Vrau dy burra në shtëpi, kërkon mëshirë në gjykatë

May 7, 2012 | 14:50

Tropoje

Prokuroria nuk jep motiv për ngjarjen. Priten tabulatet e telefonave.

Manjola Dollapi: Më tha burri ta mbush kallashin.

“Nuk kam çfarë të them tjetër, veç atyre që kam shprehur para prokurorit. Kërkoj mëshirë nga gjykata”. Vetëm pak fjalë ka nxjerrë dje Manjola Dollapi, 31-vjeçarja e akuzuar për vrasjen e dy burrave brenda në shtëpinë e saj mesnatën e 2 majit.
Nëna e një fëmije 6 vjeç ka qenë e vetme paraditen e djeshme në sallën e Gjykatës së Tropojës, pasi asnjë nga familjarët e saj, të bashkëshortit 34-vjeçar, Eduard Dollapi apo të viktimës tjetër, Kaçanik Gjyriqit, 27 vjeç, nuk ishin të pranishëm gjatë vlerësimit të masës së arrestit për të. Gruaja e akuzuar si e dyshuar për vrasje të dyfishtë të mërkurën e kaluar në lagjen “Partizani” të qytetit të Bajram Curri është mbrojtur nga një avokat i caktuar nga shteti. Megjithatë, nuk ka bërë ndonjë mbrojtje në lidhje me akuzën e ngritur ndaj saj. E pyetur nga trupi gjykues, Dollapi ka deklaruar se ajo e ka dhënë dëshminë e saj para prokurorit të çështjes dhe i përmbahet asaj që është deklaruar dhe ndodhet në procesverbal. Ajo e ka pranuar vrasjen e dy burrave, duke e quajtur si ngjarje të ndodhur pa dashje. Përfaqësuesi i Prokurorisë ka bërë të njohur në sallë ngjarjen e ndodhur në banesën e çiftit Dollapi, nisur kryesisht nga dëshmitë e gruas, që është personi i vetëm i mbijetuar dhe në kushtet kur ende nuk janë mbledhur të gjitha provat. Në asnjë moment nuk është përmendur lidhja mes personave dhe arsyeja pse ndodhi krimi, ndonëse nga të dhënat e para të grupit hetimor u deklarua se bëhej fjalë për një marrëdhënie jashtëmartesore të zbuluar nga ana e burrit. “E dyshuara për vrasjen e dyfishtë ka deklaruar se e priste burrin në atë moment për të ngrënë bukë dhe kur ka rënë dera është nisur për ta hapur atë. Kur ka hapur derën është gjendur përballë grindjes mes të shoqit dhe një personi tjetër që nuk e njihte. Përplasja fizike mes tyre nisi jashtë apartamentit për të përfunduar brenda në shtëpi. I shoqi, viktima Eduart Dollapi, i ka thënë që të bënte gati automatikun dhe në kohën kur ka qenë duke e mbushur ai është shkrehur. E pandehura pranon se ka qëlluar ajo ndaj Dollapit dhe viktimës tjetër, Kaçanik Gjyriqi, por që arma është shkrehur pa qëllim. Nisur nga këto të dhëna dhe deri në pritje të provave të tjera që janë çuar për ekspertim, kërkohet vlerësimi i ligjshëm i arrestit dhe lënia e Manjola Dollapit në burg”. Sipas Prokurorisë, 31-vjeçarja akuzohet për vrasje të dyfishtë në rrethana të tjera, por pa u cilësuar arsyeja e krimit. Motivi është lënë për t’u saktësuar me mbërritjen e tabulateve dhe akteve të ekspertizës mbi armët në vendngjarje. Një tjetër element që ka cilësuar organi i akuzës nga nata e krimit është ai i djegies së disa llambave, në pjesën e jashtme të shtëpisë dhe brenda korridorit. Në fund të seancës, trupi gjykues ka vendosur që hetimet të kryhen ndaj Dollapit në gjendje arresti, duke pranuar provat e paraqitura nga ana e Prokurorisë. e.d

Filxhanët
Një tjetër provë që pritet të jetë e rëndësishme për grupin hetimor është ajo e ekspertizës mbi dy filxhanë kafeje, të gjetur në kuzhinën e shtëpisë së familjes Dollapi. Bashkë me sendet e tjera, dy filxhanët janë dërguar në laboratorin kriminalistik për të saktësuar se kujt i përkasin shenjat e lëna aty. Fillimisht u fol për një krim pasioni, pasi burri e kishte gjetur 27-vjeçarin Gjyriqi në shtëpi me të shoqen, meqenëse ai ishte nisur për në punë, në turnin e tretë. Në mungesë të dëshmitarëve të tjerë, vetëm ekspertiza pritet të jetë fjala e fundit e hetimit për vrasjen e dyfishtë.

© Panorama.al

Te lidhura