
Daniel Xhafaj po kthehet në beniaminin e tifozëve të Skënderbeut. Shënoi tre gola në miqësoret e fundit dhe mori shumë duartrokitje nga ata që vitin e kaluar e urrenin.Skënderbeun e ka ndëshkuar si lojtar i Flamurtarit, ndërsa jo pak e ka akuzuar me deklaratat e tij në media gjatë sezonit të kaluar. Por, tashmë sulmuesi vlonjat duhet të shënojë për llogari të korçarëve. Ndryshe nga pritja që i bënë ish-lojtarit të Flamurtarit, Elton Grami, për Xhafajn tifozët korçarë rezervuan një surprizë të bukur. “Prisja edhe ndonjë të më ofendonte, por të them të drejtën në Korçë jam befasuar. Këtë mikpritje do t’ua shpërblejë me gola,”- ka thënë ndër të tjera Xhafaj.
Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje te Skënderbeu?
E veçanta më e madhe ka qenë pritja e tifozëve. Të jem realist, nisur edhe nga ajo që ndodhi në sezonin e kaluar, unë e prisja ndonjë ofendim. Kjo është logjike, pasi tifozët kanë emocionet e tyre. Megjithatë, fakti që unë u mirëprita, tregon vlerësimin që kanë ndaj meje për kaq vite futboll.
Ka ndonjë sekret që një ish-lojtar i Flamurtarit bën për vete kaq shpejt tifozët korçarë?
Mendoj se këtu ndikon edhe korrektesa që unë kam treguar kudo ku jam aktivizuar. Kjo është një nga anët më të mira që kam. Përveç ekipit ku luaj, mënyra e lojës sime mendoj se u pëlqen tifozëve, prandaj dhe u mirëprita te skuadra që vjet kishim rivale. Jam befasuar totalisht, sidomos kur më duartrokitën gjatë zëvendësimit në ndeshjen me Pogradecin. Jam borxhli ndaj atyre njerëzve dhe e them me bindje se do t’ua shpërblej.
Gjithsesi, çfarë mendove kur tifozët korçarë ofenduan Gramin?
Normalisht që unë nuk u ndjeva mirë, por ato janë gjëra që nuk më përkasin mua, pasi është vetë Grami që mund t’i sqarojë.
Ndeshja e parë e vërtetë për Skënderbeun do të jetë me Tiranën për Superkupën. Ju favorizon fakti që luani në Korçë?
Absolutisht jo. Ajo është një ndeshje ku të tria rezultatet janë brenda dhe nuk ka bast. Ne luajmë përballë publikut tonë dhe jemi nën presionin e fitores.
Keni shënuar rregullisht në miqësore dhe tashmë në Korçë presin golin e radhës nga ju. Keni ndonjë premtim?
Kjo është ndeshja e parë zyrtare dhe dua që të shënoj. Miqësoret mbeten miqësore, prandaj dhe kam shumë dëshirë që të realizoj ndaj Tiranës. Për mua, është sfidë shumë e rëndësishme, jo vetëm për faktin se luaj ndaj ish-skuadrës. Dua që përballë atyre njerëzve që më mbështesin, të bëj një paraqitje të shkëlqyer.
Kujt i druheni më shumë te Tirana?
Mbrojtësit Pisha dhe portierit Lika. Këto janë pikat më të forta të Tiranës. Për pjesën tjetër të ekipit nuk kam shumë njohje. Megjithatë, Tirana mbetet Tiranë, sepse ka grintë dhe shumë emër. Por, të them të drejtën, ne jemi ekip më i kompletuar. Nuk mendoj se do të bëjmë gabime. Besoj se do të fitojmë pastër.
Te Skënderbeu e keni më të lehtë për të shënuar apo nuk ka ndryshime në krahasim me Flamurtarin?
Unë kam fatin e madh që luaj me Shkëmbinin, pasi kam një kombinim perfekt e gjithashtu me Muzakën. Nuk do ta kem fare problem golin. Jam i bindur që do të shënoj shumë me korçarët.
Kë shikoni si pikën më të dobët të Skënderbeut?
Nuk mendoj se kemi pika të dobëta. Skënderbeu është një skuadër e përbërë nga kampionë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Tashmë që e shikon Flamurtarin në distancë, mendon se pas përforcimeve të fundit do të vazhdojë të jetë në nivele të larta?
Shpresoj që Flamurtari të bëjë një kampionat të mirë. Nuk do të më vinte aspak keq, nëse skuadra ime e zemrës do të bënte një paraqitje edhe më dinjitoze se sa sezoni kur unë isha pjesë e saj. Të them sinqerisht, nuk do të ndihesha aspak xheloz.
Edhe nëse e fitonte titullin?
Jo, aspak. Do të më jepte më shumë dëshirë dhe kurajë për të arritur më shumë në sezonin tjetër, edhe pse shkoj 35-vjeç. Unë i uroj suksese, nuk kam çfarë të them më tepër.
E kaluara
Daniel Xhafaj u bë pjesë e Skënderbeut për sezonin e ri pas një viti shkëlqimi te Flamurtari. Me skuadrën e vendlindjes ai u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit, ndërkohë që titullin e fitoi Skënderbeu dhe vlonjatët e mbyllën në vendin e dytë. Gjatë sezonit të kaluar kanë qenë të shumta deklaratat e Xhafajt kundër Skënderbeut, mirëpo tashmë sulmuesi luan për korçarët dhe ç’është më e rëndësishme ai është pritur mirë nga tifozët bardhekuq.
JORGIS MEMO
© Panorama.al











