Vritet në derën e shtëpisë 43-vjeçari

Jul 16, 2011 | 11:44
Viktima: Aleksandër Koliçi

Një person i moshës 43 vjeç u vra mbrëmë me armë zjarri në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi”, fare pranë banesës së tij në Tiranë.Krimi i rëndë, që tronditi zonën, ka ndodhur në një rrugë mes pallateve të banuara, ndërsa viktima është shtetasi Aleksandër Koliçi, 43 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë. Ai ndodhej pranë pallatit ku banonte me qira në katin e nëntë në momentin kur është përballur me vrasësit që i kishin zënë pritë. Dy persona dyshohet se kanë qenë autorët e krimit. Policia tha se Aleksandër Koliçi u gjet përtokë me dy duart mbështjellë në kokë, çka interpretohet nga hetuesit me mundësinë që viktima t’i ketë njohur vrasësit. Personat e paidentifikuar e qëlluan me armë viktimën që ishte veshur me një T-shirt, pantallona të shkurtra, të zeza dhe shapka. Ai ndodhej pranë makinës së tij një “Peugeot”, të cilën e kishte ngritur në kriko për t’i riparuar gomën. Viktima, që njihej edhe me emrin Aleksandër Gremi, humbi jetën si pasojë e një plumbi të vetëm në kokë ndërsa autorët e atentatit u larguan nga vendi i krimit brenda pak minutave duke vrapuar rrugicave. Policia, e cila është vënë në dijeni nga banorë të zonës, shkoi menjëherë aty ku ndodhi ngjarja, por përpjekjet për ndihmën e shpejtë kanë qenë të kota. Sipas të dhënave të policisë, 43-vjeçari ishte qëlluar me armë në distancë të afërt dhe për pasojë, plagët e marra kanë qenë vdekjeprurëse. E gjithë zona është rrethuar nga forcat e policisë, të cilat kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe më pas kanë ngritur postblloqe me qëllim kapjen e vrasësve të 43-vjeçarit. Grupi i hetimit që shkoi në vendin e ngjarjes ka identifikuar dhe shoqëruar edhe disa dëshmitarë, të cilët kanë dhënë deklarime në lidhje e ngjarjen. Mbrëmë, Policia e Tiranës tha se nuk kishte motive apo autorë të dyshuar në lidhje me atentatin. Viktima, shtetasi Aleksandër Koliçi, ishte dënuar nga gjykatat shqiptare me 4 vjet burg për akuzën e trafikut të drogës. Më 23 maj 2006, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi arrestimin e shtatë personave, mes të cilëve ndodhej edhe Aleksandër Koliçi. Ndaj tij dhe gjashtë të arrestuarve të tjerë, sipas Policisë së Shtetit, është organizuar operacioni i koduar “Poter-Al”, për zbatimin e urdhrave të arrestit të nxjerrë nga Prokuroria për Krime të Rënda, me akuzën për trafik të lëndëve narkotike. Në atë kohë, policia deklaroi gjithashtu se operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit nga strukturat e Policisë së Shtetit u shtri në qytetet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, ku morën pjesë 32 oficerë të

Vendi ku u vra 43-vjeçari mbrëmë në Tiranë

Policisë së Shtetit. Sipas një vendimi të gjykatës, Aleksandër (Sandro) Koliçi i është drejtuar me kërkesë gjykatës, me të cilën kërkon lirimin para kohe me kusht nga vuajtja e mëtejshme e dënimit. Gjykata, pasi mori kërkesën në shqyrtim, konstatoi se Aleksandër Koliçi është deklaruar fajtor për veprat penale të “trafikimit të narkotikeve”, “falsifikimit të pasaportave” dhe “falsifikimit të akteve të gjendjes civile”, duke e dënuar përfundimisht me 4 vjet burgim. Për këtë vendim ishte bërë ankim në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, e cila, me vendimin nr. 36, dt. 30.05.2008, ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit nr. 15, dt. 23.05.2006 të Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë. Sipas gjykatës, i dënuari Aleksandër (Sandro) Koliçi, vuajti dënimin në institucionin e ekzekutimit të dënimeve penale “Ali Demi” në Tiranë. Gjykata ka shqyrtuar dinamikën e vuajtjes së dënimit të këtij institucioni, ku rezultoi se ky i dënuar, deri më datë 07.11.2008 ka vuajtur gjithsej nga dënimi i dhënë 3 vjet, 5 muaj dhe 27 ditë burgim, duke i mbetur për të vuajtur 6 muaj dhe 3 ditë burgim. Gjykata ka pohuar se personi në fjalë nuk ka përfituar ulje dënimi me falje apo amnisti. Në proces është administruar edhe vlerësim-sjellja e lëshuar nga Drejtoria e institucionit të ekzekutimit të dënimeve penale “Ali Demi”, Tiranë e datës 23.10.2008, nga e cila rezulton se kërkuesi (i dënuari) Aleksandër (Sandro) Koliçi ka një sjellje dhe qëndrim shumë të mirë. “Ai ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me bashkëvuajtësit dhe personelin e shërbimit, ka zbatuar rregulloren e burgut dhe nuk ka asnjë thyerje disiplinore”, thuhej në vlerësimin e Burgjeve. Sipas të njëjtit dokument, përmendur nga gjykata, Koliçi ka pasur interes për arsimimin dhe është lexues i rregullt i librit, ndërsa është penduar për veprën penale të kryer”. Nisur nga këto shkaqe, më 8 nëntor 2008, Gjykata e Tiranës e liroi me kusht 37-vjeçarin.

 

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura