Washington e Reynolds, në Tiranë me “Safe House”

Feb 28, 2012 | 12:52

Thuajse në të njëjtën kohë me kinematë amerikane, vjen edhe në Tiranë filmi, që ka për protagonistë yje hollivudianë në kulm të karrierës. Denzel Washington jemi mësuar ta identifikojmë me heroin, me një polic që lufton për të drejtën apo me një baba të dhembshur. Ai shndërrohet në një kriminel që, pas dhjetë vitesh arrati, ka vendosur të dëshmojë. Përballë tij gjendet një tjetër aktor në kulmin e famës, Ryan Reynolds, po aq protagonist i kronikave rozë sa dhe i filmave hollivudianë. Historia vjen në filmin “Safe House”, i cili po shfaqet në ekranin e madh të kinema Millenium. Në krah të dyshes së protagonistëve janë edhe të tjerë emra të njohur, si Vera Farmiga dhe Sam Shepard. Të gjithë së bashku nën drejtimin e regjisorit të ri, Daniel Espinosa. Filmi ka pasur një performancë mjaft të mirë në arkëtimet e fundjavës së parë, duke u renditur i pari me mbi 40 milionë dollarë, ndërsa interpretimi i Denzel Washington ka marrë aprovimin e kritikës. Ai ka filluar të shfaqet në kinematë amerikane vetëm dy javë më parë. “Safe House” është një histori spiunazhi e vendosur në një “shtëpi sigurie” në Kejp Taun të Afrikës së Jugut.

© Panorama.al

Te lidhura