Vrau peshkatarin në Orikum, kapet i dyshuari

Sep 7, 2012 | 11:40
Sokol Veizi, peshkatari i vrarë në Orikum

VLORE – Arrestohet autori i dyshuar për vrasjen e peshkatarit Sokol Veizi në Orikum. Policia e Vlorës deklaroi dje se 41-vjeçari u qëllua për vdekje mbrëmjen e 25 gushtit nga Bekim Hibraj, 38 vjeç, banues po në qytezën e Orikumit. Sipas Policisë, krimi ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa për detaje shton se çështja është ende në hetim e sipër. Sokol Veizi, baba i dy fëmijëve, u qëllua me pistoletë ndërsa ishte ulur në një prej lokaleve buzë bregdetit të Orikumit. “Ndalimi i 38-vjeçarit është bërë falë një prove shkencore të gjetur në vendin e ngjarjes dhe të siguruar konform të gjitha procedurave  ligjore, si dhe të një palë dorezash të gjetura po në vendin e krimit”, bëri të ditur Policia e Vlorës, duke shtuar se mes autorit dhe viktimës ka pasur një konflikt për motive të dobëta, nisur dhe nga fakti se ata njiheshin më parë mes tyre. Megjithëse konfirmohet se nuk ka pasur konflikte për motive të tjera që sollën ekzekutimin, Policia shton se të dhëna të tjera do të bëhen të njohura pas përfundimit dhe dokumentimit shkencor të të gjithë ngjarjes. Ndaj 38-vjeçarit Bekim Hibraj rëndon akuza e “vrasjes me paramendim” dhe “prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Mësohet se vetë Hibraj nuk e ka pranuar akuzën, duke deklaruar se nuk ka gisht në krim, ndonëse kishte njohje me peshkatarin Veizi. Në momentin e vrasjes, autori ka qenë me kokë e fytyrë të mbuluar, për t’iu shmangur identifikimit nga dëshmitarët.

© Panorama.al

Te lidhura