
Pogradec- Halim Hykellari, 60-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Mirela Spahiut të martën e shkuar, do të qëndrojë në burg pa afat me akuzën e “vrasjes me paramendim”. Avokati i krimit të ndodhur në një hotel të Pogradecit ka tentuar ta zbusë akuzën në vrasje në kushtet e tronditjes, duke kërkuar që Hykellari të shtrohet në një spital psikik. Por, gjykata e ka hedhur poshtë këtë argumentim, duke pohuar se nuk ka prova nga avokati që të tregojnë se i pandehuri ka probleme psikike. I pranishëm në sallën e gjyqit dje ishte vetëm djali i 60-vjeçarit, ndërsa nuk kishte asnjë nga ana e viktimës 35-vjeçare.Përfaqësuesi i organit të akuzës, Rushit Hamzallari, relatoi para trupit gjykues ngjarjen makabre. Ai ka renditur faktet dhe provat njërin pas tjetrit, duke treguar edhe njëherë çka ndodhur të martën në dhomën nr. 1 të katit të dytë të hotelit në Pogradec. Sipas prokurorit, njoftimi në Komisariatin e Policisë në Pogradec se në një nga dhomat e hotelit gjendej trupi i pajetë i një gruaje është bërë orën 23:35 të datës 28 qershor. Grupi i hetimit, së bashku me hetuesit e prokurorisë, kanë shkuar në vendin e ngjarjes pas asaj mesnate dhe kanë qenë dëshmitare të një pamjeje makabre. Kufoma e një gruaje qëndronte e shtrirë lakuriq dhe e mbytur në gjak në krevat. Prokurori pohoi në sallën e gjyqit se autori i vrasjes, siç kishte pohuar edhe vetë gjatë hetimeve të para, pasi kreu krimin, mbylli nga jashtë derën e dhomës dhe u largua. Gjatë leximit të akuzës ndaj të pandehurit, prokurori iu referua deponimeve të bëra nga vetë ai. “Herën e fundit më thirri ajo në hotel. Pas marrëdhënies seksuale fillova të shihja trupin e saj dhe konstatova se kishte njolla të zeza e gjurmë kafshimi në trup. E pyeta dhe më tha se kishte lidhje me një burrë tjetër të moshës së saj dhe se me të edhe do të martohej. Mua kishte afro dy vjet që më kishte premtuar martesë. Nuk e përmbajta dot veten. Gjaku më hipi në kokë. Kishim 3 vjet që ishim lidhur bashkë dhe kisha sakrifikuar shumë për të dhe dy vajzat e vogla. Mora çekiçin që e kisha sjellë me vete në hotel, të cilin e kisha fshehur nën krevat, dhe e godita me të në fillim prapa kokës dy herë, pastaj mbi syrin e djathtë”, ishte dëshmia e thënë dje në sallë. Sipas prokurorit, bazuar në këto prova, hetimet duhet të zhvillohen me akuzën e vrasjes me paramendim. “Ata kanë kryer marrëdhënie seksuale dhe nuk mund të ndodhë që të kryhet vrasja e paramenduar pas këtij akti”, deklaroi Merkaj. Ai i kërkoi trupit gjykues një masë sigurie më të lehtë dhe konkretisht shtrimin e klientit të tij në një spital psikik për t’u kuruar. Por, për ndryshimin e akuzës nga “vrasje me paramendim” në “vrasje të thjeshtë” avokati nuk solli asnjë provë shkencore. I pyetur nga gjyqtari, i akuzuari Halim Hykellari u shpreh se ishte dakord me çka deklaroi avokati në këtë seancë gjyqësore.











