
Policia merr tabulatet e telefonit të laborantes 36-vjeçare: Xhelozia? U konfliktua me një femër në ambient publik.
Ekskluzive/ Ilia Basho tregon me detaje historinë e tij që nga fëmijëria me të shoqen. Si e nisën biznesin në Tiranë dhe pse ia shitën aksionet ortakut. Misteri për 25 mijë euro të munguara dhe cili ka qenë itinerari i tij ditën e vrasjes së Elenit: “Nuk kemi pasur probleme në çift, dyshoj se është grabitje ose ngatërrim personi”. Flet edhe ortaku i çiftit: “Krimi nuk ka lidhje me biznesin”. Shkarkohen tre drejtuesit e Policisë së kryeqytetit.
“Eleni donte të ndaheshim nga ortaku për 100 mijë euro”
Elenin e vranë se kanë ngatërruar person, ose sepse kanë dashur t’i grabisin 25 mijë eurot. Këto janë 2 pistat e dyshimit të Ilia Bashos mbi ekzekutimin e bashkëshortes së tij mbrëmjen e së enjtes.
Por pa e ditur se dhe ai vetë është shndërruar në një pistë dyshimi nga ana e policisë. Madje, jo vetëm për eliminimin e së shoqes 35-vjeçare, por edhe për trafik droge me Rumaninë. “Jam në ëndërr më duket”, reagon instinktivisht Ilia, pasi ia thamë. Rreth e rrotull, ashtu si Ilia, plot të afërm e fqinj zgjasin kokën për të marrë vesh diçka më shumë. Janë ose kushërinj me njëri-tjetrin ose krushq. Në fshatin me emër dëshmori, Andon Poçi, është traditë e vjetër që martesat të bëhen mes tyre, edhe pse vitet e fundit gjithnjë e më rrallë. I përkasin të gjithë komunitetit vlleh dhe si të tillë kanë ritet e tyre edhe në rastet e vdekjes. Ata nuk lejojnë që t’ua trazosh dhimbjen. Gjatë ditëve të zisë, të paktën deri në shtatë ditë, askush nuk duhet të pyesë dhe të ngacmojë rreth personit që ka vdekur. Një veprim i tillë quhet provokim për ta. Të tillë na quajtën edhe ne: provokatorë! Tentativa jonë për të mësuar diçka më shumë rreth fëmijërisë dhe rinisë së Elenit në fshat, u konsiderua si fyerje. Sepse në mort vizitorët vetëm ngushëllojnë, nuk pyesin. Për më tepër në ditën e dytë të zisë, kur për familjarët dhe banorët e fshatit ende nuk ishte ftohur trupi i pajetë i Elenit, pavarësisht temperaturave nën zero. Dalëngadalë, me të tillë zemërim të heshtur kaloi paraditja e djeshme në fshat. E tillë erdhi edhe dreka, ndërsa pasditja u ngrys krejt ndryshe. Pas shumë orëve në fshatin Andon Poçi, pranoi më në fund të flasë për gazetën “Panorama” vetë Ilia. E pasi ai hapi për ne njërën derë, të tjerët i çelën të dyja dyert më pas. Por se çfarë gjetëm nëpër shtëpitë e tyre, kjo është një histori për t’u shkruar më vete. E bukur dhe krejt ndryshe nga këto ditë zie. Dhe do ta shkruajmë njëherë tjetër. Deri atëherë, le të sqarojmë atë për çfarë Ilias iu duk se ishte në ëndërr dhe banorët zgjatën kokat…
Si e morët vesh lajmin e vrasjes së bashkëshortes suaj, Elenit?
Më mori në telefon djali im, Thanasi dhe më tha që mami është shumë sëmurë dhe e kanë çuar me urgjencë në spital.
Ku ishit në momentin kur morët telefonatën e djalit?
Sipër Pazarit të Ri, po dorëzoja një porosi pranë një klinike private.
E mbani mend sa ka qenë ora?
Sinqerisht, nuk më kujtohet saktë, por diku rreth 6:30-7:00 e darkës më duket. Nuk e kam parë orën, sepse pas marrjes së telefonatës nga ana e djalit, jam nisur menjëherë drejt spitalit.
Pra, në orën që ka ndodhur vrasja ju keni qenë pranë Pazarit të Ri?
Po.
A keni dëshmitarë për këtë?
Po, personat të cilëve u kam dorëzuar porosinë në klinikën private.
Çfarë bëtë pas telefonatës së djalit?
U nisa menjëherë drejt spitalit, te urgjenca. Kam ecur me bllokazh, drita ndezur dhe duke i rënë borisë si i çmendur. Rrugës jam përpjekur të bëj disa telefonata për të mësuar më shumë rreth shëndetit të Elenit, ku më së shumti kam tentuar të lidhem me kunatin. Pra, vëllain e Elenit.
Pse me vëllain e Elenit?
Sepse ai jeton ngjitur me ne dhe djali më tha që Vaska (vëllai) e kishte çuar Elenin në spital.
Arritët të lidheshit në telefon me kunatin?
Derisa arrita të lidhem në telefon, kisha arritur edhe vetë në spital. Kunati ishte aty, së bashku me disa të afërm të tjerë dhe komshinj.
Ishte gjallë bashkëshortja juaj kur arritët në spital?
Jo, fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.
Kush e ka gjetur fillimisht trupin e pajetë të Elenit?
Siç më kanë thënë, fqinjët e kanë gjetur. Ata kanë vrapuar drejt vëllait të Elenit, i cili ka lajmëruar menjëherë policinë, si dhe e ka çuar me urgjencë drejt spitalit.
Kanë parë këta persona ndonjë të dyshuar?
Jo. Asnjë. E kanë gjetur të shtrirë përdhe, por nuk kanë parë asnjeri.
Po ju vetë, dyshoni ndokund?
Mua më ka ardhur krejt e papritur. Dyshimi im kryesor është që mund të kenë ngatërruar person, nisur edhe nga errësira dhe shiu i asaj nate. Si Eleni, edhe unë, nuk kemi pasur probleme me njeri. Kemi lëvizur gjithnjë lirisht, ashtu si atë ditë. Po t’i kishim rënë njeriu më qafë, do të ishim prej atyre që fshihen e ruajnë veten.
Pse Eleni po dilte në atë orë nga shtëpia, nisur edhe nga koha me shi? A ju tha se ku po shkonte?
Eleni nuk po dilte nga shtëpia në atë orë, por po kthehej në shtëpi pas punës.
Punës si laborante dentare?
Jo, Eleni nuk ka punuar asnjë ditë të vetme si laborante dentare dhe nuk ka kryer ndonjë shkollë të tillë profesionale. Ajo ishte deri para pak muajsh ortake e biznesit tonë të familjes në firmën “Nova Dental”. Nuk është se merrej direkt me tregtimin e produkteve të firme, por ndihmonte më së shumti me marrje apo dorëzim porosish, mbajtje llogarish etj. Jepte kontributin e saj sa mundej, si ortake.
Ortake me kë?
Me Ilirian Bitunin. Së bashku kishin ligjërisht firmën e pajisjeve dentare “Nova Dental”
Po ju?
Unë punoja në të njëjtën firmë, bëja tregtimin e mallit.
Po pse Eleni ishte ortake dhe ju “punëtor”?
Që të jem i sinqertë, realisht unë isha ortaku, por që kur u krijua firma “Nova Dental”, e regjistrova Elenin zyrtarisht si të tillë.
Për çfarë arsyeje?
Sepse unë asaj kohe punoja si oficer hetimor pranë Tatimeve Tiranë. Duke qenë se punoja në shtet, nuk doja të ekspozohesha edhe në privat. Kështu, i propozova Ilirianit që të vinim Elenin si bashkëpronare të firmës dhe ai pranoi.
Për çfarë viti bëhet fjalë?
Në vitin 2000 kam filluar punë te Tatimet, ndërsa firma u themelua në vitin 2001. Më pas, hoqa dorë fare nga puna në shtet dhe iu përkushtova vetëm investimit privat.
Duke qenë se latë punën në shtet, pse nuk e hoqët Elenin nga ortakëria me Ilirianin?
Nuk m’u duk ndonjë problem nëse ishte ajo. Në fakt, nuk e hoqa vetëm nga fakti se duheshin bërë një mal me letra të tjera, në rast se do të ndryshoja ortakërinë. Ishte njësoj si të ishte ajo apo unë në atë firmë. Ne kishim çdo gjë të përbashkët dhe nuk na prishte punë se kush e kishte emrin nëpër dokumentacione. Në fund të fundit, isha unë që merresha me gjithçka, pa ia mohuar edhe asaj ndihmën. Eleni arriti që t’ua merrte mirë dorën punëve dhe madje, ajo ishte shtysa kryesore për të ndarë biznesin nga Ilirianin dhe të fillonim tonin nga e para.
Pse ajo kërkonte që të ndahej nga biznesi me ortakëri?
Siç ju tregova, biznesin zyrtarisht e nisëm në vitin 2001 dhe nga ajo kohë, gjërat kishin evoluar shumë. Tashmë kishim eksperiencë, kishim një farë kapitali në investim edhe pse jo kesh, por mbi të gjitha, na ishin rritur fëmijët. Eleni kërkonte që të nisnim biznes të njëjtë si “Nova Dental”, por kësaj here të ishte vetëm i familjes. Thjesht dëshironte që të bënim diçka vetëm për vete.
Kur u shkëputët ligjërisht nga biznesi i ortakërisë me “Nova Dental”?
Në nëntor 2011.
U konflikuat gjatë ndarjes së biznesit?
Jo. Normal bëmë diskutimet se si do të vlerësonim dhe ndanim biznesin, por jo konflikt. Përkundrazi, u ndamë si miq të vjetër e të respektuar.
Konkretisht, çfarë përfituat nga ndarja e këtij biznesi?
Me kontratë ligjore kam firmosur ndarjen e biznesit, ku kam përfituar vlerën prej 75 mijë eurosh. Kjo shumë do më kompensohej kohë pas kohe. Ndërkaq, kam marrë në dorë, pra kesh, 25 mijë euro. Po ashtu, kam përfituar edhe laboratorin dentar.
Shuma tjetër prej 75 mijë eurosh, a ju është likuiduar nga ish-ortaku?
Kishte nisur likuidimin, por nuk ka përfunduar. Jemi ende nga fillimi… Megjithatë, për këtë shumë ishim marrë vesh më parë që do paguhej më ngadalë.
A e shihni ish-ortakun tuaj si të dyshuar të mundshëm në vrasjen e Elenit, duke qenë se ajo u bë shkak që të ndanit biznesin, apo për ndonjë arsye tjetër?
Jo. Nuk mund ta them dot këtë. Sa kohë ishim ortakë, ne kemi kaluar shumë mirë me Ilirianin. Ndarja u bë me diskutime dhe debate, por kjo është normale. Dhe pas shkëputjes, kemi vijuar të shkojmë te zyrat e “Nova Dental” apo të bashkëpunojmë me porosi të ndryshme.
Po ju dhe Eleni a e hapët firmën tuaj pas shkëputjes nga “Nova Dental” dhe si quhej ajo?
Duke qenë se ndarja u bë vetëm para 3 muajsh, ne ende nuk e kishim hapur ligjërisht biznesin tonë. Gjatë kësaj kohe punonim vetëm me klientë nëpërmjet telefonave. Këtë e bënim jo për të përfituar ndonjë gjë të madhe, por vetëm për të ruajtur klientelën. Planin për të marrë zyrat e reja dhe për të çelur firmën e kishim për në prill. Sipas eksperiencës sime, që nga ky muaj ka më shumë punë. Periudha e dimrit është më e dobëta sa i përket tregtimit të produkteve dentare. Po ashtu, kishim piketuar disa ambiente për zyrat, që ndodhen në zonën pranë shtëpisë sonë. Pas kaq vitesh, dëshironim që të kishim punën pranë, që të mund të hanim drekën në shtëpi. Ishim mërzitur duke ngrënë rrugëve…
Ishit xheloz ndaj Elenit?
Nuk më ka lënë shkak. Xhelozi normale, siç mund të ketë një njeri normal për gruan e tij. Por duke qenë se vazhdimisht ishim në kontakt, darkave ishim gjithnjë në shtëpi, si dhe fundjavat i kalonim bashkë, nuk kishte vend për xhelozi.
A grindeshit shpesh me të, për arsye të tjera? Pra, si ishte marrëdhënia juaj?
Unë me Elenin kemi një jetë që njihemi. Kemi lindur dhe jemi rritur në të njëjtin fshat. Këtu ku jemi sot tani, fshati Andon Poçi, ku edhe e sollëm të prehet përjetë. Me ardhjen e demokracisë, në vitin 1991, unë kam shkuar në Greqi si emigrant. Po ashtu edhe Eleni me familjen e saj. Atje jemi ritakuar dhe jemi lidhur bashkë. Sigurisht, me pëlqimin e familjeve tona, të cilat i përkasin komunitetit vlleh dhe i kanë shumë për zemër martesat brenda llojit. Në vitin 1994, unë jam kthyer në Shqipëri dhe kam filluar shkollën e lartë për Ekonomik në Tiranë. Shkoja e kthehesha nga Greqia, duke vijuar shkollën. Njëkohësisht, edhe u martova në vitin 1995. Isha vetëm 21 vjeç. Dy vite më pas, pra 23 vjeç, u bëra baba për herë të parë. Më erdhi në jetë djali im, Thanasi. Në vitin 1998 përfundova Fakultetin e Ekonomisë dhe nisa të mendoja seriozisht shpërnguljen nga Greqia të familjes dhe transferimin e saj drejt Tiranës. Nisa të studioja mundësitë për biznes në Tiranë dhe njëkohësisht u përpoqa të gjeja një punë stabël. Siç ju thashë, arrita më në fund, që me anën e një pedagogu të rekomandohesha te Tatimet. Atëherë, pasi sigurova punën stabël dhe kisha vënë pikësynimet për biznes, i kërkova Elenit që të kthehej dhe ajo përfundimisht në Tiranë. Gjatë gjithë këtyre viteve që përmenda, ajo ka jetuar në Greqi. Pavarësisht largimeve të shpeshta të mia për shkak të shkollës dhe më vonë të punës, kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Elenin. Kemi pasur ulje-ngritjet tona si çdo çift dhe familje, por një familje e shëndetshme. Pas djalit, Eleni solli në jetë edhe vajzën, Athinanë. Grindjet tona kanë pasur të bëjnë më tepër me pyetje të tipit “pse e more këtë dhe jo atë”, ose “nuk më pëlqen kjo, por ajo”, d.m.th., gjëra që kishin të bënin me mirëqenien. Nuk mund të përmend asnjë debat familjar që ta quaj konflikt.
Ju lutem, a mund të na tregoni të gjithë itinerarin tuaj ditën e vrasjes dhe me aq sa dini, edhe të Elenit?
Po. Kemi çuar të dy djalin në shkollë me makinë, te “1 Maji”. Duke qenë se kishte trafik, i propozova të pinim një kafe aty pranë dhe u ulëm pak metra sipër shkollës, në Unazë. Aty kemi qëndruar deri rreth orës 11:00 dhe hipëm sërish në makinë. Eleni më tha që ta lija diku nga qendra, sepse do të shkonte te tregu çam për të blerë diçka për vajzën. E zbrita aty, ndërsa vetë vazhdova punën me porositë e ndryshme që kisha, duke i shpërndarë. Në drekë, rreth orës 13:00 kam qenë në një qendër interneti në Qytetin Studenti, ku kam printuar listën e çmimeve të një katalogu të huaj. Më pas, kam kaluar te “Nova Dental”, ku kam marrë një produkt. Jam dëgjuar sërish me Elenin rreth orës 15:30, e cila më la dy porosi për materiale. Me sa më tha, edhe ajo kishte për të marrë porosi në nja dy vende të tjera dhe pastaj do të ikte në shtëpi. Pas telefonatës, kam lëvizur në rrugën “Don Bosko” dhe në fund te Pazari i Ri.
Me çfarë udhëtonte Eleni?
Me sa kisha mundësi, e lëvizja unë. Në të kundërt, me autobus. Nuk është se kishim shumë mundësi financiare për të blerë makinë tjetër. Për më tepër që kishim në plan të hapnin biznesin e ri.
E dini që policia ju ka listuar edhe ju në radhët e të dyshuarve si vrasës i Elenit?
Kjo është absurde. Ajo është nëna e dy fëmijëve të mi. E Thanasit dhe Athinasë, që tashmë janë jetimë. Vetëm kaq ta mendosh dhe të rrotullohet koka…
Nëse nuk jeni ju, kush mund të jetë atëherë?
Këtë duhet ta zbardhë policia. Unë ata po pres.
Derisa i prisni, a mund të na thoni gjithsesi, se ku dyshoni?
Jua tregova pak a shumë. Pista e parë dhe që unë i mëshoj më fort është ajo e ngatërrimit të personit. Kam edhe një pistë tjetër, por që ende nuk më është dhënë rasti dhe kuraja që ta vërtetoj.
Cila është kjo pistë e dytë?
Unë i kisha dhënë Elenit 25 mijë euro që t’i depozitonte pranë “Alpha Bank”. Ishin paratë që kishim marrë kesh nga ndarja e biznesit. Nuk është se ia kisha përcaktuar ditën dhe nuk e kam pyetur ditën e fundit nëse i kishte depozituar. Mendoj se mbase dikush e ka marrë vesh për ato para dhe diçka ka ndodhur.
Çfarë mund të ketë ndodhur?
Mbase kanë dashur ta grabisin ose e kanë grabitur tashmë. Këtë do ta vërtetoj sapo të kthehem në Tiranë dhe të interesohem për 25 mijë eurot.
Pse nuk u interesuat që natën e vrasjes?
Sepse vetëm pak minuta pasi Eleni ndërroi jetë, mua më mori në pyetje policia për 3-4 orë, ku unë paraqita dëshminë time. Kur jam kthyer në shtëpi, jemi përgatitur si familje për t’u nisur menjëherë drejt fshatit të lindjes për ta varrosur. U nisëm që në 5:00 të mëngjesit dhe nuk pata mundësi ta vërtetoja.
Pra, pista e dytë për ju është grabitja?
Po, grabitja.
Ndërsa një ndër pistat e tjera të policisë është që ju, apo edhe bashkëshortja juaj keni qenë të implikuar në një linjë droge, që nis nga Rumania…
Çfarë fantazie… Unë në linjë droge?! Unë nuk kam bërë tregti me Rumaninë, sepse të gjitha pajisjet i kam marrë gjithmonë në Greqi apo Itali. E vetmja lidhje kohët e fundit me Rumaninë ka qenë vetëm një telefonatë me një biznesmen grek, i cili në momentin kur e kam telefonuar ndodhej në Rumani. Po ju them një tjetër fakt: Kur unë e kam nisur biznesin bashkë me Ilirianin e kemi bërë me gjithsej 20 milionë lekë të vjetër. Me një motor të vjetër. Personalisht, kisha filluar të ndërtoja shtëpinë në Tiranë dhe nuk kisha shumë para. I kërkova babait tim 5 milionë dhrahmi dhe kështu u plotësova shumën për ortakëri. Nga ajo kohë, pra më shumë se 10 vite më parë dhe deri më sot, mjafton një verifikim i thjeshtë i xhirollogarive të mia bankare, për të kuptuar se sa i pasur jam unë. Më vjen turp ta them, por tashmë jam i detyruar ta tregoj, aktualisht kam rreth 500 mijë lekë të vjetër në BKT dhe diku te 200 mijë te “Alpha Bank”. Mënjanë ishin vetëm ato 25 mijë euro, të cilat do t’i investoja sërish në biznes.
Po gjatë këtyre 10 viteve, nuk paskeni fituar të ardhura të tjera nga biznesi me “Nova Dental”?
Aq sa janë fituar, aq edhe janë investuar. Duke qenë se e filluam me shumë pak para biznesin, na u desh që fitimet t’i rinvestonim. Madje, mund ta verifikoni kollaj që në emër të firmës është marrë edhe një kredi e madhe për ta modernizuar dhe për ta bërë më të suksesshme.
Megjithatë, keni një vilë të bukur në Shkozë…

Ajo e bukura fare është e kunatit tim. Siç mund ta kesh vënë re, sepse me sa shoh paske qenë atje, shtëpia ime është e papërfunduar. Unë dhe ime shoqe punuam gjithë rininë tonë në Greqi, po ashtu edhe im atë. Gjithë këta persona dhe të mos ndërtonim dot një shtëpi?! Do të doja që mos ta shihnit veç nga jashtë, por edhe nga brenda. Akoma nuk e kishim plotësuar me të gjitha gjërat. Për ta ndërtuar atë shtëpi, na është dashur që të mos dalim asnjëherë restoranteve apo të bënim udhëtime për qejf, si familje. Ajo shtëpi është sakrificë e madhe e jona ndër vite. Vetëm atë kemi dhe një makinë të përdorur “Citroen”. Edhe atë me leasing…
Nga e dërguara jonë në Andon Poçi, ELISABETA ILNICA
Laborantja, konflikt me një femër në zyrat e kompanisë
Tiranë, Eleni Basho debatoi se dyshoi për lidhje intime të bashkëshortit

Gruaja e vrarë të enjten në Shkozë të Tiranës, Eleni Basho, ka pasur një konflikt verbal me një femër pranë zyrave ku punonte bashkëshorti i saj. Veprimet hetimore të oficerëve të Policisë së Tiranës në lidhje me vrasjen me tre plumba të laborantes dentare, Eleni Basho, kanë ngritur një pistë që ka të bëjë me xhelozinë. Shkak i kësaj piste kanë qenë disa deklarime nga persona të ndryshëm, të njohur të përbashkët të çiftit, por dhe kolegë, që i kanë devijuar hetimet e policisë drejt kësaj piste. Shkak për këtë është bërë një histori xhelozie që ka ndodhur rreth tre muaj më parë në korridoret e ambienteve, ku Eleni Basho kishte laboratorin e saj dentar. Më shumë se një debat mes dy femrave, njëra prej të cilave Eleni Basho, tjetra një grua ende e panjohur, incidenti i fillimit të nëntorit ishte një konflikt gati fizik mes tyre. Viktima edhe atëherë ishte 36-vjeçarja Basho, pasi një grua tjetër iu “shfaq” në derën e punës dhe nisi të debatojë e të kërcënojë me zë të lartë. Sipas dëshmive të shumta, shkak i këtij debati mësohet se ka qenë pikërisht bashkëshorti i laborantes së ndjerë, Ilia Basho, 37 vjeç.
Konflikti
Sipas të gjitha të dhënave të dëshmitarëve të shumtë dhe mënyrës se si ndodhi konflikti mes tyre, gjithçka fliste për xhelozi. Sipas dëshmitarëve, Eleni Basho ishte e pafajshme në këtë konflikt, pasi nuk ishte ajo shkaku i ngjarjes. Dyshimet e saj lidheshin për ndonjë marrëdhënie jashtëmartesore të bashkëshortit të saj me gruan që u shfaq papritur në korridoret pranë laboratorit. Në lidhje me jetën private të Eleni Bashos, personat e njohur të saj e të bashkëshortit, si dhe kolegët, kanë rrëfyer në polici vetëm fjalë pozitive.
Gruaja
Ata e përshkruajnë 36-vjeçaren si një nënë të përkushtuar, laborante e zonja, një grua besnike dhe e ndershme, e pastër dhe e rregullt. Burime nga grupi hetimor pohuan dje se motivi i xhelozisë për vrasjen e Eleni Bashos nuk është përjashtuar asnjëherë nga verifikimet që po kryhen. Që në orët e para pasi ka ndodhur ngjarja, mënyra e kryerjes së krimit, arma e përdorur dhe shumë prova të tjera të ngjarjes, i kishin drejtuar ekspertët drejt kësaj piste. Problemi kryesor ishte se nuk po gjendeshin të dhëna të mjaftueshme për jetën private të Eleni Bashos apo të bashkëshortit të saj. Ndërsa pas dëshmive të fundit në lidhje me incidentin e tre muajve më parë, ekspertët i mëshojnë edhe më shumë variantit të tyre paraprak për një konflikt me motive të dobëta. Në lidhje me këtë pistë, policia ka kerkuar listën e telefonatave dhe mesazheve të dy bashkëshortëve për të identifikuar nëse mes tyre ka pasur ndonjë personazh tjetër, dhe nëse po, kush është identiteti i tij.
Hetimi: Vrasja në Shkozë, jo me silenciator
Arma e cila ka vrarë shtetasen Eleni Basho, 36 vjeçe, me profesion laborante dentare, nuk ka qenë e pajisur me silenciator për shuarjen e zhurmës. Ky fakt bëhet i ditur nga burime të grupit të hetimit që kanë thënë se viktima është qëlluar nga afër me një pistoletë që besohet se ka qenë “Zastava”. Hetuesit kanë pohuar se në trupin e viktimës janë gjetur faktorë plotësues, çka tregon se qitja me armë është bërë nga afër. Po kështu, referuar verifikimeve të predhave, por edhe dëshmive të banorëve të zonës, është përjashtuar mundësia që arma të ketë qenë e pajisur me zhurmëshues. Sipas burimeve nga Prokuroria, në momentin e vrasjes së Eleni Bashos, rreth orës 19:30, banorët e zonës që janë marrë në pyetje pohojnë se kanë dëgjuar 2-3 krisma armësh. Ata janë të qartë kur thonë se kanë dëgjuar të shtënat e madje, bazuar në këtë zhurmë që është krijuar në vendin e ngjarjes, është lajmëruar më pas policia. Këto të dhëna kanë shërbyer për përjashtimin e mundësisë që arma e vrasjes së Eleni Bashos të ketë qenë me sileciator. Nga ana tjetër, zhurma e të shtënave mendohet se i ka trembur edhe vetë autorët e ngjarjes nga frika se do të binin në sy.
Policia: Kemi një i dyshuar
Hetim tabulateve të Eleni Bashos
TIRANE – Policia e Komisariatit Nr. 1 këmbëngul se ka një të dyshuar në lidhje me vrasjen e laborantes dentare, Eleni Basho, ndërsa Prokuroria deklaron se ka disa pista në hetim. Burimet zyrtare nga grupi hetimor kanë thënë dje se kanë kërkuar tabulatet telefonike të viktimës 36-vjeçare Eleni Basho dhe bashkëshortit të saj, Ilia Basho. Gruaja u qëllua me tre plumba pistolete pranë banesës së saj në zonën e Shkozës në Tiranë nga persona ende të paidentifikuar, të cilët u largua me vrap nga vendi i ngjarjes pa lënë asnjë gjurmë dhe pa rënë në sy. Në dukje ngjarja krijon përshtypjen e një krimi gjakftohtë dhe profesionist, mirëpo Prokuroria thotë se disa pista janë në hetim. Nuk përjashtohet grabitja, por as vrasja për shkak të konflikteve apo konkurrencës në biznes apo për motive të dobëta, që kanë të bëjnë me jetën bashkëshortore. “Autorët mund të jenë nisur për ta grabitur viktimën, por plani i tyre ka ndryshuar pasi janë detyruar të qëllojnë me armë”, thanë burimet. Sipas tyre, një tjetër pistë është bashkëpronësia e Eleni Bashos në një kompani produktesh farmaceutike deri pak kohë më parë. Problemet financiare dhe aktiviteti i kësaj kompanie po verifikohet nga hetuesit. Një tjetër pistë është vrasja për motive të dobëta, që ka të bëjë me jetën private të 36-vjeçares apo bashkëshortit të saj. Në funksion të të gjitha këtyre pistave, policia dhe prokuroria po kontrollojnë listën e telefonatave dhe SMS-ve të Eleni Bashos dhe bashkëshortit të saj.
Likuidimi financiar
Në pamje të parë, veprimet financiare me tërheqjen e Eleni Bashos dhe bashkëshortit të saj nga kompania “Nova Dental” duket se nuk paraqesin asnjë fakt të dyshimtë. Burimet nga Prokuroria kanë thënë se pas shitjes së aksioneve nga Eleni Basho, është rënë dakord për shumën që duhet të paguajë blerësi i tyre. “Palët e kanë zgjidhur me mirëkuptim këtë situatë dhe sipas të dhënave që disponojmë, i kanë njohur dhe pranuar detyrimet financiare të ndërsjella”, thanë burimet e hetimit. Sipas tyre, ndodhur në këto kushte, është vështirë të thuhet se mosmarrëveshjet financiare për aksionet e biznesit mund të kenë qenë shkak i vrasjes së Eleni Bashos. Megjithatë, prokuroria është duke parë bilancet, kontratat dhe gjithë veprimet bankare të kryera në këtë biznes, në mënyrë që hetimi të jetë sa më i plotë. Sipas akuzës, nga hetimi i deritanishëm nuk është arritur të mësohet për ndonjë konflikt financiar mes palëve në këtë transaksion.Flet ortaku: Do t’i paguaj me këste
“Ilia Basho iku nga kompania, do marrë edhe 40 mijë euro”
TIRANE – Prej rreth 10 vitesh, Ilia Basho, bashkëshorti i 36-vjeçares Eleni Basho, gruas së vrarë të enjten në Shkozë të Tiranës, ishte ortak në një kompani materialesh dentare dhe kishte 50 për qind të aksioneve. Kompania rezulton e regjistruar në QKR me dy emra. Ndërkohë, pronari aktual, shtetasi me iniciale I. B., që prej rreth dy muajsh është pronar i vetëm, pasi ka blerë aksionet e së ndjerës Eleni Basho. Me kërkesën e Ilia Bashos, në nëntor bashkëshortët ishin shkëputur nga kjo kompani, nga e cila, pas përllogaritjeve, do të merrnin si pjesë të tyre 75 mijë euro, të cilat kishin rënë dakord me ortakun I. B. që t’i tërhiqnin gradualisht, për të mos rënduar financat e kompanisë. Pothuajse gjysmën e parave Ilia Basho i ka marrë nga ish-ortaku i tij në kompaninë me materiale dentare që ndodhet te Rruga e Kavajës. “Për herë të fundit Basho ka marrë nga unë 10 mijë euro më datë 1 shkurt, katër ditë më parë. Ndërsa pjesën tjetër, ashtu siç kishim rënë dakord nëpërmjet një kontrate, ai do ta marrë më 31 mars, 30 mijë euro dhe më 15 prill edhe 10 mijë eurot e fundit, me të cilat likuidohet përfundimisht. Shkëputja ishte kërkuar nga ai dhe gjithçka ishte vendosur pa asnjë lloj shtrëngimi, me mirëkuptimin e të dyja palëve”, tregoi dje për gazetën ish-ortaku i Ilia Bashos.
KRIJIMI I KOMPANISE
Çifti Eleni dhe Ilia Basho kanë vendosur të bashkëpunonin me I. B. në fund të vitit 2000, kur me të janë njohur te një lokal në Allias. Pronari, tashmë i vetëm i kompanisë me materiale dentare, pajisje për klinika e laboratorë dentarë, tregon se është njohur rastësisht me Ilia Bashon në kohën që ai ishte punonjës i Tatim-Taksave dhe banonte në një shtëpi me qira në Allias, ku ai kishte lokalin. “Në biseda e sipër Ilia hodhi idenë e një bashkëpunimi, pasi kishte mbetur pa punë dhe gruan e kishte laborante dentare, dhe për këtë ishte i gatshëm të paguante 5 milionë dhrahmi. Sa ishte kthyer nga Greqia, ku kishte qenë emigrant dhe më tha që i kishte paratë”, tregon I.B. Sipas tij, Ilia Basho do të merrej me pjesën e financave të kompanisë, doganat, tatimet, sigurimet, meqenëse ishte me profesion ekonomist, ndërsa 50 për qind e aksioneve u regjistruan në QKR në emër të Eleni Bashos, me profesion laborante. Pronari tregon se kompania eci shumë mirë dhe ka një marrëdhënie mjaft të mirë me familjen e ish-ortakëve të tij. “Ilia Basho, në nëntor të vitit të kaluar kërkoi që të shkëputej nga biznesi, pasi do t’i përkushtohej familjes, tashmë e shoqja, ndjesë pastë, kishte hapur një laborator të vetin, disa metra më poshtë nga godina ku ndodhet kompania, dhe më kërkoi që të ndanim përqindjet. Sipas përllogaritjeve që bëmë atij i takonin 75 mijë euro, laboratori dhe një makinë. Për të mos më rënduar edhe mua financiarisht, Basho ra dakord pa asnjë lloj kundërshtimi apo mëdyshjeje që të caktonim disa data për tërheqjen e parave në formë këstesh dhe nënshkruam një kontratë noteriale. Aktualisht ai ka për të marrë nga unë edhe 40 mijë euro, pasi me pjesën tjetër jemi likuiduar”, shpjegoi pronari i kompanisë dentare.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











