Vritet për një kabëll 40-vjeçari

Jun 27, 2011 | 10:58
Viktima Ridvan Dekovi

Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e para të së dielës në fshatin Shtoj i Vjetër, rrethi Shkodër.Një 40-vjeçar, baba i katër fëmijëve, është vrarë më armë zjarri nga të paktën dy persona, të cilët kishin shkuar për t’i vjedhur kabllin e energjisë elektrike. Sipas informacioneve zyrtare të policisë së Shkodrës, mësohet se mëngjesin e djeshëm u ekzekutua me armë zjarri Ridvan Dekovi. Policia po punon për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të krimit, të cilët janë larguar menjëherë në drejtim të paditur. Viktima ka marrë dy plumba, njërin në kraharor dhe tjetrin në krah. Kanë qenë të afërmit e Dekovit, të cilët me të dëgjuar krismat, kanë vrapuar dhe e kanë gjetur atë të mbuluar në gjak. Me gjithë tentativat e tyre për ta dërguar me shpejtësi në spital, çdo përpjekje ka rezultuar e kotë, pasi 40-vjeçari nuk ka mundur dot të mbijetojë, si rezultat i plagës së marrë në kraharor.
Ngjarja
Sikurse mësohet, Dekovi ka qenë duke fjetur në karrocerinë e një zetori në tokën e tij me qëllim që sapo të zbardhte drita, ai të vazhdonte punën në të, para se ta zinte vapa. Por një zhurmë e pazakontë në atë orë të hershme të mëngjesit dhe në atë vend ka bërë që Dekovit t’i dalë gjumi dhe të zbresë nga zetori. Në atë moment, ai ka parë dy persona që po i vidhnin kabllin e energjisë elektrike, i cili furnizonte pompën e ujit të pijshëm. Dekovi është drejtuar nga ata dhe u ka bërë thirrje që të largohen. Nga frika se mos i zbulonte, grabitësit kanë qëlluar dy herë në drejtim të 40-vjeçarit Ridvan Bekovi, duke e lënë atë të plagosur rëndë në tokë dhe janë larguar me shpejtësi. Pasi janë dëgjuar krismat në vendin e ngjarjes, të parët që kanë mbërritur ishin të afërmit e Dekovit, të cilët kanë konstatuar se ai ishte i plagosur rëndë nga 2 plumba që e kishin marrë një në kraharor ndërsa tjetri në krah. Kur e kanë parë ashtu të mbuluar në gjak dhe të pajetë, familjarët e Dekovit menjëherë kanë njoftuar policinë, e cila me të mbërritur në vendngjarje, ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë.
Hetimet
Nga këqyrja e trupit të viktimës, blutë e Shkodrës, në bazë të plagëve të marra, fillimisht kanë dyshuar se ai mund të ishte qëlluar me armë të ftohtë. Por, këmbëngulja e familjarëve se kanë dëgjuar të shtëna dhe kryerja e autopsisë në trupin e viktimës ka zbuluar në trupin e 40-vjeçarit 2 predha që i përkasin një arme zjarri tip “Kallashnikov”. Efektivat e policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e provave materiale të gëzhojave, por gjetja e tyre ka qenë e pamundur, kjo edhe nga terreni i mbuluar me bar. Njëkohësisht, policia dyshon se grabitësit pas ekzekutimit të kenë zhdukur provat e krimit. Në lidhje me këtë ngjarje, pranë Drejtorisë së Policisë Shkodër është ngritur një grup hetimor, për zbardhjen e plotë të saj. Njëkohësisht, agjentë të Policisë Kriminale të Shkodrës kanë nisur kontrollet dhe krehjen e zonës, në të gjithë fshatin Shtoj i Vjetër, për gjetjen e autorëve të krimit. Nga të dhënat e para, është zbardhur fakti se autorët kanë qenë grabitës, të cilët kanë qëlluar nga frika se mos i zbulonte pronari i tokës.

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura