Vritet me 12 plumba “Loshi” i Kavajës

Jun 6, 2012 | 14:31
Makina BMW, ku u vra Elvis Dedej në Durrës

Ekzekutohet me 12 plumba në makinën e tij 36-vjeçari nga Kavaja me precedentë penalë në plagosje me armë dhe trafik droge. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 18:00 në rrugën dytësore të plazhit pranë Shkëmbit të Kavajës në Durrës. Shtetasi Elvis Dedej, i njohur edhe me nofkën “Loshi”, u qëllua për vdekje nga persona ende të paidentifikuar, të cilët pas atentatit ikën nga vendi i ngjarjes me automjet që u gjet i djegur disa orë më vonë. Sipas Policisë, vrasja e 36-vjeçarit nga Kavaja ka ndodhur teksa viktima i cili kishte një armë në brez, është qëlluar me breshëri kur ndodhej brenda në makinën e tij luksoze. Autorët e krimit që dyshohet të kenë qenë më shumë se dy persona, kanë derdhur mbi mjetin e 36-vjeçarit një sasi shumë të madhe plumbash. Viktima ka marrë në trup 12 plumba, ndërsa në vendngjarje janë gjetur 60 gëzhoja. Viktima Elvis Dedej nga Kavaja, sipas Policisë ka precedentë për shpërndarje droge jashtë Shqipërisë në Itali dhe Belgjikë, ndërsa ishte i dyshuar edhe për plagosjen e një femre pak vite më parë në Shqipëri. Sipas Policisë 36 -vjeçari ishte shpallur në kërkim për trafik droge nga Prokuroria e Antverpit në Belgjikë.
Atentati
Ngjarja është bërë e ditur për Policinë rreth orës 18:30. Viktima është gjetur pa jetë në autoveturën me targa AA 481 CT. I riu kishte me vete në brez një pistoletë, të cilën sipas Policisë e mbante pa leje. Pak çaste më vonë, Policia identifikoi viktimën duke pohuar se shtetasi i vrarë njihej për precedentë penalë të mëparshëm. Sipas hetuesve, në vendngjarje janë gjetur më shumë se 60 gëzhoja, ndërsa dyshohet se drejt automjetit tip “BMW” është qëlluar me disa armë zjarri njëherësh. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se në krim kanë marrë pjesë më shumë se dy persona dhe se kanë qëlluar në ecje e sipër mbi 36-vjeçarin. Policia dyshon se kemi të bëjmë me një atentat të mirorganizuar dhe se në ngjarje mund të jenë përdorur dy automjete nga ana e autorëve. Sipas të dhënave nga Policia, ndonëse rruga është e ngushtë, në drejtim të automjetit tip “BMW” është shkarkuar një breshëri plumbash në të dy anët, pasi edhe hyrje-daljet e predhave janë të tilla. Hetuesit mendojnë se autorët e vrasjes e kanë ndjekur viktimën nga Kavaja dhe se kanë nisur ta qëllojnë atë sapo i janë afruar Shkëmbit të Kavajës, duke shfrytëzuar rrugën e ngushtë. Nga pozicioni i gëzhojave të gjetura në vendngjarje, është mësuar se fillimisht autorët kanë qëlluar nga një distancë rreth 20 metra dhe më pas janë afruar dhe, pa dalë nga mjeti, mbyllën misionin e u larguan.
Hetimi
Në vendin ku gjeti vdekjen 36-vjeçari me precedentë penalë kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Rendit, por edhe forca të Antidrogës. Hetuesit bllokuan vendin ku u krye krimi, një rreze prej më shumë se 200 metra, duke ndaluar çdo lëvizje të banorëve të zonës apo edhe të automjeteve që tentonin të kalonin në rrugën dytësore. Makina e viktimës kishte ndaluar pranë murit dhe distanca e vogël e mjetit me bordurën shkaktoi vështirësi në hapjen e derës e më pas nxjerrjen e trupit të viktimës. Për shkak se automjeti ishte i bllokuar, policëve u është dashur që të thyejnë xhamat për të nxjerrë viktimën. Policia pyeti më pas dëshmitarët që treguan në lidhje me ngjarjen, ndërsa 30 minuta më pas në zonën e njohur si Kodra e Harapajt është gjetur e djegur makina që besohet se është përdorur nga autorët e vrasjes së të riut nga Kavaja.

Autorët, makinë tip “Nissan” me targa të huaja
DURRES – Bazuar në përshkrimet e dhëna prej dëshmitarëve të vrasjes së djeshme në rrugën e Plazhit, policia është vënë në ndjekje të një automjeti. Vetëm 30 minuta pasi kishte ndodhur krimi te Shkëmbi i Kavajës, disa kilometra më tej, në vendin e njohur si Kodra e Harapajt, policia gjeti një mjet që i ishte vënë flaka disa minuta më parë. Ka qenë pikërisht ndjekja e policisë për automjetin e përmendur nga dëshmitarët që ka ndihmuar identifikimin e makinës. Pushuesit në zonë kanë thënë se pas breshërive të armës një makinë ishte larguar nga vendngjarja me shpejtësi. Ekspertët e Policisë thanë se mjeti tip “Nissan” me targa të huaja (një pjesë e tyre u lexua: 01731FB) është përdorur në krim. Sipas këqyrjes në vendngjarje, makinës i është vënë flaka nga autorët, ndërkohë që ata janë larguar me një tjetër mjet nga vendi i krimit. Ende nuk dihen rrethanat e krimit të rëndë, por Policia po heton në disa drejtime duke u përqendruar kryesisht në aktivitetin dhe precedentët penalë të viktimës. Policia thotë se vrasja mund të ketë ndodhur për shkak se viktima dyshohet të jetë pjesë e një rrjeti trafikantesh të lëndëve narkotike ose për shkak të ndonjë konflikti që mund të ketë pasur.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura