Refuzohet peticioni, Vetëvendosja në protestë

Feb 27, 2012 | 16:00
Foto: Kosovapress

PRISHTINE- Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka refuzuar sot të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit, të kërkuar me peticionin e Vetëvendosjes, me 15 mijë nënshkrime qytetarësh.

Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, siç raportoi KTV-ja, tha se këtë të drejtë e kanë vetëm presidentja, kryeministri si dhe kërkesa me nënshkrimin e 40 deputetëve.

Ai në deklaratën pas mbledhjes megjithatë ka lënë të kuptohet se është i pakënaqur me fusnotën.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se legjislativi i vendit nuk ka asnjë dokument të marrëveshjes për përfaqësim rajonal dhe interpretimin e saj ka të drejtë ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës, raporton Koha.

Protesta e Vetevendosjes

Nderkohe, Lëvizja Vetëvendosje, ka protestuar në kundërshtim të marrëveshjes së fundit që Prishtina ka arritur me Beogradi, e sipas së cilës, Kosova në forumet rajonale, do të mund të përfaqësohet vetëm duke u shoqëruar me fusnotën në të cilën është përfshirë rezoluta 1244 e KS të OKB-së.

Qindra protestues, me pankarta të shumta dhe thirrje të vazhdueshme, “Poshtë fusnota”, “Poshtë qeveria”, “Hashim Thaçi shiti Kosovën” po vazhdojnë të protestojnë përderisa, përreth objektit të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, janë forca të shtuara të policisë së Kosovës, midis të cilëve edhe pjesëtarë të policisë speciale.

Para protestuesve është parë, lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Visar Ymeri, Shpend Ahmeti dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj lëvizjeje.

Disa orë më parë, përfaqësues të Vetëvendosjes kanë kërkuar nga Policia e Kosovës që të mos i bllokojë rrugët dhe trotuaret dhe të mos i provokojë demonstruesit. Për t’u kujdesur që demonstrata të shkojë mirë, të njëjti kanë bërë të ditur se Vetëvendosje ka organizuar mbi 500 aktivistë – kujdestarë.

***

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, sot prej orës 12.00 për katër orë me radhë do të jetë e rrethuar nga qytetarët, të cilët janë thirrur në një protestë paqësore nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zyrtarët e këtij subjekti politik, në një konferencë për media, thanë se protesta ka për qëllim kundërshtimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel, ku parashihet që Kosova në forumet dhe nismat rajonale, të përfaqësohet me fusnotë e pa emrin republikë.

Dardan Molliqaj bëri të ditur se nga të gjitha qendrat e Kosovës është organizuar transporti për qytetarët që janë të interesuar të marrin pjesë në demonstratë.

“Për katër orë rresht do ta pezullojmë plotësisht punën e kësaj Qeverie që po e pezullon shtetin e Kosovës. Përgjatë kësaj kohe, do të qëndrojmë rreth e rrotull Qeverisë për ta realizuar një gjë të tillë. Qëllimi i demonstratës është pezullimi i punës së Qeverisë dhe asgjë tjetër”, tha Molliqaj.

Për mbajtjen e protestës, organizatorët thanë se nuk e kanë njoftuar Policinë e Kosovës, pasi që, sipas tyre, nuk është e nevojshme.

Dardan Molliqaj, mosnjoftimin e policisë për organizimin e protestës, e arsyetoi duke thënë se një gjë e tillë është e garantuar në shumë konventa ndërkombëtare. Për më tepër, ai u zotua se protesta do të kalojë e qetë.

“Në shumë konventa ndërkombëtare e drejta e grumbullimit është e drejtë e garantuar dhe për një gjë të tillë nuk ka nevojë të kërkohet leje, madje as njoftim. Gjithçka do të përfundojë siç po e themi sot. Nëse Policia e Kosovës ka një urdhër politik nga Bajram Rexhepi ose Hashim Thaçi, për të intervenuar dhunshëm ndaj qytetarëve paqësorë, atëherë kjo është pyetje që duhet t’i shtrohet Policisë dhe shtetit të Kosovës”, u shpreh Molliqaj.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Policisë së Kosovës, deklaruan për Radion Evropa e Lirë se për protestën e së hënës, e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk është kërkuar leje në polici.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë, tha pavarësisht moskërkimit të lejes për protestë, policia ka hartuar një plan.

“Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë me shkrim, zyrtare, sa i përket kërkesës për leje, ashtu siç e parasheh Ligji për tubime publike. Megjithatë, ne e kemi informacionin që tashmë është publik lidhur me mbajtjen e kësaj proteste dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet, janë hartuar planet operacionale policore për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë mbajtjes së kësaj proteste”, deklaroi Sadriu.

Ndryshe,organizatorët e protestës kërkuan nga policia që të mos i bllokojë rrugët dhe trotuaret dhe të mos i provokojë demonstruesit. Po ashtu, ata  kërkuan që policia të mos i bllokojnë autobusët dhe të mos i konfiskojë parullat dhe mjetet logjistike.

Për t’u kujdesur që demonstrata të kalojë e qetë, Vetëvendosje do të angazhojë mbi 500 aktivistë.

Kurse, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, derisa kritikoi Qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes me Beogradin në Bruksel, tha se ekzekutivi kosovar ka pranuar që të tjerët kanë të drejtë të na e mohojnë shtetësinë.

“Kosova ka shënuar kthimin më të madh prapa politik me dekada.  Përderisa gjatë rrugëtimit të arritjes së aspiratave kombëtare, ka ndodhur shumë herë që të tjerët të na mohojnë aspiratën, sakrificën, dhe arsyetimin e shtetësisë, të premten Qeveria jonë ka qenë ajo e cila e ka nënshkruar këtë kthim prapa”, theksoi Ahmeti.

Lëvizja Vetëvendosje, të shtunën kishte nisur mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve të Kosovës për një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, në mënyrë që të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin “Republikë”. Tashmë, sipas Vetëvendosjes, janë mbledhur më shumë se 10 mijë nënshkrime.

Por, jo vetëm partitë politike në pushtet e kanë kundërshtuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ashtu siç kërkon Vetëvendosja, por një gjë të tillë e kanë kundërshtuar edhe partitë tjera opozitare.

Ato kanë vlerësuar se nëse mbahet një seancë e tillë, marrëveshja për bashkëpunimin rajonal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vetëm sa do të forcohet. Këtë qëndrim të partive opozitare, Vetëvendosje e konsideron si të logjikshme. (rel)

© Panorama.al

Te lidhura