Vritet 17- vjeçari, dyshohet se do vidhte bagëti

Feb 11, 2012 | 11:09

LUSHNJE- Një 17-vjeçar u vra mbrëmë në Kolonjë të Lushnjës nga një bashkëfshatar i tij. Policia bëri të ditur se viktima është shtetasi me inicialet F.D. Ai mbeti i vdekur në vend pasi u qëllua me çifte rreth orës 22:13 nga 69-vjeçari Brahim Gjolena. Burime të Policisë bënë të ditur se autori është arrestuar dhe se ai ka pranuar autorësinë pas krimit të rëndë. Mësohet se 69- vjeçari ka pohuar para grupit të hetimit se e kishte kryer vrasjen, pasi adoleshenti kishte shkuar t’i vidhte bagëtinë. Sipas dëshmisë së tij, ai kishte ndjerë trembjen e bagëtisë dhe kishte dalë për të parë se çfarë po ndodhte me armën në dorë. Sapo ka konstatuar se dikush ndodhej tek dera e vathës, Gjolena ka qëlluar në drejtim të tij. Më pas, ai pa se viktima ishte bashkëfshatari i tij 17- vjeçar. Policia u njoftua nga vetë autori i ngjarjes, i cili e ka pritur atë në banesë. Policia e Lushnjës mbërriti menjëherë dhe arrestoi me akuzën e vrasjes 69- vjeçarin. Ai është marrë në pyetje deri në orët e vona, nga ku ka dëshmuar dyshimin e tij për vjedhje, çka më pas shkaktoi edhe vrasjen e adoleshentit. m.r

© Panorama.al

Te lidhura