që Kushtetuesja ka marrë. “Gjykata Kushtetuese, kjo aktuale, me një sërë vendimesh të kohëve të fundit e ka përjashtuar opozitën nga e drejta për të kërkuar interpretimin e normave të caktuara kushtetuese, ia ka prerë rrugën. Më i turpshëm është vendimi i fundit lidhur më çështjen e Piramidës, ku Gjykata Kushtetuese me një shumicë 5 me 4 ka vendosur moslegjitimimin e Grupit Parlamentar, kjo është e rëndë. Aty ende vazhdon të ketë gjyqtarë kushtetues, që janë tej mandatit të tyre kushtetues. Gjyqtarë të tillë të kapur peng nga kjo maxhorancë, që vazhdojnë të qëndrojnë jashtë funksionit dhe mandatit të tyre kushtetues, nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse t’i mbyllin derën opozitës”, tha Xhafaj. Deputeti socialist gjithashtu flet edhe për figurën e Presidentit të ri të vendit. Sipas tij, ai duhet të jetë një personalitet që të garantojë pavarësinë e institucioneve dhe të jetë mbi palët politike.

Debati
Pak javë më parë, klasa politike por jo vetëm u përfshi në një debat lidhur me kuorumin e nevojshëm në Kuvend në tri raundet e para për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Socialistët por dhe juristë të krahut të majtë mbështesnin idenë e interpretimit të kuorumit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, në tri raundet e para kur për zgjedhjen e Presidentit kërkohen 84 vota, në sallën e Kuvendit duhet të ketë të paktën 84 deputetë.

PD-PS: 5 vjet burg dhuna në familje
Demokratët dhe socialistët shkojnë në një linjë me propozimet për ashpërsimin e sanksioneve për dhunën në familje. Relatorja e PS-së propozon që dënimet për dhunën në familje të variojnë nga gjashtë muaj deri në pesë vite, kur dhuna ushtrohet në mënyrë sistematike nga burri kundër bashkëshortes. “Rrahja, që kryhet nga një burrë kundër një gruaje, me të cilën ai është ose ka qenë i martuar, ose ka bashkëjetuar në kushte të ngjashme me martesën, me pasojë dhunimin e rëndë të integritetit të gruas dhe vetëbesimit të saj, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet”, theksoi Hysi.

© Panorama.al

Te lidhura