“Vrava vjehrrin për vetëmbrojtje”

Aug 24, 2011 | 11:04
Viktima Gjon Kodra

Një ditë pas arrestimit për vrasjen e vjehrrit, 35- vjeçari Dedë Marku është shprehur në polici se krimin e kishte kryer për vetëmbrojtje.Pas arrestimit në orët e vona të së hënës, dhëndri ka pranuar vrasjen duke deklaruar se “e vrava vjehrrin tim, Gjon Kodra, për t’u vetëmbrojtur”. Sipas deklaratës së tij, 60-vjeçari Kodra i kishte plagosur natën e ngjarjes të atin me thikë, ndaj ai ishte detyruar ta qëllonte tri herë po me thikë duke i shkaktuar edhe vdekjen. Versioni i rrëfyer nga 35-vjeçari ka hedhur poshtë pistën paraprake që kishte ngritur policia për ngjarjen e rëndë. Në sajë të rrëfimeve të të arrestuarit, vjehrri i tij, Gjon Kodra, kishte shkuar në banesën e tij në lagjen “10 Korriku”, në vendin e quajtur Tepe, për të sqaruar mosmarrëveshjet që ai kishte brenda familjes me të shoqen (vajza e viktimës). “Vjehrri im, Gjon Kodra, na erdhi për t’u sqaruar me thikë në brez. Gjatë mbrëmjes ne debatuam në shtëpi. Bashkë me mua ishte dhe babai im dhe vëllai. Papritmas ai qëlloi me thikë babain tim, Prekë Marku. Unë dhe vëllai ndërhymë për të shpëtuar babain tonë të plagosur. I mora thikën nga dora vjehrrit dhe e qëllova atë disa herë me thikë”. Kështu është shprehur për grupin e hetimit 35- vjeçari Marku. “Nuk doja ta vrisja, gjithçka ndodhi shumë shpejt”, është shprehur më tej i arrestuari me akuzën e vrasjes me dashje, e kryer në bashkëpunim dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Policia tashmë është duke hetuar nëse thika i përkiste viktimës apo familjes Marku. Pas hetimit të kryer, bazuar edhe në deklaratën e vetë të arrestuarit, rezultoi se shkak i ngjarjes së rëndë kishte qenë një konflikt që kishte nisur pak ditë më parë për një dasmë në familjen e viktimës. Për motive ende të paqarta, Dedë Marku nuk e kishte lejuar të shoqen të shkonte në dasmën e familjarëve të saj të dielën e kaluar. Pikërisht për këtë shkak, 60-vjeçari kishte shkuar të sqarohej në banesën e dhëndrit të tij, por ky i fundit e vrau atë duke e qëlluar tri herë me thikë. Pasi ka nisur debati rreth orës 21:00, ku 60-vjeçari i kishte kërkuar dhëndrit të dinte shkakun pse kishte munguar e bija në dasmë, ka ndodhur edhe krimi i rëndë, duke e vrarë atë në sy të së bijës. Bashkë me Dedë Markun, policia e Shkodrës bëri të mundur edhe arrestimin e vëllait të tij, Gjovalin Marku, për bashkëpunim në krim.

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura