Dy shtetas shqiptarë, emigrantë në Greqi, u vranë mbrëmjen e së martës në Athinë në një krim të çastit.Ngjarja, sipas Policisë greke, ka ndodhur në një lokal në rrugën “Sofokleus 182”, në lagjen “Kalithea”. Dy viktimat, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, ishin duke ngrënë bukë, në kohën kur vrasësit kanë qëlluar me breshëri në distancë të afërt, duke u marrë jetën dy emigrantëve. Armando Kola, 31 vjeç dhe Klajdi Hoxha, 26 vjeç, mësohet se janë viktimat e krimit. Dy shqiptarët e tjerë që ndodheshin në tavolinë me të vrarët kanë shpëtuar, por ata janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Sipas të dhënave nga Policia, ka qenë njëri nga shqiptarët ai që pas një debati me personat e tjerë në tavolinë ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dy viktimat, duke i lënë të vdekur në vend. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes nuk i thanë policisë se njëri nga të vrarët u qëllua dy herë me pistoletë në kokë. Viktima e dytë ishte ngritur ndërkohë nga tavolina, por është ndjekur nga autori i ngjarjes, i cili me armë në dorë ka vrapuar derisa ka arritur të vrasë edhe shqiptarin e dytë me një plumb në kokë. Autori i krimit me shqiptarin e mbetur u larguan më pas nga vendi i masakrës. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes, ndërsa forcat e rendit janë vënë në ndjekje të autorëve të krimit. Policia ka folur dje për një vrasje që ka pasur si motiv larje hesapesh ose trafik narkotikësh. Efektivat e Policisë greke kanë krehur gjithë zonën, pa arritur të ndalojnë autorët e krimit, edhe për shkak të mbërritjes me vonesë në vendin e ngjarjes. Nga ana tjetër, vrasësi dhe miku i tij shqiptar kanë vepruar shpejt, duke u larguar në kohë nga vendi i ngjarjes. Policia ka fiksuar megjithatë prova të rëndësishme ne restorant, të cilat mund të ndihmojnë identifikimin e autorit të krimit të dyfishtë.











