SHIJAK- Vritet me thikë pas sherrit në bilardo 18-vjeçari. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 20:50 në qytetin e Shijakut, viktimë e së cilës mbeti Doris Elezi. Ai u vra me thikë pas shpine nga 15-vjeçari me inicialet E.S., i cili është shpallur në kërkim nga policia. Mësohet se 18-vjeçari me origjinë nga Dibra, por banues prej disa vitesh në Shijak, kishte qenë duke u kthyer në banesën e tij kur është qëlluar për vdekje me armën e ftohtë. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë parë minorenin E.S., që e ka qëlluar me thikë dhe, më pas, viktimën që ra përtokë i mbuluar me gjak. Ata e kanë marrë menjëherë të plagosurin për ta transportuar në spitalin e Durrësit, por fatkeqësisht 18-vjeçari nuk mundi t’i shpëtojë dy plagëve të shkaktuara nga thika në anën e djathtë të barkut. Ai ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Pas sinjalizimit të dhënë, policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe, bazuar në hetimet paraprake e dëshmitë e personave që u gjendën afër vendit të krimit, mundën të identifikonin autorin, tri vite më i vogël se viktima. Blutë mbërritën në banesën e 15- vjeçarit, por nuk arritën ta gjenin aty. Pasi u bë shpallja në kërkim, policia mori në pyetje disa persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen, nga ku rezultoi se viktima e autori kishin pasur një sherr paraditen e djeshme. Konflikti mes tyre kishte ndodhur në bilardo. Dy të rinjtë ishin zënë për radhën se kush do të luante më parë, por më pas 18-vjeçari e kishte gjuajtur me shuplakë të miturin. Ky i fundit është hakmarrë disa orë më pas pikërisht për sherrin që ndodhi në vendin ku po luanin. Ai i ka zënë pritë me thikë në dorë viktimës dhe e ka qëlluar atë pas shpine, duke i shkaktuar vdekjen. Policia e Shijakut bëri të ditur mbrëmë se ka ngritur disa postblloqe dhe janë kryer disa kontrolle në banesa të dyshuara për vendndodhjen e të dyshuarit për vrasjen. l.m











