
FIER – Vrau me granatë nënën e vajzës që dashuronte, gjykata dënoi dje me 23 vjet burg nxënësin e Shkollës së Muzikës në Fier. Aleksandër Doko, 19 vjeç, kreu krimin një vit më parë, pasi familja e vajzës nga Ballshi i kishte kërkuar të hiqte dorë prej saj. Trupi gjykues, pasi dëgjoi pretendimet e mbrojtjes, vendosi të dënonte të riun nga Selenica e Vlorës me 23 vjet burg, ndërsa dënoi me 18 muaj burg Xhuljano Lamajn, nga Ballshi dhe 9 muaj shtetasin Ertion Calaj, banues në fshatin Klos, Mallakastër. Doko akuzohej për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij për “moskallëzim krimi” dhe “fshehje të së vërtetës”. 43-vjeçarja Violeta Mehmeti, banuese në lagjen “Gllavenicë” në qytetin e Ballshit, gjeti vdekjen si pasojë e shpërthimit të një lënde plasëse që Doko, në bashkëpunim me dy të rinjtë e tjerë, kishin vendosur në portën e shtëpisë së saj. Lënda plasëse është aktivizuar sapo viktima ka hapur portën e banesës së saj. Ajo mbeti i plagosur rëndë, por me gjithë tentativën e familjarëve për ta çuar me urgjencë në spital, ndërroi jetë disa minuta më pas. Aleksandër Doko e ka justifikuar veprimin kriminal me dashurinë që kishte për vajzën e Violeta Mehmetit, por ai ka mohuar të kishte pasur qëllim të vriste njeri. “Nuk kam pasur synim të vras njeri. Unë mendoja që ata do të ishin prindërit e gruas sime, ndaj ata do të ishin edhe prindërit e mi. Desha vetëm t’i tremb që të mos më kundërshtonin. Unë e doja vajzën, por ajo po shoqërohej me një tjetër dhe kjo më shkaktoi xhelozi”, është shprehur para trupit gjykues 19-vjeçari. Xhuljano Lamaj dhe Ertion Çalaj pohuan se ka qenë një granatë që e kishin lidhur me një fije spango që ta tërhiqnin më pas, kur shtëpia të ishte në qetësi, ajo që kishte shkaktuar tragjedinë. Sipas tyre, dalja e gruas jashtë nuk ishte menduar prej tyre. “Pasi dëgjuam shpërthimin u larguam me shpejtësi në drejtime të ndryshme. Nuk e dinim që shpërthimi kishte shkaktuar viktimë. Me ngjarjen u njohëm nëpërmjet mediave”, u shprehën në Gjykatë të pandehurit. Dëshmia e vajzës së familjes Mehmeti pas ngjarjes do të drejtonte pro-kurorët në zbardhjen e ngjarjes së rëndë, që ndodhi më 25 mars të vitit të kaluar, si dhe në kapjen e autorëve të saj. m.r











