LUSHNJE- Konflikti për mullarin e barit dhe lopën që hante në të çon në vrasjen e një 34-vjeçari në fshatin Grabian të Lushnjës. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, kur viktima Servet Snalla, 34 vjeç, është qëlluar disa herë me thikë nga shtetasi Nezir Mehmeti, 35 vjeç. Mësohet se viktima mbeti i plagosur rëndë, por ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Policia bëri të ditur se autori ka qenë duke kositur barin në tokën e tij bashkë me të shoqen. Prej ditësh ai kosiste dhe vinte mullarë. Por është nervozuar pasi njëri prej mullarëve ishte dëmtuar nga lopa e fqinjit të tij. Për këtë shkak, edhe dje dy fqinjët janë grindur e sharë me njëri-tjetrin, derisa ngjarja precipitoi me vrasjen e 34-vjeçarit. Pasi janë përleshur më parë, Mehmeti ka shkuar në banesë dhe ka marrë një thikë. Ai e ka goditur viktimën disa herë në trup, por njëra prej goditjeve i ka prekur atij zemrën. Pasi kanë parë gjendjen në të cilën ndodheshin, autori bashkë me gruan e tij e kanë marrë atë me urgjencë për ta dërguar në spital. Por 34-vjeçari ndërroi jetë në duart e tyre, rrugës së fshatit. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe arrestoi autorin e krimit me akuzën e vrasjes.
Pendohet autori: Doja ta trembja
I arrestuari për vrasjen e fqinjit të tij ka pranuar krimin në Polici, por sipas tij ai kishte dashur vetëm ta trembte. “Nuk doja ta vrisja. Mora thikën për ta trembur, por më pas situata doli jashtë kontrollit dhe nuk mbaj mend çfarë ndodhi”, kështu mësohet se ka deklaruar në Polici 35-vjeçari i arrestuar, i cili pasi plagosi rëndë fqinjin e tij, tentoi t’i jepte ndihmë dhe ta çonte në spital. Por viktima nuk arriti t’i shpëtonte thikës që e goditi në zemër.











