Vritet ambasadori amerikan në Libi

Sep 13, 2012 | 15:21

Ambasadori i vrarë në Libi, Kris Stivens

Digjet konsullata e SHBA në Bengazi, 50 marinsa drejt Libisë, forcohet siguria e diplomatëve në botë.

Fshihet regjisori hebre: “Islami është kancer, do ndihmoj vendin tim”

Ambasadori amerikan në Libi u ekzekutua nga protestuesit e zemëruar për prodhimin në SHBA të një filmi me fyerje të paprecedenta kundrejt profetit Muhamed, personi më i shenjtë për besimtarët e fesë islame. Regjisori i filmit, një izraelit hebre që jeton në SHBA, është fshehur, por nuk ndien asnjë përgjegjësi për valën e dhunës që u krijua nga filmi i tij. Ai tha se fajin e ka niveli i sigurisë në Ambasadë dhe SHBA duhet të bëjë diçka për këtë. Zyrtarët libianë dhe ata amerikanë konfirmuan se ambasadori Kris Stivens u vra të martën në mbrëmje bashkë me tre amerikanë të tjerë, pjesë e stafit të tij. Konsullata në Bengazi, ku ambasadori kishte shkuar të martën për një vizitë të shkurtër, u sulmua me armë zjarri e granata e më pas iu vu flaka. Sulmi pasoi atë në Ambasadën Amerikane në Kajro, Egjipt, ku rreth 200 protestues janë ngjitur në muret e Ambasadës Amerikane dhe kanë zëvendësuar flamurin amerikan me atë islamik. Rreth 2 mijë të tjerë protestonin në rrugët para Ambasadës. Zyrtarët amerikanë janë shprehur se rreth 50 marinsa janë dërguar në Libi për të forcuar sigurinë në ndërtesat diplomatike amerikane menjëherë pas sulmit në qytetin lindor Bengazi, ku u vra ambasadori amerikan dhe tre amerikanë të tjerë të stafit të tij. Marinsat janë anëtarë të një grupi elite të njohur si “Fleet Antiterrorism Security Team”, roli i të cilëve është t’u përgjigjen shkurt kërcënimeve nga terrorizmi dhe të forcojnë sigurinë në ambasadat amerikane. Ata veprojnë në të gjithë botën.
Raportime të ndryshme

Makina e ambasadorit pasi u qëllua me raketë nga sulmuesit e konsullatës

Raportimet për incidentin e rëndë kanë qenë kontradiktore. Ambasadori po vizitonte Bengazin, kur konsullata u sulmua të martën në mbrëmje. Ai vdiq nga asfiksia gjatë sulmit, bashkë me dy truprojat e tij, kanë deklaruar burime të sigurisë për “Al Jazeera”. Trupat e të vdekurve janë transportuar në aeroportin ndërkombëtar të Bengazit për t’u dërguar në Tripoli e më pas në një bazë ajrore amerikane në Gjermani. Raportime të tjera tregojnë se ambasadori u sulmua në makinë dhe jo në konsullatë. Sipas Reuters, duke cituar një zyrtar libian, ambasadori ishte nisur rrugës drejt një vendi më të sigurt kur u sulmua konsullata. Zyrtari tha se ambasadori dhe tre anëtarë të tjerë të stafit të tij u vranë, kur një raketë u hodh në makinën e tyre. Sipas një dëshmitari, i cili ka folur për gazetën “Libya Herald”, protestuesit ishin salafistë që ishin nisur drejt ndërtesës për të bërë sa më shumë dëme. Bashkë me ta ishte edhe milicia Ansar Al-Sharia. Ai tha se përleshjet mes tyre dhe forcave të sigurisë zgjatën rreth 5 orë. Sipas tij, polici që ruante zyrën, i kishte lejuar protestuesit të hynin në konsullatë. Ata i kishin detyruar të gjithë të dilnin jashtë dhe i kishin vënë flakën ndërtesë.
Letra e Stivens
Në një e-mail drejtuar familjarëve të tij pak para se të ndahej nga jeta, ambasadori Stivens shkruante se ishte i inkurajuar nga ndryshimet që kishte parë në Libi. “Çdo gjë ka ndryshuar për mirë. Njerëzit qeshin më shumë dhe janë më të hapur me të huajt. Amerikanët, francezët dhe britanikët kanë popullaritet të pazakontë. Le të shpresojmë që të zgjasë!”. Stivens ishte një diplomat në karrierë, i cili flet arabisht dhe frëngjisht dhe ka shërbyer në Libi edhe gjatë revoltës kundër Muamar Gedafit, duke drejtuar zyrën përfaqësuese në Bengazi. Në fillim të këtij viti, ai u konfirmua nga Senati si ambasador në Libi.
Filmi nxitës
Filmi që zgjat dy orë, “Innocence of Muslims”, (Pafajësia e myslimanëve) ka kushtuar 5 milionë dollarë dhe u realizua me donacionet e 100 donatorëve hebrenj, tha Bacile, i cili është skenarist dhe regjisor i filmit. Në film thuhet se Muhamed është mashtrues. Trajleri 14 minuta i filmit i cili ka ndezur protestat, i postuar në Youtube në gjuhën angleze dhe në arabishten egjiptiane, tregon një staf amator që përforcojnë një dialog fyerjesh mbi Muhamedin, ndjekësit e bindur të të cilit  paraqiten si budallenj. Ai e përshkruan Muhamedin si një feminist që ka aprovuar abuzimin seksual të fëmijëve, mes fyerjesh të tjera që kanë shkaktuar zemërim. Myslimanët e kanë fyerje ta përshkruash Muhamedin në çdo mënyrë, aq më tepër ta fyesh. Filmi i Basil ishte dubluar në gjuhën arabe nga dikush që ai thotë se nuk e njeh, por që ka mjaftueshëm njohuri të arabishtes sa për të konfirmuar se teksti i përkthyer është i saktë. Filmi është realizuar në verën e vitit 2011 me 59 aktorë dhe rreth 45 persona pas kamerave. Filmi i plotë është publikuar vetëm një herë në një sallë pothuajse bosh në Hollivud këtë vit.
Fshihet regjisori
Regjisori izraelit që banon në Kaliforni është fshehur. Duke folur në telefon të martën nga një vend “i fshehtë”, shkrimtari dhe regjisori Sem Basil, 56 vjeç, mbetej i palëkundur në idetë e tij, duke theksuar se “Islami është një kancer dhe se filmi do të provokonte politikën që të dënonte këtë fe”. “Ky është një film politik”, tha Basil. “SHBA ka humbur shumë para dhe njerëz në luftën në Irak dhe Afganistan, por ne po luftojmë me ide”. Bacile, i cili merret gjithashtu edhe me prona të paluajtshme në Kaliforni, e identifikon veten si një hebre izraelit. Ai tha se beson që filmi i tij do të ndihmojë vendlindjen e tij, duke ekspozuar të metat e islamit në botë. Edhe pse tha se i vjen keq për amerikanët që u vranë në Ambasadë, Basil tha se faji ishte i kushteve të dobëta të sigurisë. “Ndiej se sistemi i sigurisë (në Ambasadë) nuk është i mirë. Amerika duhet të bëjë diçka për ta ndryshuar atë”, tha Basil. Një konsulent i filmit, Stiv Klein, tha se prodhuesi i filmit është i shqetësuar për familjen e tij që jeton në Egjipt, por Basil refuzoi të komentojë. Klein tha se kishte pranuar ta ndihmonte Basil të realizonte filmin, por e kishte paralajmëruar se “do të jesh Teo van Gog i ardhshëm”. Van Gog është një producent filmash holandez, i cili u vra nga një ekstremist mysliman në vitin 2004, pasi realizoi një film që u konsiderua fyerje për islamin. “Ne i hymë kësaj rruge duke e ditur se kjo do të ndodhte”, tha Klein.

Tirana zyrtare dënon sulmin, ngushëllon SHBA

Bujar Nishani

Ngushëllimet për incidentin e rëndë që ka ndodhur në konsullatën amerikane në Libi, kanë ardhur nga të gjithë zyrtarët më të lartë shqiptarë. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi presidentit amerikan, Barak Obama. “Më lejoni Shkëlqesi, që për këtë ngjarje tragjike që tronditi gjithë popullin mik amerikan dhe mbarë botën demokratike, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh Juve dhe të afërmve të viktimave ngushëllimet më të sinqerta! Shpresoj që pasojat e kësaj tragjedie njerëzore dhe ndërkombëtare të kalohen sa më lehtë”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit shqiptar. Edhe Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit Obama. “Atentati terrorist i Bengazit është një ngjarje tronditëse tejet e dhimbshme për Ju dhe kombin tuaj ta madh, por edhe për shqiptarët dhe të gjithë miqtë tuaj në mbarë botën. Qeveria shqiptare dënon me ashpërsinë më të madhe  këtë akt të shëmtuar e barbar …ju shpreh Ju, familjeve të viktimave, qeverisë dhe kombit tuaj, ngushëllimet më të sinqerta”, shkruhet mes të tjerash në mesazhin e Kryeministrit. Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë e ka cilësuar sulmin ndaj Konsullatës Amerikane në Bengazi si kriminal. Ngushëllime janë shprehur edhe nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Sipas tij, krimi ka goditur jo vetëm SHBA, por dhe miqtë e amerikanëve. “Sulmi ndaj Ambasadës Amerikane në Bengazi është një barbari kundër qytetërimit demokratik. Ne jemi sot solidarë me miqtë tanë të mëdhenj në këtë ditë të vështirë për ta dhe do të jemi krah tyre në çdo fushëbetejë kundër errësirës”, shkruan Rama në “Twitter” e “Facebook”.

Barak Obama: Stivens, përfaqësuesi kurajoz i SHBA
Presidenti Obama, duke dënuar sulmin në konsullatën amerikane në Libinë lindore, tha se ka urdhëruar të gjitha burimet e nevojshme për të mbështetur sigurinë e personelit në Libi dhe rritjen e sigurinë në ndërtesat diplomatike në të gjithë botën. Obama e ka quajtur Stivens një “përfaqësues kurajoz dhe ekzemplar të Shteteve të Bashkuara. E dënoj fort sulmin në godinën tonë në Bengazi”, tha Obama. Ai shtoi se katër amerikanët “përfaqësojnë angazhimin e Amerikës për liri, drejtësi dhe partneritet me kombet rreth globit”.

Romnej kritikon Obamën: Përgjigjja, “për të ardhur turp”
Kandidati republikan për Presidencën, Mit Romnej, ka kritikuar administratën Obama, duke thënë se përgjigjja e parë për sulmet në Libi dhe Egjipt ishte “për të ardhur turp”. Ambasada Amerikane në Kajro ka nxjerrë një deklaratë, duke thënë se dënon “përpjekjet e vazhdueshme të individëve në rrugë të gabuar, të cilët kërkojnë të lëndojnë ndjenjat fetare të myslimanëve dhe ne dënojmë përpjekjet për të ofenduar besimtarët e të gjitha feve”.  Romnej tha: “Është për të ardhur turp që reagimi i parë i administratës Obama nuk ishte dënimi i sulmit në misionin tonë diplomatik, por simpatia për ata që po e kryenin këtë sulm”.

Klinton
Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, pasi dënoi ashpër sulmin kundër amerikanëve në Bengazi dhe dha lajmin për vdekjen e  ambasadorit dhe katër anëtarëve të stafit të tij, e cilësoi të pabesueshëm faktin që ky sulm ndodhi pikërisht në vendin që amerikanët kishin ndihmuar të çlironin. “Ambasadori amerikan u vra në qytetin, shkatërrimi i të cilit prej forcave të Muamar Gedafit u parandalua prej ndërhyrjes ushtarake amerikane. “Disa prej tyre janë përpjekur ta justifikojnë këtë sulm me një material nxitës postuar në internet. SHBA shpreh keqardhjen për çdo përpjekje të qëllimshme për denigrimin e besimeve fetare të të tjerëve.  Por më lejoni të jem e qartë: nuk ka kurrë justifikim për akte të dhunshme të kësaj natyre”, theksoi Klinton.

© Panorama.al

Te lidhura