Vritet me thikë 13-vjeçari, pas konfliktit me bashkëmoshatarin e tij në ndeshjen e futbollit. Ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Ballshit, ndodhi mbrëmë rreth orës 22:00. Policia bëri të ditur se viktima Xhevit Mehmeti gjeti vdekjen e menjëhershme në fushën e lojës, pasi u qëllua me thikë në zemër nga 13-vjeçari me inicialet B.L. Pas krimit, i mituri është larguar në tentativë për t’u arratisur, por ai u ndalua disa minuta më pas, jo shumë larg vendit të krimit. Dëshmitarë në vendngjarje bënë të ditur se një grup fëmijësh të së njëjtës lagjeje kanë qenë duke luajtur futboll në afërsi të vendit të quajtur “ish-kinemaja” në Ballsh. Ata luanin gjithnjë në një fushë të improvizuar prej tyre dhe me ndriçim të mjaftueshëm për të zhvilluar ndeshjen. Por gjatë lojës së mbrëmshme, për shkaqe ende të pakonfirmuara, dy të miturit, të cilët kanë qenë në skuadra të ndryshme nga njëri-tjetri, kanë nisur të debatojnë. Në fillim janë sharë e gjuajtur me grushte, por më pas ngjarja precipitoi tragjikisht. 13-vjeçari B.L. krejt papritur ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete duke qëlluar shokun e tij. Gjithçka ndodhi në sy të fëmijëve të tjerë, të cilët fillimisht nuk kanë kuptuar se çfarë po ndodhte. Ata mbetën të tmerruar dhe dhanë alarmin kur panë shokun e tyre që ra në fushën e lojës dhe ishte i përgjakur. Në vend mbërritën menjëherë banorët e bllokut të pallatit ku zhvillohej ndeshja. Por tentativa e tyre për t’i dhënë ndihmën e parë të miturit ka qenë e kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë në vend për shkak se tehu i thikës i kishte prekur zemrën. Mësohet se viktima njihej në qytet me emrin Bushi (ashtu quhej gjyshi i tij), ndërsa origjina e familjes është nga fshati Klos i Mallakastrës. Ai ishte në klasën e shtatë dhe vetëm pak ditë më parë kishte përfunduar këtë vit shkollor. Policia bëri të ditur se 13-vjeçari ishte fëmija i vogël i familjes Mehmeti. Ai kishte edhe një vëlla dhe një motër tjetër.
Autori
Fëmijët që kanë qenë duke luajtur bashkë me viktimën e autorin, thuajse të gjithë në moshë të përafërt me ta, janë shoqëruar mbrëmë në Policinë e Ballshit për të dhënë dëshminë e tyre rreth ngjarjes. Për shkak të moshës mjaft delikate të tyre, policia ka qenë e kujdesshme në marrjen e dëshmive të tyre, ndërsa deri në orët e vona nuk kishte të dhëna në lidhje me deklaratën e autorit të arrestuar. Mësohet se si autori ashtu edhe të miturit që kanë parë skenën e ngjarjes, ishin në një gjendje mjaft të tronditur psikologjike.











